Grenelli: Kemi bërë përparim të mirë në bisedimet për hekurudhat

27 janar 2020 | 18:30

I dërguari i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka thënë se bisedimet për rivendosjen e linjës hekurudhore midis Prishtinës dhe Beogradit kanë shkuar mirë dhe i falënderoi ekspertët e të dyja palëve që morën pjesë në takim.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan të hënën në Berlin, nën ndërmjetësimin e Grenellit.

“Kemi bërë përparim të mirë këtë mëngjes, duke lëshuar një Letër Synimi për bashkëpunimin hekurudhor. Diskutimet kanë shkuar aq mirë saqë kemi biseduar edhe për çështje të tjera. Do të punojmë për të përfunduar Letrën e Synimit për hekurudhat, përmes postës elektronike, gjatë javës së ardhshme ose më vonë. Dua t’i falënderoj përsëri ekspertët nga Serbia dhe Kosova, që kanë udhëtuar sot në Berlin për këto bisedime”, ka thënë Grenell në një deklaratë për “Radion Evropa e Lirë”.

Grenell, i cili është ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani, nuk dha më shumë detaje se për cilat tema të tjera u diskutua.

Të premten e kaluar, Grenell dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmuan arritjen e marrëveshjes për rikthimin e trafikut hekurudhor midis Kosovës dhe Serbisë.

Bazuar në vendimin e ministrit në largim të Infrastrukturës në Kosovë, Pal Lekaj, pala kosovare në Berlin u përfaqësua nga Xhemë Veseli, drejtor i Departamentit dhe Infrastrukturës tokësore, dhe Ramë Çupeva, drejtor i infrastrukturës rrugore.

Palën serbe, ndërkaq, e udhëhoqi Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Marrëveshja për trafikun hekurudhor erdhi në javën e njëjtë kur dy palët, po ashtu nën ndërmjetësimin e Grenellit, ranë dakord për vendosjen e një linje të drejtpërdrejtë ajrore midis Prishtinës dhe Beogradit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Christian Eriksen i ka përfunduar testet mjekësor në qendrën CONI…