Grenelli: Roli i bizneseve, i rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve Kosovë – Serbi

23 janar 2020 | 18:15

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka zhvilluar të enjten një takim me përfaqësuesit e biznesit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Gjatë këtij takimi është thënë se zgjidhja e çështjeve të hapura politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndihmonte të dyja shtetet në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës, ku komunitetet e biznesit duhet të luajnë rolin e tyre në përmbylljen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet të dyja vendeve.

Me këtë rast, ambasadori Grenell, ka thënë se administrata e presidentit Trump është shumë e fokusuar në krijimin e vendeve të punës nga bizneset amerikane, duke cekur që komuniteti i biznesit është pjesa më e rëndësishme e zgjidhjes së problemit Serbi-Kosovë.

Ai ka thënë se presidenti Trump e ka inkurajuar atë që të përpiqet ta bartë energjinë e administratës së tij në dialogun Serbi-Kosovë, pasi sipas tij afaristët do të jenë ata të cilët do të krijojnë ngazëllim, mundësi për vende të reja të punës, dhe rrjedhimisht do t’u japin të rinjve arsye për të qëndruar në Kosovë.

Grenelli ka theksuar se është roli i bizneseve të zgjidhin problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se politikanët duhet të lëshojnë rrugë në këtë aspekt, duke shtuar se ideja e tij e fluturimeve komerciale Kosovë-Serbi ka buruar nga një takim i ngjashëm me biznese.

Më tutje, ai ka falënderuar Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë për të kuptuarit që nga fillimi të rëndësisë së krijimit të vendeve të reja të punës. Ambasadori Grenell ka inkurajuar të gjitha palët të shikojnë kah e ardhmja në vend të së kaluarës, duke shtuar që komunitetet e biznesit në Kosovë dhe në Serbi po krijojnë një të ardhme më të mirë për popujt në të dyja shtetet.

Ndërsa liderët afaristë të Odës Amerikane kanë theksuar rëndësinë e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të hapte perspektivat e zhvillimit ekonomik.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka…