Grabitën çantën me 8 000 euro në Deçan, policia arreston tre të dyshuar

24 janar 2019 | 13:05

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për grabitje me armë në parkingun e një qendre tregtare në Deçan.

Siç ka njoftuar policia, të arrestuarit dyshohet se kanë grabitur një çantë me 8 mijë euro.

“Policia e Kosovës me të marrë informatën ka shkuar në vendngjarje, ku ka takuar viktimat e rastit, sipas tyre derisa ishin duke dërguar pazarin ditor në bankë, nga një veturë e tipit ‘Pasat’ me targa vendore ka dalë i dyshuari me armë në dorë dhe nën kanosje ka grabitur çantën në të cilën gjendeshin të holla rreth 8 000 euro (tetë mijë euro), duke u larguar në drejtim të panjohur”, ka njoftuar policia.

Po ashtu policia, ka njoftuar se edhe dy persona të dyshuar për këtë rast gjenden në arrati.

Personat e dyshuar të arrestuar në këtë rast janë: B. K. i lindur 1992, F. B. i lindur 1992, dhe G. S. i lindur 1995.

Gjatë bastisjes tek i dyshuari i parë janë sekuestruar si prova materiale një armë e tipit “Zoraki M 906-B” dhe vetura e tipit “Pasat” me targa vendore e cila dyshohet se ka qenë e involvuar në rast. Me vendim të prokurorit të shtetit ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka përkujtuar Ismail…