Gjykata Speciale po bën cirkuz duke e dëmtuar drejtësinë në Kosovë

13 dhjetor 2023 | 14:48

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re” ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë, për dialogun me Serbinë, për diplomacinë e Kosovës, për opozitën dhe për zhvillimet e fundit në Gjykatën Special.

Selimi ka theksuar se Kosova sot është vendi i vetëm në tërë Evropën, pas Rusisë dhe Bjellorusisë, që ka sanksione nga Perëndimi.

Ai thotë se qeveria Kurti nuk ka strategji. “U prishëm me Amerikë. U prishëm me BE-në. U prishëm me Shqipërinë dhe humbëm shumë kohë”, thotë ai.

Ish-ministri i jashtëm ka thënë se ambasadat tona dhe diplomacia jonë është krejtësisht e izoluar dhe ka humbur ndikim në Uashington dhe Bruksel.

Duke folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Selimi thotë se kjo qeveri pranoi një status sekret të asociacionit. E për Gjykatën Speciale ka thënë se është duke bërë cirkuz.

“Ky vit ishte vit i vështirë, por kam frikë që viti i ardhshëm do të ketë edhe më shumë vështirësi”, ka thënë Selimi.

Intervistoi: Sadik Zeqiri

“Epoka e re”: Z. Selimi, këto ditë keni pasur disa reagime në rrjetin e juaj social “X” (ish-Tëitter) për ngjarjet në Hagë, përfshi bastisjet që janë bërë gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të presidentit Thaçi, ku keni kritikuar Gjykatën Speciale. Mendoni se këto bastisje kanë premisa politike?
Selimi: Bastisjet kanë qenë shumë të çuditshme, thënë butë. Për shembull, është absolutisht neveritëse kur një intelektual dhe aktivist politik si Blerim Shala, autor, shkrimtar, gazetar dhe pjesëmarrës aktiv në të gjitha proceset politike kyçe të Kosovës që nga 1980-ta e deri më sot, kur po këshillon edhe Qeverinë Kurti për procesin e dialogut si konsulent i Qeverisë norvegjeze, dhe atij i konfiskohet telefoni. A mendon dikush seriozisht se Blerim Shala po frikësojka dëshmitarë? Apo Ismail Syla, një këshilltar i presidentit Thaçi që është edhe shkrimtar edhe poet, e që ka kaluar vite si i burgosur politik i diktaturës komuniste, si është e mundur që prokurorët specialë t’i hyjnë në shtëpi tërë ditën?
Përgjimet që u përdorën nga gjykata si justifikim janë po ashtu neveritëse dhe rrezikojnë të drejtat e të akuzuarve. Biseda të lira për proces nga të akuzuarit që janë të mbyllur tash e tri vjet me vizitorë, asgjë më shumë. Pse s’po i botojnë edhe transkriptet e prokurorisë me ofertat joshëse për dëshmitarë, apo edhe rastet ku është dëshmuar pa asnjë dyshim se dëshmitarët kanë qenë të ndikuar dhe paguar nga shërbimet serbe. Cirkuz total, por aspak qesharak.

“Epoka e r”: Disa zëra, përfshi edhe vetë kryeministrin Kurti thonë se faj kanë Thaçi dhe të tjerët sepse themelimi i saj u bë nga vetë këta liderë që sot po gjykohen?
Selimi: Themelimi i Gjykatës Speciale nuk ishte akt i veçantë por një proces, ku Perëndimi, e sidomos administrata e presidentit Obama, solli dy opsione para Kosovës: ose Kosova ta themelon në kuadër të Kushtetutës se vet këtë institucion që të pastrohet UÇK-ja nga akuzat për tregti organesh ose këtë tribunal do ta themelonte OKB-ja, nën mandatin e rezolutës 1244, që do ta kthente Kosovën në një protektorat, së paku në sundimin e ligjit.
Presidenti Thaçi por edhe shumica absolute e Kuvendit të Kosovës, edhe pse dihej se çmimi mund të jetë i lartë dhe të përfundon me arrestime të vetë liderëve të UÇK-së, e bënë këtë sakrificë për hir të Kosovës. Këso sakrifice natyrisht nuk kemi parë nga lidershipi i tashëm të bën ndonjëherë, prandaj kritikojnë aq lehtë.
A ka gabuar Kuvendi që ka votuar këtë gjykatë asokohe? Nga prizmi i sotshëm edhe mund të jetë ashtu, tani kur po shohim neglizhencën procedurale, tradhtinë morale por edhe vitet e shkuara për të burgosurit që qëndruan të pafajshëm pa asnjë ditë gjykimi për ca vite në burg, si dhe narrativën e prokurorit krejtësisht të bazuar në teoritë serbe të luftës së Kosovës. Por vlerësimi për vendimet nuk mund të bëhet me kanarin e gjërave që i dimë sot, por me ato që ishin para 10 viteve. Por duhet të jemi kritikë për degradimin e idesë fillestare për pastrimin nga akuzat e rrejshme të organeve, në një himerë të përçudnume të përndjekjes politike dhe proceseve kuazi-ligjore, dhe të kërkojmë nga vetë gjykata por edhe aleatët përgjegjësi dhe strategji dalëse nga ky cirkuz joqesharak që po dëmton drejtësinë në Kosovë.

“Epoka e re”: Shkuarja e liderëve të UÇK-së në Hagë është përputhur me ardhjen e qeverisë së re, përkatësisht dy qeverive Kurti I dhe Kurti II. Si e vlerësoni situatën sot sa i përket pozitës diplomatike të Kosovës?
Selimi: Kosova ka humbur koxha kohë këto vitet e fundit. Bota po ndryshon dramatikisht, me konflikte të mëdha dhe ndeshje midis shteteve por ndoshta edhe qytetërimeve. Ne ishim në një rrugëtim që të përmbyllim kapitujt e hapur të Kosovës në marrëdhëniet tona me Serbinë – proces që Serbia absolutisht dëshironte ta vononte, ta mbante status quon, dhe fatkeqësisht ne këto vitet e fundit disa arritën të ia plotësojnë dëshirën në një farë mënyre Serbisë.
U prishëm me Amerikë. U prishëm me BE-në. U prishëm me Shqipërinë dhe humbëm shumë kohë. Mos të harrojmë, Kosova sot është vendi i vetëm në tërë Europën, pas Rusisë dhe Bjellorusisë, që ka sanksione nga Perëndimi. FSK-ja ishte përjashtuar nga ushtrimet ushtarake të NATO-s. Ambasadat tona dhe diplomacia jonë është krejtësisht e izoluar dhe ka humbur ndikim në Uashington dhe Bruksel. Këto janë fakte empirike e jo opinione subjektive.
Fare në fund Qeveria pranoj, në “aksham pazar” një status sekret të asociacionit, të “Zajednicës” së famshme për të cilën kur ishte në opozitë derdhi gjak, përdori dhunë, hodhi bomba dhe granata dhe shpalli tradhtarë majtas e djathtas.

“Epoka e re”: Besoni se qeveria po gabon që po pranon asociacionin?
Selimi: Asociacioni, apo e drejta e komunave të lidhen horizontalisht në procese joekzekutive ishte edhe në raportin e Kai Eides më 2006 edhe në Planin e Ahtisarit. Pra të krijosh një asociacion nuk është diçka që ne e pranojmë apo nuk pranojmë sepse është e drejtë kushtetuese e komunave. Koncepti i ndërtuar gjatë qeverive të shkuara, i përkrahur plotësisht me shkrim nga aleatët tanë ishte që një asociacion konform Kushtetutës së Kosovës të krijohet si element në arritjen e marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme, me qendër njohjen e dyanshme në mes Kosovës dhe Serbisë. Por ne humbëm shumë kohë këto vitet e fundit dhe e lejuam që konteksti gjeopolitik të sforcon zbutje të qëndrimit të aleatëve dhe tani kjo qeveri është gati ta pranon një asociacion pa njohje dhe pa ndonjë sinjal të qartë se kur do të arrihet marrëveshja finale ligjërisht e obligueshme. Kjo marrëveshje nuk është finale, duhet të thuhet qartë. Kjo marrëveshje po e lejon vazhdimin pa fund të negociatave.
Ndërsa ekziston edhe një aspekt i rëndësishëm i përgjegjësisë politike, ndoshta edhe morale. A nuk ishte Kosova dhe liderët kosovarë nën presion të dhunës, të gazit lotsjellës, të koktejeve Molotov, të granatave të hedhura nëpër oborre dhe automjete të djegura private të ministrave mu për shkak të “zajednicës”. Ku është përgjegjësia politike për gjakun e derdhur në rrugët e Kosovës nëse tani po pranohet e njëjta formule, me shumë më pak benefite për Kosovën?

No description available.

“Epoka e re”: E cili pra qenka opsioni i opozitës? Në kuvend kemi zëra të larmishëm, nga ish-kryeministri Haradinaj që aprovon këtë marrëveshje të fundit në Bruksel, deri tek deputetë të PDK-së që kundërshtojnë, si dhe të LDK-së që kritikojnë mu këtë marrëveshje. A nuk do të duhej opozita të flet me një zë?
Selimi: Fillimisht të them se nuk mund të përgjigjem në asnjë formë në emër të opozitës sepse nuk jam as në organe as në pozitë ta quaj vetën përfaqësues të opozitës apo edhe PDK-së. Jam qytetar i thjeshtë, me pak eksperiencë modeste nga 7 vjet të kaluara në diplomaci, dhe shumë më shumë vite tjera në media dhe shoqëri civile.
Dhe absolutisht mendoj se qeveria meriton të kritikohet për jo-konsistencë. Qeveritë e kaluara e kanë pranuar asociacionin dhe sot kritika ndaj Kurtit nuk është për pranim apo jo, por për degradim të procesit, vonesë të jashtëzakonshëm, për gjakun e derdhur në rrugë në vitet e shkuara, për mungesë të qartë të benefiteve diplomatike për Kosovën. Një “zajednicë” që sjell probleme por nuk sjelli njohjen e as ndonjë benefit diplomatik të qartë.
Pra Qeveria Kurti ka faj për mungesë totale të strategjisë qeverisëse. Dhe jo vetëm në dialog. Kush e din sot se çka bën ministrja e arsimit, apo ai i shëndetësisë, apo e ekonomisë? Janë zhdukur fare. Të padukshëm. Të pa-zë. Me ekonomi të dërrmuar nga kriza e kostos së jetesës dhe me dështime në lëvrim të investimeve nga jashtë dhe ekzekutim të investimeve të brendshme. Këto janë të gjitha të verifikueshme. Suficiti nga keqmenaxhimi i buxhetit arrin 700-800 milionë euro. Komunat opozitare nuk marrin investime kapitale nga qendra. Një shkapërderdhje totale e qeverisjes, por opozita nuk është se ka kapitalizuar në këtë jokompetencë evidente të qeverisë. Vërehet një qetësi e padurueshme e opozitës, sidomos kur ka arsye te krenohet me të arriturat e pasluftës dhe sidomos pas pavarësisë.

“Epoka e re”: Fare në fund, çfarë e pret Kosovën në vitin 2024?
Selimi: Ky vit ishte vit i vështirë, por kam frikë që viti i ardhshëm do të ketë edhe më shumë vështirësi. Nuk shoh se ka ndonjë synim të qartë strategjik të lëvizim hovshëm përpara ndërsa edhe aleatët tone janë të fokusuar në shumë vatra krizash. Do të kemi edhe zgjedhje në Amerikë dhe Bashkim Europian, gjë që do të ngadalëson zhvillimet edhe këndej. Ishalla jemi gabim, por status quoja duket se është gjendje e kënaqshme për qeverinë tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-eprori i UÇK-së, Haxhi Shala, ka dalë për herë të…