Gjykata Supreme e vë në vend rendin kushtetues

17 korrik 2025 | 19:43

Shkruan: Hisen Berisha

Vendimi i fundit i Gjykatës Supreme të Kosovës për të shfuqizuar Udhëzimin Administrativ të lëshuar nga një ministër në detyrë, përbën një akt të qartë juridik që demaskon tendencat autoritare dhe arbitrare të një qeverie që prej ardhjes në pushtet i ka kaluar vijat e kushtetutshmërisë dhe ka shndërruar “qeverisjen në detyrë” në pushtet personal e të pakontrolluar.

Udhëzimi Administrativ në fjalë, i lëshuar nga një ministër i një qeverie pa mandat të plotë, ka tejkaluar kufijtë ligjorë dhe kompetencat kushtetuese të një ekzekutivi në largim.
Në vend që të sigurohej një tranzicion i qetë institucional dhe një respekt minimal ndaj ndarjes së pushteteve, kemi parë një aktivizim politik dhe ideologjik të ministrave, të cilët kanë vazhduar të lëshojnë udhëzime, të emërojnë borde, të ndikojnë vendimmarrje dhe të shtyjnë përpara agjenda personale, në kundërshtim flagrant me statusin e tyre si bartës të përkohshëm të funksionit publik.

Vendimi i Gjykatës Supreme është një ndëshkim institucional dhe ligjor ndaj arrogancës së qeverisë në detyrë, dhe një paralajmërim për të gjithë zyrtarët që keqpërdorin pozitën në mungesë të legjitimitetit demokratik.
Më shumë se një akt juridik, ky vendim është një mesazh politik dhe kushtetues se në Kosovë nuk mund të sundohet me udhëzime jashtëligjore dhe me akte të njëanshme, duke anashkaluar Kuvendin, sistemin gjyqësor dhe interesin publik.

Por, në vend të reflektimit, reagimet publike të disa përfaqësuesve të qeverisë në detyrë kanë qenë arrogante dhe shpërfillëse ndaj vendimit të gjykatës. Në vend të heshtjes institucionale, kemi parë zyrtarë të lartë nga partia apo koalicioni në pushtet, që hedhin hije mbi sistemin gjyqësor, që relativizojnë kompetencën e gjykatës dhe që portretizojnë veten si viktima politike.
Ky është një model i rrezikshëm qeverisjeje që e delegjitimon gjyqësorin sa herë që ai merr një vendim që nuk i përshtatet pushtetit ekzekutiv.

Ky konflikt mes një qeverie pa mandat dhe institucioneve të pavarura është bërë normë. Dhe ky vendim i Gjykatës Supreme duhet të shërbejë si një pikë kthimi për të ndalur këtë degradim të sundimit të ligjit.

Në këtë klimë mosbesimi institucional dhe shkeljeje të rendit kushtetues, me refuzim të përdhunueshëm të drejtësisë, dalin edhe dilema të reja që meritojnë vëmendje.
Vizita e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Greqi – një vend që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës dhe që ka pasur përplasje të hapura me partnerët tanë strategjikë për çështje të sigurisë dhe energjisë – është zhvilluar pa paralajmërim publik, pa transparencë dhe pa ndonjë mandat të qartë institucional.
Kjo vizitë, e paakorduar institucionalisht dhe jashtë çdo transparence demokratike, rrit dyshimet për diplomaci paralele që iu shërben më shumë interesave të fshehta Kurtit & Co, se sa interesit kombëtar.

Në një kontekst kur rrjedhjet e informacionit, aktivitetet e spiunazhit dhe ndikimi i mafias energjetike janë duke u hetuar edhe brenda Policisë së Kosovës, çdo lëvizje diplomatike e paqartë e zyrtarëve në detyrë, që ndodh përtej linjave të koordinimit shtetëror, ngjall dyshime të mëdha.
A mos është edhe kjo pjesë e një axhende personale, e ndërlidhur me interesa të tjera që tejkalojnë funksionin e një qeverie në ikje? Këtë e bën edhe më indikativ refuzimi i Prokurorisë që të dëshmojë për aferat korruptive dhe krimit të organizuar në rezervat shtetërore, energji, etj.

Dhe nëse qeveria në detyrë nuk respekton më as kufijtë ligjorë të vendimmarrjes së brendshme, a mund të besohet se është duke respektuar protokollet dhe koordinimin diplomatik në veprimet ndërkombëtare?

Kosova ka nevojë për qeveri me mandat të plotë dhe me përgjegjësi të plotë, jo për ministra që sillen si “pronarë të resorit” edhe pasi i ka skaduar kontrata dhe skanë më legjitimitet politik as juridik.
Vendimi i Gjykatës Supreme është akt i shëndoshë institucional dhe një thirrje për kthjellim kombëtar, se në shtet nuk sundohet me urdhra personale, por me ligj dhe me respekt për institucionet.
Dhe në këtë drejtim, nuk mjafton më vetëm vendimi i një gjykate. Për të ndalur shkarjen e mëtejshme të shtetit, duhet largim i menjëhershëm nga pozitat, me hir të përgjegjësisë ose me forcën e ligjit.

Lejimi i këtij precedenti, ku një ministër pa mandat shkruan ligje dhe një kryeministër në largim zhvillon politikë të jashtme në fshehtësi, është rruga më e shpejtë drejt zhbërjes së shtetit funksional dhe shndërrimit të Kosovës në një eksperiment autoritar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i LDK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka…