Gjykata Speciale, instrument i dhunës i Borrellit kundër Kosovës

15 dhjetor 2022 | 13:54

Reagim i KMDLNj-së

Joseph Borrell, një “lehtësues” në bisedimet për “normalizim” të marrëdhënieve, jo njohjes reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, në shumë raste shkeli parimin e paanshmërisë duke anuar kah Serbia tash, se fundi doli me një deklaratë, gënjeshtër e kulluar se Hashim Thaçin e paska burgosur policia e EULEX- it apo e BE-së për ta dërguar në burgun në Amsterdam ku edhe do të gjykohet! Borrelli nuk e di apo nuk do ta di se Hashim Thaçi u dorëhoq nga posti i presidentit për t’u përballur me një situatë që e improvizuan Serbia, me instrumentet e korruptuara si puna e senatorit të Kaligules, Dik Marti dhe dikmartët tjerë si është edhe Joseph Borrell. Trafikimi me organe ishte zhurmuesi që i heshti tërë zërat e arsyes për të kundërshtuar një raport çoroditës të Dik Martit pas së cilës u themelua një Task Force dhe, si rrjedhojë, në kushte të frikësimit dhe terrorit psikologjik u formua Gjykata Speciale. Edhe raporti i Dik Martit, edhe hetimet si dhe aktakuzat u ndërtuan në bashkëpunim dhe bashkëveprim me inteligjencën serbe, prokurorinë për krime lufte të Serbisë të cilët siguruan shumicën e materialeve sikur edhe dëshminë e mbi 450 dëshmitarëve. Në mesin e këtyre dëshmitarëve ka edhe shqiptarë, të rekrutuar dhe të instruktuar nga inteligjenca e Serbisë, civile dhe ushtarake. Kjo gjykatë është njëetnike, që nga roja në hyrje të saj e deri te niveli më i lartë kurse të akuzuarit dhe të dënuarit janë të gjithë shqiptarë. Nga aspekti i të drejtave të njeriut është raciste kurse nga aspekti i të drejtave të viktimave është diskriminuese dhe dhunuese sepse mohon drejtësinë për më tepër se 95 për qind të viktimave shkaku se i përkasin shqiptarëve. Gjykata Speciale ka shitur ose ka provokuar rrjedhjen e materialeve të ndjeshme për të përshpejtuar arrestimin e krerëve kryesorë shtetërorë të Kosovës të cilët ishin edhe themelues të UÇK-së sikur që e shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Në të njëjtën kohë dënuan me dënime drakonike Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinaj e duket se kështu do ta bëjnë edhe me Salih Mustafën nesër kur edhe do të shpallet vendimi i Gjykatës së Inkuizicionit. Askush nuk u hetua apo u dënua për rrjedhje të qëllimshme të materialeve të ndjeshme për të cilat KMDLNj mbanë përgjegjës Ekateriana Trandafiloven dhe ish-prokrustin, Jack Smith, tash i dezertuar nga Gjykata Speciale. KMDLNj që nga fillimi e ka kundërshtuar karakterin, qasjen dhe përbërjen njëetnike të kësaj gjykate dhe ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të bëjnë një amandament me të cilin do të sigurohej drejtësi për të gjitha viktimat dhe përgjegjësi për ata që kanë bërë krime përmes një gjykimi të drejtë, të pavarur dhe të pandikuar politikisht e që qartazi Gjykata Speciale nuk e ka asnjërën prej tyre. Për fat të keq, përbërja aktuale e Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve kryesore të vendit, jo që duan të angazhohen të respektohen parimet e lartpërmendura por kanë vullnet dhe gatishmëri t’ua bëjnë jetën sa më të rëndë të arrestuarve të kësaj gjykate duke bërë deklarata të papërgjegjshme, duke bërë vizita selektive dhe duke ua vështirësuar mbrojtjen. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të këmbëngulin që gjykata të jetë më transparente sa i përket të drejtave të njeriut, monitorimit të pavarur dhe jopërjashtues, lehtësimit të vizitave familjare dhe krijimit të kushteve për mbrojtje për mbrojtësit nga Kosova, nëse ende mendojnë se kjo gjykatë është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, në të kundërtën duhet të pajtohen me mashtruesin ndërmjetësues të BE-së, Joseph Borrell se kjo gjykatë është e BE-së. KMDLNj e ndanë këtë mendim duke pohuar se kjo gjykatë me asgjë nuk i përket sistemit të drejtësisë së Kosovës. Prandaj, deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta thërrasin një seancë ku do të ftohen të gjithë akterët relevantë, nëse mendon se është themeluese e kësaj gjykate, në të kundërtën duhet të deklarohet publikisht se nuk ka asgjë me këtë gjykatë dhe se nuk është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës. Institucionet e Kosovës duhet të sqarojnë publikun pse u liruan serbët që për një kohë u mbajtën në burg sepse kërkonin të rekrutonin persona që do të dëshmonin se u ishin hequr organet për një kompensim deri në 300.000 euro. Në krye të këtij grupi ishte një serb nga Serbia, anëtar i BIA-së dhe policë serbë të Kosovës. Kishte edhe gazetarë nga Kosova dhe “hulumtues” të pavarur që i thyenin këmbët duke kërkuar ndonjë organ të mbetur të trafikuar dhe për t’ia dërguar Dik Martit. Gjykata Speciale është përdorur dhe po përdoret si mjet për t’i bërë presion politik në bisedime me Serbinë dhe për ta ndryshuar historinë përmes amnistimit të Serbisë dhe kriminalizimit të luftës çlirimtare të UÇK-së. Nuk ka asnjë rast të vetëm në botë, që nga Gjykata e Nyrembergut dhe Tokios, pas luftës së dytë botërore e deri më sot që një gjykatë të jetë aq e anshme dhe paragjykuese duke vepruar ekskluzivisht në baza etnike. Asnjë shtet normal nuk do ta pranonte një situatë kur arrestohen udhëheqësit më të lartë politikë dhe bartësit kryesorë të luftës çlirimtare sikur edhe krijues të shtetit mbi bazën e akuzave të ndërtuara thuaja 90 për qind nga dëshmi dhe dëshmitarë të një shteti që ka kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë, Serbia që edhe sot e kësaj dite po i bënë të njëjtat veprime, tash me mjete politike.
Nuk arsyetohet heshtja e Kuvendit të Kosovës për faktin se deputetët e Kuvendit e kanë fituar mandatin për t’i përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e qytetarëve të Kosovës e jo për t’i dëgjuar pallavrat e Botrellit. Kosova, ose duhet të sillet dhe veprojë si shtet i pavarur dhe sovran, edhe nëse duhet të paguajë një çmim të caktuar për këtë, ose do të zhbëhet me ndërmjetësimin e Borrellit që po e kërcënon Kosovën, por jo edhe Serbinë duke e shtyrë statusin përfundimtar për një afat të pacaktuar dhe duke e legalizuar federalizimin e Kosovës përtej Pakos së Ahtisarit. Gjykatën Speciale po e përdorin si mjet për këtë qëllim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar pas dorëzimit të…