PDK-ja lëshon seancën në Mitrovicë, Ibrahimi akuzon Pecin për gjuhë fyese
Asamblistët e PDK-së e kanë lëshuar seancën e 13-të të rregullt të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, në shenjë proteste ndaj asaj që e kanë cilësuar si gjuhë fyese të kryetarit të komunës, Faton Peci.
Shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së, Shkëlqim Ibrahimi, ka thënë se vendimi erdhi pas deklarimeve publike të Pecit, të cilin e ka akuzuar për linçim dhe etiketime ndaj opozitës.
Ibrahimi ka theksuar se, në mandatin e kaluar, pavarësisht arrestimit të dy asamblistëve të opozitës, PDK-ja nuk kishte përdorur gjuhë fyese ndaj tyre.
“Ekzekutivit dhe kryetarit kurrë nuk ua kemi dhënë të drejtën të dalin publikisht për ta linçuar dikë, për ta etiketuar, për të përdorur gjuhë fyese apo për ta shfrytëzuar politikisht situatën e tyre”, ka thënë Ibrahimi.
Në anën tjetër, Peci i ka mohuar akuzat, duke thënë se nuk është në dijeni për etiketimet e përmendura nga Ibrahimi.



