Gjykata vendos: Fredi Beleri nuk mund të bëjë betimin si kryebashkiak i Himarës

11 dhjetor 2023 | 18:02

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të mos e lejojë kreun e zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, që të betohet në krye të institucionit administrativ bregdetar.

Teksa, menjëherë pas vendimit, kreu i Partisë për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule, ka dalë në një prononcim publik, duke pretenduar se kjo është një shkelje e të drejtave themelore kushtetuese dhe se gjykata po përdoret politikisht nga kryeministri Edi Rama.

Nga ana tjetër, vetë Beleri, në seancën e zhvilluar, artikuloi se ndaj tij po bëhet një padrejtësi për interesa politike dhe financiare.

“Zgjatja, shtyrja, përcjellja nga gjykata në gjykatë, veprimet tuaja për shtyrje të seancës nuk janë mënyra e duhur e gjykatës për të dhënë drejtësi”, përmendi Beleri.

Ai shtoi se së bashku me familjen, po dëmtohen dhe po shkaktohen shumë qëndrime armiqësore, duke i ndarë qytetarët në “grekë dhe jo grekë”.

“Mbështetja e qytetarëve të Himarës më ka dhënë force. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, ka përmbyllur ai.

Por çështja shkon edhe përtej konsumit të brendshëm, pasi tashmë duhet parë edhe qëndrimi i Athinës zyrtare në raport me këtë zhvillim, pas kërcënimeve të vazhdueshme se mund të vendoset një veto në hapjen e kapitujve të parë negociues të Tiranës me Bashkimin Evropian.

Kjo gjithsesi mbetet për t’u parë në mbledhjen që pritet të zhvillohet në Bruksel, ku kryeministri Rama do të jetë i pranishëm për të marrë edhe raportin nga Evropa, lidhur me çështjen e negociatave.

Beleri prej kohësh ka kërkuar të betohet si kryetar i Bashkisë Himarë, por kjo nismë e tij është në ngërç tërësor dhe së fundmi, një pengesë e radhës burokratike është ajo nga Gjykata e Lartë, e cila ka vendosur se nuk është kompetente për trajtimin e kësaj kërkesë Gjykata e Durrësit, por ajo e posaçme GJKKO.

Kështu, në vendimin e Gjykatës, përshkruhet se dhënia e posaçme e lejes për betimin e Belerit, i takon prokurorit të çështjes.

Më tej përmendet edhe fakti se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka asnjë kompetencë për të miratuar leje për betimin, ashtu siç Beleri e ka kërkuar në muajin shtator.

Arsyeja pse e gjitha rrotullohet rreth prokurorit të çështjes, është për faktin se i takon atij, si titullar i procedimit penal, për të vlerësuar nëse dhënia e lejes ka apo jo impakt në rezultatin dhe fshehtësinë e hetimit.

Gjykata shton se përsa kohë çështja gjendet në Gjykatën Antikorrupsion, kërkesa nuk mund të shqyrtohet nga trupë tjetër përtej gjykatës që ka gjykimin në themel.

Kjo gjykatë konfirmoi se nuk është caktuar ende seanca, ndërsa kërkesa e Belerit pritet të shqyrtohet nga gjyqtarja antikoprrupsion, Fjorela Davidhi.

Për Fredi Belerin janë dëgjuar disa dëshmitarë, midis tyre edhe Arsen Rama, i cili ka treguar se si u pagua për të siguruar vota në këmbim të 50 euro secila.

Gjykimi i Belerit

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe gjithë trupës gjykuese nga çështja e tij, më 7 nëntor.

Teksa, nga ana tjetër, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë që dëshmia e Arsen Ramës, një prej dëshmitarëve kyç në çështje, të bëhet me dyer të mbyllura.

Sipas vendimit të marrë, dëshmitë e tjera në këtë rast do të mbahen me dyer të hapura.

Por, Ramës, sipas prokurores Dorina Bejko, i është dëmtuar më parë makina e tij në Vlorë dhe me rastin e referuar në Polici, mendohet pikërisht se lidhet me dëshminë për çështjen Beleri.

Më 26 tetor, Gjykata Kushtetuese ka kaluar për gjykim çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Shqyrtimi do të bëhet në seancë plenare mbi bazë dokumentesh.

“Ju informojmë se në Gjykatën Kushtetuese në datën 28 shtator është paraqitur dhe regjistruar kërkesa e Dhionisios Alfred Beleri, me objekt: ‘Shfuqizimin si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i vendimit të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe i vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, njofton Gjykata.

Ndërkaq më parë, Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesat paraprake për shpalljen e akteve hetimore të pavlefshme – që do të sillte automatikisht pushimin e çështjes.

GJKKO vlerësoi se kjo kërkesë ishte e pabazuar në ligj, ndërsa pas këtij vendimi avokatët e Belerit kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese.

Gjithashtu, avokatët e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës kanë kërkuar që të merren në pyetje 13 dëshmitarë, ndërsa nga ana tjetër SPAK ka kërkuar 8 dëshmitarë. Seanca e radhës për Belerin dhe Pandeli Kokaveshin do të mbahet më 7 nëntor.

Kujtojmë se në seancën e kaluar GJKKO pranoi kërkesën për largimin nga trupa gjykuese të Etleva Dedës. Kjo e fundit do të zëvendësohet nga Flora Haradinaj.

Deda kishte kërkuar të hiqte dorë nga çështja, ndërsa ishte kërkuar edhe përjashtimi i saj nga avokatët e Belerit.

Gjykata e Durrësit shpalli më herët moskompetencë sa i takon shqyrtimit të kërkesës së Belerit për t’u lënë i lirë përkohësisht për të bërë betimin e tij si kryetar i Bashkisë Himarë.

Kështu, ia ka kaluar kërkesën Gjykatës së Lartë për interpretim. Do të jetë kjo e fundit që do të vendosë se cila gjykatë do të shqyrtojë kërkesën e Belerit.

Më 14 shtator, Gjykata e Posaçme vendosi kalimin e dosjes për gjykim ndërkohë që Beleri ka kërkuar gjashtë herë zëvendësimin e masës arrest me burg me një masë më të lehtë, por është refuzuar nga gjykata.

Fredi Beleri mbahet në arrest prej 12 majit të këtij viti pasi u arrestua për blerjen e votave të 8 qytetarëve kundrejt 40 mijë lekëve. Gjykatat kanë refuzuar disa kërkesa të tij për lirim ndërsa autoritetet greke kanë dënuar arrestimin.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e zhvilluar më 25 maj, ka certifikuar rezultatin, ku i dha mandatin edhe kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.

Avokatët e tij kërkuan masë më të lehtë sigurie, por GJKKO e ka hedhur poshtë.

GJKKO-së iu kërkua zëvendësimi i arrestit me burg me një masë tjetër në liri.

Kjo, për t’i mundësuar Fredi Belerit betimin si kryebashkiak i zgjedhur nga qytetarët e Himarës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës, ka filluar riorganizimin e saj në…