
Gjykata Speciale, një gjykatë jashtë kontrollit të Kosovës, me pasoja të rënda për drejtësinë dhe sovranitetin
Autor: Prof. Dr. Fejzulla Berisha
Ekspert i së drejtës publike, të drejtave të njeriut dhe drejtësisë tranzicionale
Themelimi i Gjykatës Speciale në vitin 2015 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës përfaqëson një ndër vendimet më të kontestuara në historinë kushtetuese dhe institucionale të shtetit të Kosovës. Në thelb, kemi të bëjmë me një gjykatë e cila është krijuar me akt formal nga institucionet e Kosovës, por që funksionon jashtë çdo mekanizmi të kontrollit institucional, demokratik dhe kushtetues të vetë shtetit që e themeloi. Kjo përbën një paradoks juridik dhe politik me pasoja serioze për shtetin e së drejtës, sovranitetin dhe dinjitetin e Republikës së Kosovës.
1. Legjitimiteti i fragmentuar i Gjykatës Speciale: Themelohet nga Kuvendi, por s’i jepet mbikëqyrje
Në korrik 2015, Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën presion të drejtpërdrejtë nga Bashkimi Evropian dhe disa shtete anëtare të Këshillit të Sigurimit, miratoi ndryshimin kushtetues nr. 24/2015 dhe ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ky vendim u mor në një atmosferë politike tejet të tensionuar, me një diskurs publik të mbushur me skepticizëm, frikë dhe trysni diplomatike.
Deputetët që votuan në favor të kësaj gjykate e justifikuan votën me bindjen se: – pretendimet e Raportit të Dick Martyt (2010), mbi trafikimin e organeve dhe krime të supozuara të UÇK-së, ishin të pabazuara, -se asnjë prej figurave udhëheqëse të luftës çlirimtare nuk kishte për të rezultuar fajtor, dhe – se Kosova duhej të bashkëpunonte me drejtësinë ndërkombëtare për të ruajtur imazhin e shtetit të ri.
Mirëpo, në momentin që u votua, Kuvendi i Kosovës e dorëzoi krejtësisht kompetencën për mbikëqyrjen, rregullimin dhe funksionimin e kësaj gjykate.
Asnjë nen i ligjit për Dhomat e Specializuara nuk parashikon mekanizma të mbikëqyrjes nga Kuvendi, Qeveria, apo ndonjë organ i drejtësisë në Kosovë. Në vend të kësaj, gjykata u vendos fizikisht dhe juridikisht në Hagë, e ndarë nga sistemi gjyqësor i Kosovës, por me pretendimin që vepron “në emër të Republikës së Kosovës.”
2. Një rast unik në të drejtën ndërkombëtare: Gjykata që i shmanget çdo përgjegjësie ndaj shtetit që e ka krijuar
Ky është një fenomen i paprecedentë në jurisprudencën ndërkombëtare: asnjë tjetër shtet në botë nuk ka krijuar një gjykatë që nuk ka asnjë kontroll mbi të.
Për krahasim: – Tribunali për ish-Jugosllavinë (ICTY) u themelua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në bazë të Kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara – ishte qartazi gjykatë ndërkombëtare. – Gjykata Speciale për Sierra Leonen u krijua me marrëveshje ndërkombëtare midis Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë së Sierra Leones – por mbeti nën mbikëqyrje të përbashkët. – Dhomat e Posaçme në Kamboxhia janë krijuar nga parlamenti i Kamboxhias në partneritet me OKB-në, por kamboxhianët kanë rol vendimtar në strukturën dhe funksionimin e saj.
Në rastin e Kosovës, ndonëse themelimi është formalisht vendor, funksionimi është tërësisht jashtë juridiksionit të Kosovës, dhe kjo krijon një gjykatë hibride anormale: pa autoritet shtetëror mbi të, pa llogaridhënie, dhe pa standard të përbashkët drejtësie.
3. Raste konkrete të shkeljeve të parimeve të së drejtës dhe procedurave të rënda të kontestuara
a) Rasti Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi
Aktakuza u ngrit në mënyrë të befasishme në vitin 2020, vetëm pak orë para një takimi të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë – një akt me qartësisht pasoja politike.
Në këtë rast: – U ngrit një aktakuzë për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” – një koncept që ka rënë në sy si shumë i diskutueshëm që nga koha e ICTY-së, sepse zëvendëson provën konkrete me strukturë hipotetike kolektive. – U ndaluan katër liderë pa prova të drejtpërdrejta individuale për krime personale, por mbi bazën e pozitës së tyre politike apo ushtarake. – Janë mbajtur në paraburgim prej më shumë se 4 vitesh, pa përfunduar procesi gjyqësor – një shkelje e rëndë e së drejtës për gjykim të shpejtë dhe të drejtë, të garantuar nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
b) Rasti i dëshmitarëve dhe trajtimi i tyre
Një numër i madh dëshmitarësh janë mbajtur në kushte të izolimit, janë trajtuar pa qartësi juridike për statusin e tyre dhe shpesh janë ekspozuar ndaj procedurave traumatizuese. Për më tepër, mospublikimi i shumë pjesëve të dosjeve dhe mungesa e transparencës procedurale kanë krijuar përshtypjen se kemi të bëjmë më shumë me një gjykatë me objektiva të parapërcaktuara, sesa me një proces të pastër të së drejtës.
4. Pasojat politike dhe historike të veprimit të njëanshëm të Gjykatës Speciale
– Delegjitimimi i luftës së UÇK-së në diskursin ndërkombëtar është pasojë e drejtëpërdrejtë e veprimit të kësaj gjykate. Ajo nuk ka hetuar asnjë krim serb, duke e vendosur konfliktin në një paradigmë fiktive të simetrisë, ku pala e agresuar gjykohet, ndërsa agresori lihet jashtë çdo përgjegjësie.
– Zhbërja e konsensusit politik brenda Kosovës për drejtësinë ndërkombëtare. Qytetarët dhe institucionet po humbasin besimin në drejtësinë ndërkombëtare, për shkak të selektivitetit dhe mungesës së ndjeshmërisë ndaj historisë së konfliktit.
Koha për një rishikim të thellë institucional dhe ndërkombëtar
Shteti i Kosovës duhet të kërkojë rishikimin e mandatit, juridiksionit dhe mbikëqyrjes ndaj Gjykatës Speciale. Ka ardhur koha që të parashtrohet pyetja thelbësore: A është kjo gjykatë ende në funksion të drejtësisë dhe të shtetit të Kosovës, apo një instrument i pamatur politik që po dëmton themelet e shtetësisë sonë? Institucionet e Kosovës, shoqëria civile, komuniteti akademik dhe faktori politik duhet të kërkojnë raportim, përgjegjësi dhe transparencë nga kjo gjykatë. Drejtësia nuk mund të funksionojë në errësirë institucionale, pa kontrolle, pa barazi, pa standarde dhe pa sens për të vërtetën historike.