Grezda: Gerrardi legjendë, e shoh si pasardhësin e Kloppit te Liverpoli

17 mars 2022 | 16:30

Eros Grezda ka arritur shifrën e 100 ndeshjeve në kampionatin kroat. Mesfushori me tipare sulmuese ka luajtur 59 ndeshje me Lokomotivën e Zagrebit, 37 me Osijekun dhe katër me Shibenikun, në të cilën luan tash.

Në këto katër paraqitje ai ka arritur që të shënojë një gol dhe të japë edhe një asistim. Vetë Grezda ka folur për mediet kroate pas paraqitjes së shkëlqyer në javën e fundit.

“Ndihem i kënaqur që gjeta golin kaq shpejt. Sinqerisht nuk e dija që luaja ndeshjen e 100 në kampionatin kroat. E kam zbuluar në TV, kur isha duke vozitur me makinë”, shprehet fillimisht Grezda.

“Çfarë të them, nëse dikush do të më sugjeronte para ndeshjes nëse dua të marr një fanellë me numër 100 apo të shënoj një gol, do të zgjidhja këtë të fundit. Dhe fanella gjithmonë mund të merret më vonë”, ka shtuar përforcimi i madh dimëror i Shibenikut. Grezda ka luajtur edhe për gjigantët e Rangersit.

“Ishte e mrekullueshme për mua te Rangersi, një klub i madh, tifozë, traditë. Po, për fat të keq, nuk luajta derbin e famshëm për shkak të dëmtimeve. Gerrard? Legjendë, trajneri më i mirë me të cilin kam punuar ndonjëherë. Ai jeton për futbollin, i dorëzohet plotësisht atij. E shoh me siguri si trajnerin e ardhshëm të Liverpoolit. Shpresoj si pasardhës të Jurgen Kloppit”, ka shtuar Grezda.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në takimin mes Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti…