Gjykatat kanë zgjidhur një numër të vogël të rasteve të krimit të organizuar

30 shtator 2021 | 17:21

“Drejtësia sot”, platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka organizuar të enjten konferencë për media, në të cilën janë paraqitur të gjeturat e analizës: “Trajtimi i rasteve të krimit të organizuar nga ana e prokurorisë dhe gjykatave për periudhën qershor 2019 – gusht 2021”.

“Drejtësia sot” përmes këtij hulumtimi ka analizuar bazën ligjore për ndjekjen e veprës penale të krimit të organizuar, pastaj të dhënat statistikore të gjykatave dhe prokurorive për luftimin e kësaj dukurie, e deri te sfidat e këtyre institucioneve për trajtimin e këtyre lëndëve.

Gjatë analizimit të tyre vëmendje e veçantë u është kushtuar efikasitetit të institucioneve të drejtësisë për zhvillimin e hetimeve dhe gjykimin e rasteve të krimit të organizuar, pastaj efektin e pandemisë Covid-19 në procedimin e rasteve të tilla penale e deri te mangësitë ligjore të aktakuzave dhe aktgjykimeve të gjykatave.

Nga analizimi i këtyre aktakuzave “Drejtësia sot” ka gjetur se gjatë periudhës qershor 2019 – gusht 2021, Prokuroria Speciale (PSRK) ka ngritur një numër të vogël të aktakuzave për krim të organizuar. Në gjykatë janë dorëzuar vetëm dhjetë aktakuza për këtë lloj të veprës penale.

“Drejtësia sot”, gjithashtu, ka vërejtur se numri më i madh i aktakuzave të ngritura nga PSRK-ja është ngritur për veprat penale që lidhen me narkotikë. Pra gjatë periudhës raportuese, PSRK-ja luftën e saj ndaj krimit të organizuar e ka fokusuar më shumë në lëndët narkotike dhe veprat penale që lidhen me këto lëndë.

“Drejtësia sot”, duke analizuar numrin e rasteve të trashëguara, të pranuara dhe ato në punë në gjykatat e Kosovës, ka vërejtur se gjykatat kanë arritur të zgjidhin një numër tejet të vogël të rasteve të krimit të organizuar.
Përgjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2019 (janar – qershor), sipas të dhënave zyrtare dhe ato të monitorimit të

“Drejtësia sot”, janë zgjidhur vetëm pesë lëndë, prej gjithsej 60 lëndëve të cilat kanë qenë në punë. “Po ashtu, gjykatat nuk kanë treguar efikasitet të kënaqshëm as përgjatë vitit 2020, për faktin se nga 59 lëndë të trashëguara dhe 6 të pranuara, kanë arritur të zgjidhin vetëm 5 raste të krimit të organizuar. Ndërsa sipas të dhënave zyrtare të pranuara, në vitin 2021 është përfunduar vetëm një lëndë në kuadër të Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kurse gjykatat e tjera që kanë në punë raste të tilla nuk kanë arritur të zgjidhin asnjë prej tyre”, thuhet në këtë analizë.

Më tej theksohet se gjatë monitorimit është vërejtur se të gjitha gjykatat, në veçanti Gjykata Themelore në Prishtinë, pavarësisht prej numrit më të madh të rasteve, nuk ka caktuar seanca në formë konsistente ndaj personave që janë duke u gjykuar për këto vepra penale në mënyrë që lëndët e tyre të përfundojnë brenda një kohe të arsyeshme.

Në bazë të të dhënave të monitorimit të “Drejtësia sot”, për periudhën raportuese qershor 2019- dhjetor 2020, nga 27 raste të krimit të organizuar që kanë qenë në punë janë mbajtur vetëm 80 seanca.

Ndërsa përgjatë vitit 2021 “Drejtësia sot” ka raportuar për gjithsej 79 seanca, prej të cilave 55 janë proceduar me rregull, ndërsa 24 seanca kanë dështuar të mbahen.

“Drejtësia sot” ka ngritur shqetësimin e saj për mosmbajtjen e seancave për rastet e krimit të organizuar, veçanërisht në disa raste për të cilat aktakuzat janë ngritur para pesë vjetëve apo më shumë.

Sipas vlerësimit të “Drejtësia sot”, ky veprim është tejet shqetësues pasi shpërfaq neglizhencën e kësaj gjykate në luftimin dhe sanksionimin e krimit të organizuar.

“‘Drejtësia sot’ përgjatë monitorimit sistematik të sistemit prokurorial dhe gjyqësor ka gjetur se Gjykata Themelore në Mitrovicë ka një mungesë pothuajse absolute të efikasitetit në zgjidhjen e rasteve të krimit të organizuar. Përkundër faktit se kjo gjykatë në këtë periudhë ka pasur në punë 16 lëndë të krimit të organizuar, ka përfunduar vetëm një të tillë. Në këtë gjykatë gjatë periudhës raportuese janë caktuar vetëm tetë seanca, prej të cilave dy janë mbajtur, tri janë anuluar paraprakisht dhe tri kanë dështuar”, theksohet në këtë analizë. Më tutje, bëhet me dije se është vërejtur se pandemia Covid-19 ka kufizuar në masë të ndjeshme punën e institucioneve të drejtësisë, në mesin e të cilave edhe të gjykatave.

Nga të gjeturat e kësaj analize, “Drejtësia” sot rekomandon që Prokuroria Speciale me rastin e ngritjes së aktakuzave për krim të organizuar, ato t’i hartojë në mënyrën profesionale; “Drejtësia sot” fton gjykatat themelore në Republikën e Kosovës që t’i caktojnë seancat gjyqësore për rastet e krimit të organizuar duke zbatuar udhëzimet dhe rekomandimet e KGJK-së për mbarëvajtjen e procedurave gjyqësore në kohë të pandemisë Covid-19; “Drejtësia sot” fton gjykatat themelore në Republikën e Kosovës, respektivisht gjyqtarët që gjykojnë rastet e krimit të organizuar, që të zbatojnë Udhëzuesin për Politika Ndëshkimore të nxjerra nga Gjykata Supreme e Kosovës, në mënyrë që të vlerësohen drejt të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese në matjen e dënimit për këto raste; dhe fton KPK-në dhe KGJK-në që në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë të organizojnë trajnime për ngritjen e kapaciteteve profesionale të prokurorëve dhe gjyqtarëve që trajtojnë rastet e krimit të organizuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit