GLPS-ja paralajmëron rrezik për humbje financiare nga Plani i Rritjes, përmenden 90.6 milionë euro të rrezikuara

30 qershor 2026 | 12:17

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur të martën një konferencë për media lidhur me zbatimin e Agjendës së Reformave të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe pasojat serioze që vonesat në reforma dhe financim po shkaktojnë për Kosovën.

“Kjo datë po ashtu shënon përfundimin e semestrit të katërt të Planit dhe fillimin e humbjeve financiare për Kosovën nga ky instrument. Që nga sot nuk ka më thjesht vonesa në ekzekutim të fondeve, por rrezikohen humbje të parikuperueshme financiare. Në diskutim janë 90.6 milionë euro të dedikuara për semestrin e dytë me afat përfundimi me 30 qershor 2025. Pas kësaj date u aktivizua grejs periudha një vjeçare, kohë gjatë së cilës qeveria dhe kuvendi kishin kohë shtesë për të zbatuar 13 hapat reformues të planifikuar për këtë semester, pa humbje financiare. Megjithatë, me përmbylljen e kësaj periudhe, pasojat financiare janë të konsiderueshme dhe të pakthyeshme, dhe shumë shpejtë do ketë një qartësi se sa nga këto mjete janë humbur përfundimisht”, është thënë në komunikatën e GLPS-së.

Sipas kësaj komunikate, ky proces nuk përbën çështje teknike apo administrative, por çështje të drejtpërdrejtë të interesit publik. “Çdo euro e humbur nënkupton zvogëlim të investimeve në ekonomi, dobësim të mbështetjes për reforma, kufizim të mundësive zhvillimore dhe cenim të besueshmërisë së Kosovës në procesin e Integrimit Evropian. Duke konsideruar rrethanat e atëhershme si pasojë e krizës politike,

GLPS kishte paralajmëruar këtë skenar që me 2 maj 2025, duke bërë thirrje për ratifikimin e menjëhershëm të marrëveshjeve dhe zbatimin e plotë e të koordinuar të Agjendës së Reformave. Në atë kohë, është ngritur shqetësimi se mungesa e veprimit institucional në kohë do të rezultonte në humbje financiare dhe në dobësim të kapaciteteve reformuese të shtetit. Pavarësisht këtyre paralajmërimeve, institucionet kompetente në atë periudhë kanë mohuar mundësinë e humbjeve financiare, por zhvillimet kanë dëshmuar të kundërtën duke konfirmuar rreziqet e identifikuara”, thuhet në komunikatë.

Sipas GLPS-së, Plani i Rritjes, në mënyrë indirekte, është ndikuar ndjeshëm nga mungesa e konsensusit politik në vend për ndërtimin e institucioneve stabile dhe funksionale në afat të gjatë, duke krijuar kështu hapësirë për kriza të njëpasnjëshme politike dhe institucionale.

“Në mungesë të një Ekzekutivi dhe Kuvendi plotësisht funksional dhe të koordinuar, një numër i konsiderueshëm i reformave të domosdoshme nuk është zbatuar. Pas publikimit të raporteve zyrtare të zbatimit nga Qeveria e Kosovës dhe BE, do të mundësohet një pasqyrë e qartë dhe e bazuar mbi: nivelin e fondeve të zhbllokuara deri më sot, vlerësimin e fondeve të rrezikuara për humbje pas përfundimit të afateve, listën e reformave të papërmbushura, si dhe planin institucional për minimizimin e humbjeve të mëtejshme”, thuhet tutje në komunikatë.

Duke konsideruar gjendjen aktuale, GLPS rithekson rekomandimet e saj për përmirësimin dhe përshpejtimin e zbatimit të Agjendës së Reformave, përmes themelimit të një task-force të dedikuar për koordinimin dhe zbatimin e reformave të planifikuara në kuadër të Agjendës së Reformave; Prioritizimit të qartë dhe të strukturuar të masave të Agjendës së Reformave; Të përpilohet lista e ligjeve me prioritet dhe të trajtohen me prioritet, pa i humbur aspektin kualitativ si dhe konsultimet e rregullta.

GPLS-ja ka theksuar se formimi i institucioneve dhe koordinimi i qëndrueshëm institucional mbeten kushti kryesor për të siguruar përfitim substancial të fondeve të parapara në kuadër të Planit të Rritjes. Në këtë kuptim, GLPS-ja thekson se stabiliteti institucional dhe ritmi i vendimmarrjes do të jenë faktorë përcaktues në shmangien e humbjeve të mëtejshme financiare.

“Çdo vonesë shtesë në formimin dhe funksionalizimin e institucioneve mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në përfitimet financiare të vendit dhe në avancimin e reformave që ndikojnë në funksionimin e institucioneve dhe në jetën e përditshme të qytetarëve”, është thënë në komunikatën e GPLS-së.

GLPS-ja u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që këtë çështje ta trajtojnë me seriozitetin e plotë që kërkon rëndësia e saj strategjike dhe financiare. “Përgjegjësia publike nuk matet me deklarime, por me aftësinë për të mbrojtur interesin zhvillimor dhe financiar të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është thënë në komunikatën për media të GPLS-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i FC Drenicës, Thomas Wüstefeld,dhe zëvendëspresidenti i klubit, Faton…