Gjykata urdhëron deputetin holandez të fshijë postimet në “Twitter”, kjo është arsyeja
Një gjykatës të mërkurën urdhëroi deputetin holandez Thierry Baudet të fshijë katër mesazhe në rrjetin social “Twitter”, pasi ky i fundit krahasonte masat bllokuese kundër koronavirusit me trajtimin e hebrenjve nën regjimin nazist.
Kreut të partisë së ekstremit të djathtë, Forumi për Demokraci, e cila ka pesë vende në parlamentin holandez, iu tha që brenda 48 orëve duhet të fshijë disa postime në mediat sociale.
Dy organizata hebreje dhe një grup i të mbijetuarve të Holokaustit shkuan në gjykatën e Amsterdamit për të kërkuar heqjen e këtyre postimeve në “Twitter”, pasi sipas tyre ato ishin tepër fyese dhe të dhimbshme për të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave të Holokaustit.
Mes postimeve të tij, ishte një që i quante njerëzit që nuk janë vaksinuar kundër Covid-19 si “hebrenj të rinj”, ndërsa ata të tjerët që kërkojnë vaksinimin e popullsisë si nazistë dhe NSB-të e rinj. NSB është akronimi i Lëvizjes Nacional Socialiste holandeze, një degë e partisë naziste.
Budet, publikoi edhe dy foto krah njëra-tjetrës, ku tregonte një fëmijë që nuk mund të shkonte në festën e Shën Nikollës dhe e dyta të një djali nga getoja e Lodz-it të kohës së luftës në Poloni, i cili mbante një yll të Davidit, përpara deportimit të tij.
Në një postim tjetër, publikoi një foto të kampit të përqendrimit Buchenëald, shoqëruar me diçiturën: Si është e mundur të mos shohësh se si historia përsëritet.
Gjykata e urdhëroi Baudet që t’i fshinte mesazhet e postuara në “Twitter” brenda 48 orëve.
Nëse ai vendos të mos i fshijë ato, do të duhet të paguajë 25 mijë euro çdo ditë që ato qëndrojnë në internet. Atij gjithashtu i është ndaluar të përdorë imazhe të Holokaustit, si pjesë e debatit për masat e marra në lidhje me luftën ndaj koronavirusit.
Në një reagim në “Twitter”, Baudet e konsideroi një vendim të tillë “të çmendur dhe të pakuptueshëm”. Ai theksoi se vendimin e gjykatës do ta çonte në Apel.



