GLPS-ja: Mosemërimi i sekretarit të Kuvendit dhe vendimi për rishpallje të konkursit, shkelje ligjore
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur shqetësim lidhur me, siç ka vlerësuar, paligjshmërinë e vendimit të datës 30 mars 2026 të marrë nga Kryesia e Kuvendit për rishpalljen e konkursit për pozitën e sekretarit të përgjithshëm të këtij institucioni.
GLPS-ja ka reaguar edhe më herët për këtë çështje, më 5 mars, duke i bërë me dije Kuvendit se procesi i rekrutimit është monitoruar në të gjitha fazat e tij dhe nuk janë evidentuar shkelje që do të cenonin ligjshmërinë apo meritokracinë e këtij procesi.
“Ky vendim në vetvete përcillet me një sërë shkeljesh ligjore duke filluar nga dështimi i Kryesisë për të përzgjedhur njërin nga kandidatët e ligjshëm për Sekretar të Përgjithshëm, anashkalimi me votë i një procesi të ligjshëm edhe pse legjislacioni në fuqi nuk e jep këtë lloj autorizimi që Kryesia mund të vendos që asnjëri kandidat mos të emërohet, dhe rishpallja e konkursit pa u përfunduar procedura e cila është e ligjshme. Anulimi i këtij procesi mbi bazën e vetme të mungesës së votave dhe pa u plotësuar dhe verifikuar asnjë shkelje ligjore që qon në paligjshmëri të këtij procesi përbën një precedent të rrezikshëm që minon drejtpërdrejt parimet themelore të shërbimit civil siç janë: meritokracia, profesionalizmi, depolitizimi dhe mosdiskriminimi. Për më tepër, një veprim i tillë cenon të drejtat dhe pritshmëritë e ligjshme të kandidatëve fitues të këtij procesi dhe dekurajon kandidatët që të konkurrojnë për këtë pozitë në të ardhmen”, është thënë në reagimin e GLPS-së.
GLPS-ja ka theksuar se në këtë rast, roli i Kryesisë së Kuvendit është në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejt të përcaktuar sipas legjislacionit për zyrtarët publikë dhe “kurrsesi si trup politike e cila ka diskrecion politik që me votë mund të shmang një proces të ligjshëm të rekrutimit”.
“Mbi bazën e këtij precedenti të paligjshëm mund të vijmë në situata të përsëritura në të ardhmen që shumë procedura të rekrutimit të dështohen qëllimisht nga Kryesia mbi bazën e ‘mungesës së votave’”, është thënë në reagimin e GLPS-së.
GLPS-ja i ka bërë thirrje Kryesisë së Kuvendit që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të veprojë në përputhje me ligjin, “duke përmbyllur procesin përmes emërimit të njërit nga kandidatët fitues”.
“Çdo veprim tjetër përveç këtij, jo vetëm që është i paligjshëm, por përbën edhe cenim të rendit juridik dhe të rregullave dhe parimeve të pranimit në shërbimin civil”, është thënë në reagimin e GLPS-së.



