
Gnabry: Londra është ende e kuqe
Ylli i Bayern Munichut, Serge Gnabry, mbeti i kënaqur me paraqitjen mbresëlënëse të gjermanëve kundër Chelseat në Stamford Bridge. Pas ndeshjes, ish-anësori i Arsenalit deklaroi se “Londra është ende e kuqe”.
Anësori 24-vjeçar shkëlqeu në përballjen e së martës në Ligën e Kampionëve kundër Chelseat, duke i shënuar dy gola në pjesën e dytë të ndeshjen për t’ia dhënë fitoren me rezultat 3:0 Bayernit.
Goli i tij i parë erdhi në minutën e 51-të, kur e shfrytëzoi një harkim të Robert Lewandowskit, për t’ia dhënë mysafirëve epërsinë në Stamford Bridge.
Gnabry e shënoi edhe një gol tjetër vetëm tre minuta më vonë, duke e shfrytëzuar një tjetër pasim nga ylli polak.
Lewandowski e shtoi edhe një gol të vetin më vonë gjatë pjesës së dytë, pas një vrapimi dhe pasimi mbresëlënës nga Alphonso Davies.
Pas triumfit të të Bayernit, Gnabry e shfrytëzoi llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social Twitter, për të deklaruar se “Londra është ende e kuqe!” për ta festuar fitoren.
Gnabry kishte luajtur për pesë vjet, 2011-2016, në Londër pasi iu bashkua akademisë së Arsenalit nga Stuttgarti në moshën 16-vjeçare, ndërsa debutoi për ekipin e parë të Topçinjve në tetor të vitit 2012.