Greta Thunberg e meriton çmimin Nobel

11 qershor 2025 | 11:38

Shkruan: Astrit Gashi

Në një epokë ku bota është shpesh e zhurmshme por e shurdhër, ku teknologjia na lidh por drejtësia na mungon, dhe ku luftërat s’bëjnë më aq zhurmë sa heshtja jonë kolektive përballë shkatërrimit të jetës Greta Thunberg del si një ndërgjegje e kthjellët që nuk mund të injorohet. Ajo ka fituar zemrat e të gjithëve.
Në një botë që rreket ta shtypë të vërtetën nën peshën e interesave, ajo ngrihet si një figurë që na kujton se paqja nuk është një luks politik, por një nevojë morale. Greta e meriton Çmimin Nobel për Paqe jo vetëm sepse e ka fituar luftën e fjalës, por sepse e mishëron paqen si qëndresë të pastër përballë padrejtësisë kudo në botë.
Bota shpesh i mban sytë nga vendet e mëdha, por ironia është se një vajzë nga një bankinë shkollore në Stokholm i ktheu globit reflektorin mbrapsht. Greta nuk vjen nga pallatet e fuqisë, por nga thellësia e ndërgjegjes. Ajo nuk flet me gjuhën e protokolleve, por me gjuhën e fakteve, të frikës njerëzore dhe të shpresës për ndryshim. Me një pankartë në dorë, ajo e sfidoi të gjithë jo për pushtet, por për jetë. Dhe kjo është përkufizimi i pastër i paqes kur guximi i një individi sfidon pasivitetin e një bote.
Thirrja e saj për klimën është më shumë se një apel ambiental është një thirrje etike, një refuzim për të pranuar që brezat e ardhshëm të trashëgojnë një planet të shkatërruar nga etja jonë për rehati dhe fitim. Ajo na kujton se klima është çështje e drejtësisë, e barazisë, e jetës. Dhe aty ku krizat klimatike përplasen me padrejtësitë sociale, lind dhuna më e heshtur dhe më e thellë ajo e shkatërrimit të të pafajshmëve nga mungesa e veprimit.
Por Greta nuk ndalet në klimë. Ajo e kupton që ndërgjegjja nuk ka kufij tematikë. Së fundmi, u ndalua në Bruksel e më pas u deportua nga Izraeli teksa protestonte për bllokadën çnjerëzore ndaj ndihmave humanitare për Gazën. Në një botë që i mat viktimat me kalkulime gjeopolitike, ajo u rreshtua me fëmijët që nuk kanë zë, me trupat që nuk gjejnë strehë, me nënat që ushqejnë me lotin e tyre. Ky ishte një akt i thjeshtë, por filozofikisht rrënjësor një pohim se paqja nuk është kurrë neutrale ndaj padrejtësisë.
Greta është mishërimi i atij individi sokratik që sfidon “urtësinë” e të mëdhenjve duke bërë pyetjen më të thjeshtë: “Pse nuk po veproni?” Në këtë pyetje të thjeshtë qëndron gjithë fuqia e saj sepse ajo nuk mund të jep zgjidhje magjike, por vë përballë pasqyrës një sistem që preferon të shpërfillë moralin në emër të stabilitetit.
Çmimi Nobel për Paqe, në thelbin e tij, është një akt i njohjes për ata që kanë folur kur të tjerët kanë heshtur. Ai nuk është një dekoratë, por një akt vetë reflektimi global. Greta e meriton këtë çmim sepse ajo është kthyer në vetë kriterin me të cilin duhet të matet paqja sot, guxim pa kompromis, ndërgjegje pa kufij dhe veprim pa frikë.
Si shqiptar, ndjej krenari që Suedia vendi që përfaqëson modelin e neutralitetit etik dhe të shoqërisë progresive ka në zemër të vet Greta Thunbergun. Ajo është pasqyra më e qartë e Suedisë së vërtetë e guximit moral, e përgjegjësisë ndaj botës dhe e nderit njerëzor. Dhe si qytetar i kësaj bote, e shoh tek Greta shpresën që filozofët e mëdhenj dikur e kërkonin në utopitë e së ardhmes.
Akademia e Nobelit nuk ka pse kërkon më tej për një nobeliste të denjë. Ajo ndodhet aty, në Stokholm vetëm disa hapa larg tyre. Dhe gjithë bota tashmë e di. Nobelistja është këtu. Para syve tuaj. Ju mbetet vetëm ta shihni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kim Kardashian, themeluesja e markës SKIMS dhe një nga emrat…