
Gjykata refuzon të vërtetën, Kosova hesht për luftën e saj çlirimtare
Shkruan: Hanife Salihu
Gjykata Speciale në Hagë hodhi poshtë mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës ndaj çlirimtarëve të Kosovës. Ky vendim është vetëm një tjetër dëshmi se drejtësia po kthehet në farsë, ndërsa ne vazhdojmë të heshtim.
Ky nuk është thjesht një refuzim ligjor. Është një shuplakë për të gjithë ata që besuan në lirinë, pastërtinë dhe sakrificën e luftës sonë çlirimtare. Ndërsa vendimet e njëanshme po thellohen, reagimi ynë mbetet i zbehtë, simbolik dhe i vonuar.
Në një kohë kur çlirimtarët tanë po mbahen padrejtësisht në burg në Hagë, e gjithë ajo që po bëjmë është të shpërndajmë fotografi në rrjete sociale për t’ia bërë qejfin vetes, ndërsa veprimet e mirëfillta mungojnë.
Postimet me fytyrat e luftëtarëve tanë nuk mjaftojnë. Ato janë të barabarta me zero, një ngushëllim i zbrazët. Por nuk është koha për simbolika, është koha për reaksion të vërtetë, institucional dhe kombëtar.
Protestat janë vonuar shumë. E kam propozuar herët, se reagimi duhej të niste që në momentin kur u pranua raporti i Dick Marty-t, e jo të pritej ngritja e aktakuzave. Që atëherë duhej të ngriheshim në këmbë.
U zbulua se ndaj Dick Marty-t ishte përgatitur një atentat. U provua se “shtëpia e verdhë” nuk ekziston. Dhe megjithatë, ne heshtëm. Protestat nuk ndodhën. Reagimi u zbeh. Reagimi ligjor, mungoi.
Duhej të vepronim fuqishem në rrugë institucionale. Duhej që Esat Shalës t’i kërkonim dhe t’i dërgonim menjëherë videot dhe fotografitë e tij si dëshmi në Hagë, për të treguar se kush bëri krime dhe gjenocid , e jo që në bankën e të akuzuarve të ulen çlirimtarët me akuza të montuara.
Ambasadat e Kosovës, në vend që të jenë thjesht zyre protokolli, duhej të ishin zë i së vërtetës historike dhe i dhimbjes kombëtare: me simpoziume, konferenca, ekspozita dhe ligjërata në universitete, që bota të mos harrojë krimet dhe gjenocidin që Serbia kreu në Kosovë. Mjerisht, që nga përfundimi i luftës dhe shpallja e pavarësisë, ambasadorët e akredituar nė vende të ndryshme të botës nuk kanë vepruar në këtë drejtim.
E ndërkohë që ne heshtim, javën e fundit, gazetari Ermal Panduri dokumentoi një të vërtetë tronditëse:
Një grua e infiltruar nga strukturat sekrete serbe është bërë pjesë e drejtësisë ndërkombëtare kundër çlirimtarëve tanë. Ajo është znj.Zdenko Pumper, ish hetuese e EULEX-it në Kosovë, për të cilën dyshohet se është edhe shtetase serbe, sot është numri dy në Prokurorinë e Dhomave të Specializuara! A mund të ketë padrejtësi më të madhe dhe më të qartë?
Qeveria e Kosovës dhe subjektet politike nuk mind të heshtin më. Duhet të kërkojnë largimin e kësaj figure të njëanshme, dhe të të gjithë të ngjashmëve brenda gjykatës. Duhet të kërkojnë shpalljen e pavlefshme të kësaj gjykate, që nuk po sjell drejtësi, por padrejtësi sistematike ndaj Kosovës dhe çlirimtarëve të saj.
Çlirimtarët tanë po mbahen tash pesë vite në burg pa faj. Edhe një ditë e vetme dënim për ta është dhunë kundër së vërtetës, poshtërim për drejtësinë dhe dëm i pamatshëm për Kosovën.
Dhe në fund, ta shtrojmë të gjithë një pyetje me zë të lartë dhe me ndërgjegje të kthjellët: Sikur të ishte Serbia në vendin tonë, me gjithë ato krime dhe gjenocid që ka kryer, a do të rrinte e heshtur?
A do të pranonte që ushtarët e saj të mbylleshin në burg pa luftuar për ta deri në fund? Ne jo vetëm që po heshtim. Ne po dorëzojmë luftën tonë çlirimtare. Dhe kjo është më shumë se padrejtësi, është vetëshkatërrim.