Grenell: Posti në krye të zbulimit kombëtar është i përkohshëm

20 shkurt 23:22

Ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell që është përzgjedhur nga Presidenti Donald Trump si Drejtori në Detyrë i Zbulimit Kombëtar, thotë sa nuk do të jetë për një kohë të gjatë në atë post.

Në një mesazh në Twitter, Ambasadori Grenell konfirmoi se po e merr postin përkohësisht dhe se “Presidenti do të njoftojë të emëruarin (jo mua) së shpejti”.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë pa një drejtor të përhershëm të zbulimit kombëtar që nga gushti 2019, kur Dan Coats dha dorëheqjen zyrtarisht, pas një sërë përplasjesh publike me Presidentin Donald Trump.

Por deri tani nuk ka pasur ndonjë koment nga Shtëpia e Bardhë lidhur me kohën kur do të shpallet një kandidaturë për drejtorin e përhershëm.

Grenell pritet të marrë detyrën si drejtor i përkohshëm, duke zëvendësuar drejtorin aktual në detyrë, Joseph Maguire, i cili në bazë të ligjit nuk mund të vazhdojë ta ushtrojë detyrën pas 12 marsit.

Presidenti Trump njoftoi për synimin e tij për të caktuar zotin Grenell të mërkurën në mbrëmje me një mesazh në Twitter.

Në një deklaratë të enjten, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham lavdëroi zotin Grenell dhe vlerësoi përgatitjen e tij për rolin.

“Ai ka shumë vite përvojë pune në Komunitetin e Zbulimit në një numër pozicionesh, përfshirë si i Dërguar i Posaçëm për Negociatat Serbi-Kosovë dhe si zëdhënës i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara. Ai është i përkushtuar të mbajë një qëndrim jopolitik, jopartiak si kreu i Komunitetit të Zbulimit, nga i cili varet siguria jonë”, tha zonja Grisham.

Një zyrtar i administratës konfirmoi gjithashtu për Zërin e Amerikës se zoti Grenell do të mbajë postin e ambasadorit në Gjermani dhe do të vazhdojë të shërbejë si i dërguar i posaçëm për negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës, ndërsa drejton zbulimin kombëtar.

Ambasadori Grenell, që njihet si mbështetës besnik i Presidentit Trump, shkaktoi debate në Gjermani kur mori postin, kur tha se donte “të fuqizonte konservatorë të tjerë në gjithë Evropën, udhëheqës të tjerë”.

Pas këtyre komenteve, Ministria e Jashtme e Gjermanisë, kërkoi sqarime.

Grenell ka folur sidomos hapur në lidhje me ato që ai i quan rreziqe që paraqet biznesi me gjigantin kinez të telekomunikimit Huawei. Ai i ka bërë thirrje Gjermanisë të mos bëhet kliente e Huawei-t për shkak të dyshimeve se kompania instalon në produktet e saj pajisje përgjimi me kërkesë të Pekinit.

Disa ish-zyrtarë të zbulimit dhe disa ligjvënës me peshë thonë se zoti Grenell nuk ka përvojë të mjaftueshme në zbulim dhe përmendin refuzimin e presidentit për të emëruar një drejtor të përhershëm.

“Presidenti po ia ul rëndësinë postit, duke refuzuar të caktojë një kandidat që duhet të konfirmohet (nga Senati)”, tha James Clapper, ish-drejtor i zbulimit kombëtar gjatë administratës së Presidentit, Barack Obama.

“Nuk është gjë e mirë për vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë. Mesazhi i përgjithshëm që përçohet është që presidenti thjesht do një besnik të tij, të ulet në karrige thjesht për formë”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Edhe nënkryetari i Komisionit të Senatit për Zbulimin, demokrati Mark Warner, e kritikoi përzgjedhjen e ambasadorit Grenell në Twitter.

“Duket se Presidenti ka zgjedhur një individ pa përvojë në zbulim në krye të komunitetit të zbulimit kombëtar, si drejtor në detyrë”, shkruante senatori Warner, duke e akuzuar më tej zotin Trump se po angazhohet në “një përpjekje për të anashkaluar autoritetin kushtetues të senatit për këshilluar dhe konfirmuar për poste kaq kritike”.

Fillimisht, pas dorëheqjes së ish-drejtorit Dan Coats pothuajse tetë muaj më parë, zoti Trump njoftoi se do të emëronte kongresmenin republikan John Ratcliffe për postin, por ai e tërhoqi emrin e vet nga shqyrtimi, pasi dolën pikëpyetje lidhur me kredencialet dhe përvojën e tij.

Kështu presidenti Trump caktoi ish-pjesëtarin e njësisë elitë Navy Seal, Joseph Maguire, që kishte shërbyer si drejtor i Qendrës për Kundër terrorizmit Kombëtar.

Ligjvënës dhe ish-zyrtarë të zbulimit e vlerësuan zotin Maguire për angazhimin e tij për të shmangur politikën.

“Mendoj se Joseph Maguire bëri aq sa mundi në rrethana të vështira për të mos lejuar korruptimin e misionit të komunitetit të zbulimit”, tha Paul Pillar, një ish-zyrtar i lartë i CIA-s, aktualisht në Universitetin Georgetown.

Por ai shpreh shqetësim lidhur me caktimin e ambasadorit Grenell.

“Grenell jo vetëm që nuk ka përvojë në zbulim, çka është një minus por është partiak. Vendosja e tij si drejtor në detyrë i Zbulimit Kombëtar, është një tregues i politizimit të komunitetit të zbulimit më shumë se kurrë më parë, nën presidencën e zotit Trump”, tha ai.

Presidenti Trump ka pasur një marrëdhënie të acaruar me komunitetin e zbulimit, pasi ky i fundit arriti në përfundimin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitin 2016.

Në disa raste, ai është përplasur hapur me shefat e agjencive të zbulimit. Në një rast në Twitter, ai i sulmoi ashpër duke i quajtur “jashtëzakonisht pasivë dhe naivë”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i LV-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Shpejtim…