Gorani: Nuk ka interesim që zgjedhjet të mbahen tani

07 maj 15:10

Deputeti Dukagjin Gorani ka bërë me dije se subjekti i ri politik i Grupit të Deputetëve të Pavarur (GDP) do të përpiqet ta arsyetojë plotësisht cilësimin ideologjik socialdemokrat.

Ai ka sqaruar se kjo nënkupton interpretimin e qytetarit dhe të shoqërisë kryesisht nga përkatësia socio-ekonomike, e jo vetëm nga këndi identitar, historik dhe etno-kulturor.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Gorani ka deklaruar se në këtë mënyrë po formojnë një parti të së ardhmes, e cila do të jetë e gatshme të ballafaqohet me sfidat e reja. “Para së gjithash, do të jetë përqendrimi në qytetarin si kategori sociale dhe ekonomike. Subjekti i ri do të përpiqet që mbase për herë të parë ta arsyetojë plotëshit cilësimin ideologjik socialdemokrat e që, mes të tjerash, nënkupton edhe interpretimin e qytetarit dhe të shoqërisë kryesisht nga përkatësia socio-ekonomike, e jo vetëm nga këndi identitar, historik dhe etno-kulturor”, ka thënë Gorani.

Ai ka vlerësuar se dekadat e mobilizimit popullor karshi kërcënimeve etnike e territoriale janë para përfundimit.

“Kosova, shqiptarët dhe të gjitha komunitetet e saj duhet të përgatiten për një shoqëri të zhvilluar ekonomikisht, të pangarkuar kulturalisht dhe të integruar strukturalisht. Është ky nivel i ri në historinë e zhvillimit tonë që do të fillojë relativisht shpejt: me liberalizim të vizave dhe ulëse në OKB. Sfidat para nesh do të jenë të rënda, por edhe të ndryshme: prej Republikës së Kosovës do të pritet më shumë ekspertizë zhvillimore, më shumë përqendrim në drejtësi, integrim të shoqërisë, arsim e shëndetësi, e shumë më pak në histori politike apo në interpretime të trashëgimisë së konflikteve rajonale”, është shprehur ai.

Në këtë intervistë Gorani ka folur edhe për situatën aktuale politike në vend. Sipas tij, asnjë subjekt politik nuk është i interesuar që zgjedhjet e reja të mbahen tani. “Pavarësisht prej tensioneve që u ngrehën gjatë ditëve të kaluara, mungesa e vullnetit për zgjedhje të shpejta e të parakohshme u kuptua në tryezën e fundit të partive politike, të organizuar nga LDK-ja. Grupi i Deputetëve të Pavarur nuk e përkrah idenë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme gjatë këtij viti. Arsyeja për këtë është se ato nuk do të sjellin ndryshim përmbajtjesor të qeverisjes, por vetëm ndërrim të Qeverisë me aktorë të ngjashëm në pushtet, mbase të njëjtë”, ka thënë Gorani.

“Epoka e re”: Z. Gorani, para disa ditësh keni prezantuar deklaratën e parimeve mbi bazën e së cilës do ta vazhdojë rrugëtimin politik Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP). Cilat janë synimet e këtij subjekti politik?
Gorani: Para së gjithash, do të jetë përqendrimi në qytetarin si kategori sociale dhe ekonomike. Subjekti i ri do të përpiqet që mbase për herë të parë ta arsyetojë plotësisht cilësimin ideologjik socialdemokrat e që, mes tjerash, nënkupton edhe interpretimin e qytetarit dhe të shoqërisë kryesisht nga përkatësia socio-ekonomike, e jo vetëm nga këndi identitar, historik dhe etno-kulturor. Dekadat e mobilizimit popullor karshi kërcënimeve etnike e territoriale janë para përfundimit. Kosova, shqiptarët dhe të gjitha komunitetet e saj duhet të përgatiten për një shoqëri të zhvilluar ekonomikisht, të pangarkuar kulturalisht dhe të integruar strukturalisht. Është ky nivel i ri në historinë e zhvillimit tonë që do të fillojë relativisht shpejt: me liberalizim të vizave dhe ulëse në OKB. Sfidat para nesh do të jenë të rënda, por edhe të ndryshme: prej Republikës së Kosovës do të pritet më shumë ekspertizë zhvillimore, më shumë përqendrim në drejtësi, integrim të shoqërisë, arsim e shëndetësi, e shumë më pak në histori politike apo në interpretime të trashëgimisë së konflikteve rajonale.

“Epoka e re”: Çfarë do ta dallojë këtë parti prej subjekteve të tjera ekzistuese?
Gorani: Pikërisht kjo që thashë. Përqendrimi në ekspertizë zhvillimore të përfaqësuesve, ekspertëve dhe të anëtarësisë së saj, me gjithë botëvështrimin progresiv karshi realitetit divers etnik dhe kulturor të shoqërisë. Mbase ky formulim nuk tingëllon gjë e re, porse zbatimi real dhe praktik i tij gjithsesi do të nënkuptonte risi të madhe për vendin.

“Epoka e re”: Cila do të jetë strategjia publike e angazhimit tuaj politik dhe kush do ta udhëheqë këtë parti?
Gorani: Partia e re, Socialdemokrate, do të përpiqet t’i shpërfaqë dhe t’i plasojë aftësitë profesionale të anëtarëve të saj, në të mirë të zhvillimit të vendit. Në Deklaratën e Parimeve themeluese që e publikuam ditë më herët i shpjeguam vlerat e përbashkëta, zbatimin e të cilave e synojmë për shoqërinë tonë. Më 9 maj, të mërkurën, do të mbahet edhe Konventa Zgjedhore e subjektit. Aty do të qartësohen çështjet strukturore dhe organizative. Aty do të votohen kandidatët e propozuar.

“Epoka e re”: Ajo që di opinioni për strukturën e këtij subjekti politik janë 12 deputetë që keni në Kuvend. Deri më tani keni identifikuar individë të caktuar për ta shtrirë këtë parti nëpër tërë Kosovën?
Gorani: Veç 12 deputetëve në Kuvend, janë edhe një numër i konsiderueshëm i aktivistëve dhe bashkëpunëtorëve të angazhuar rreth subjektit të ri,  nga pothuajse të gjitha qendrat kryesore të Kosovës. Mirëpo, para së gjithash, duhet të konstituohet bërthama funksionale e subjektit që pritet të bëhet të mërkurën. Vetëm pas kësaj do të mund të angazhohemi formalisht në strukturimin e tij, përmbajtjesor e hapësinor.

“Epoka e re”: Qeveria aktuale nuk e ka shumicën në Kuvend, kurse opozita ka paralajmëruar zgjedhje të reja. Sa do të jeni të gatshëm për zgjedhje dhe cilat janë pritjet tuaja nëse zgjedhjet e parakohshme mbahen së shpejti?
Gorani: Është situatë paradoksale kjo në Kuvend, ku opozita e kontrollon shumicën. Po ashtu, mbetet i paqartë roli i Listës Serbe në koalicionin qeveritar: ata sillen si opozitë, porse mbajnë funksione  qeveritare. Diçka e tillë është përbuzje e sistemit shtetëror, por edhe arrogancë publike e këtyre përfaqësuesve të komunitetit serb.  Sa për zgjedhje, me gjasë askush nuk është i interesuar që ato të mbahen tani. Më shumë ka interesim për datë të mbajtjes së tyre. Pavarësisht prej tensioneve që u ngritën gjatë ditëve të kaluara, mungesa e vullnetit për zgjedhje të shpejta e të parakohshme u kuptua në tryezën e fundit të partive politike, të organizuar nga LDK-ja. Grupi i Deputetëve të Pavarur nuk e përkrah idenë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme gjatë këtij viti. Arsye për këtë është se ato nuk do të sjellin ndryshim përmbajtjesor të qeverisjes, por vetëm ndërrim të Qeverisë me aktorë të ngjashëm në pushtet, mbase të njëjtë.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, ka…