
Gruaja shqiptare në dritën e historisë dhe vlerësimi i të huajve për të
24 qershor 2025
| 13:41
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
Jeta e kombeve shpesh e ngjashme me rrjedhën e burimeve të natyrës, në të cilat gratë luajnë një rol të pashembullt, me dinjitet të lartë e pa ecur askund tjetër. Ato janë burime të pafundme: burim lindjeje, risie dhe qëndrese. Në këtë panoramë të madhe, nëna shqiptare është një përfaqësuese e patjetërsueshme e këtyre burimeve të çmuara. E dukshme e brishtë dhe e mbushur me finesë në pamje të parë, ajo kthehet në një heroinë të vërtetë kur zëri i atdheut e thërret. Në kohë të vështira, ajo është e fortë, guximtare dhe gjithmonë e patundur në stuhi, e ruan trashëgiminë e të parëve me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Ky përkushtim dhe qëndresë e bën nënën shqiptare një simbol të nderuar dhe të respektuar, një grua qëndrestare që ka lënë gjurmë të thella në historinë tonë.
Çështja e gruas shqiptare, në çdo formë që e ndjek, vazhdon të mbetet një temë e rëndësishme dhe e diskutueshme për çdo epokë dhe shoqëri. Analizimi i angazhimit dhe përfshirjes së saj në jetën politike dhe vendimmarrëse të Kosovës, përveç se ndihmon në reflektimin e realitetit tonë, na ofron një pasqyrë të qartë të respektit të madh që ajo ka marrë nga të huajt. Puna dhe veprimtaria e gruas shqiptare përbëjnë një histori të gjatë, të bujshme dhe të mbushur me sfida. Roli dhe kontributi i saj në periudha të ndryshme historike janë dokumentuar në mënyrë të hollësishme dhe janë të pasura me mësime dhe shembuj të jashtëzakonshëm.
Është një e vërtetë e pakundërshtueshme se gruaja shqiptare ka zënë një vend të rëndësishëm në historinë kombëtare të popullit tonë, duke filluar nga periudha ilire dhe duke vazhduar përmes shekujve. Jo vetëm autorët shqiptarë, por edhe shumë shkrimtarë të huaj kanë shkruar për të, duke e përshkruar si një nga gratë më të guximshme dhe më besnike në Ballkan. Disa prej këtyre udhëtarëve dhe studiuesve e quanin atë si “femrat më të bukura të Turqisë Perëndimore”, duke vlerësuar jo vetëm bukurinë e saj fizike, por edhe fuqinë dhe karakterin e saj të jashtëzakonshëm.
Sipas burimeve historike, qëndresa dhe sakrifica e gruas shqiptare janë dëshmi të një vazhdimësie të pandërprerë të rezistencës. Nëpër periudha të ndryshme, shumica e grave shqiptare, që kanë qëndruar dhe vepruar në kushte të ashpra dhe ngufatëse, janë shndërruar në heroina të shquara, duke tejkaluar kufijtë e përkatësisë gjinore dhe të asaj kombëtare.
Në çdo epokë, ajo ka mbajtur me dinjitet e fisnikëri të lartë flamurin e qëndresës dhe të familjes. Fuqia e gruas, siç është e njohur, është baza mbi të cilën ndërtohet një shoqëri e qëndrueshme. Sa më e ditur dhe më e përkushtuar ajo të jetë, aq më e sigurt është ardhmëria e kombit.
Gruaja shqiptare, duke kaluar nga një epokë në tjetrën dhe nga një luftë në tjetrën, ka marshuar krenare përkrah burrave, djemve, vëllezërve dhe prindërve, duke qëndruar e patundur përmes shekujve e mijëvjeçarëve. Ajo ka arritur të mbajë krenarinë e saj dhe të vazhdojë rrugën e saj të ngarkuar me sfida, duke kontribuar në ruajtjen e identitetit dhe vlerave kombëtare.
Përmes këtij angazhimi të palëkundur, populli shqiptar arriti të shpëtojë nga asimilimi, duke mbajtur të ruajtur gjuhën, historinë, traditën dhe kulturën e tij. Pavarësisht dhunës dhe politikës antishqiptare të shovinistëve sllavë dhe forcave të tjera të huaja, ata nuk arritën të nënshtronin Kosovën, as ta mposhtnin apo sllavizonin atë.
Në periudhat historike më të errëta, kur sistemi edukativo-arsimor ishte i papërfillshëm, roli edukativ i ambientit familjar, veçanërisht i nënës dhe gjyshes, ishte vendimtar. Siç thotë populli, “burrat trima lindin dhe rriten vetëm nga nëna trimëresha”. Gruaja shqiptare ka përbuzur gjithmonë frikacakët dhe ka mallkuar ata që plogështoheshin përpara vdekjes, duke e ruajtur kështu një moral të lartë dhe një forcë të pashembullt në çdo situatë.
Duke shfletuar faqet e historisë, shohim se gratë shqiptare kanë qenë pjesëmarrëse aktive në luftërat e ashpra të komandantit të madh, Skënderbeu. Gjatë rrethimit të parë të Krujës në vitin 1450, kur ushtria otomane e sulltan Muratit II u sul në Shqipëri, Skënderbeu urdhëroi që qyteti të zbrazet nga gratë, fëmijët dhe pleqtë, duke lënë vetëm luftëtarët për të mbrojtur kështjellën deri në fund. Humanisti Marin Barleti përshkruan këtë moment me emocion të thellë, duke thënë: “Kur dhembja e luftës u qetësua pak, nënat iu kthyen djemve të tyre dhe me fjalë të ngrohta e krenarë i dhuronin mesazhe inkurajimi.” Po ashtu, kronisti venedikas A. Sabellico, në vitin 1478, tregon për traditën e vajzave që, mes flakëve të luftës dhe armëve barbarësh, këndonin lavditë e Skënderbeut çdo tetë ditë, duke nderuar trashëgiminë e tij heroike në një mënyrë që kujton ngjarjet e vjetra për heronjtë e madhërishëm.
Kjo dëshmon se gruaja shqiptare ka qenë e angazhuar dhe e qëndrueshme edhe në periudha kur nuk ishte e pranishme në fushën e betejës, duke luftuar në një mënyrë tjetër – me kurajon dhe forcën që i jepte luftëtarëve të saj. Shekulli XV shënon një periudhë të rëndësishme për gruan shqiptare, e cila, ndonëse shpesh e ndarë nga fati i kombit, ruante dhe transmetonte gjuhën, virtytet dhe traditat e kombit si edukatore e parë e fëmijëve të saj. Me ndjenja të forta atdhetarizmi dhe dashurie për liri, ajo shpesh merrte pjesë në kuvende me burrat dhe kontribuonte në diskutimet mbi çështjet e mëdha të vendit.
Në shekullin XIX, gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, roli i gruas shqiptare bëhet edhe më i dukshëm. Ajo merr armët dhe përfshihet aktivisht në luftërat për liri dhe pavarësi, duke dëshmuar se ajo nuk është vetëm nënë dhe bashkëshorte e përkushtuar, por gjithashtu bartësja e rëndësishme e çështjes kombëtare. Me forcën dhe krenarinë e saj, ajo mban mbi supet e saj një barrë të rëndë dhe të shenjtë – çështjen e atdheut.
Nëpër rrugët e historisë, gratë shqiptare janë ndihmuar nga traditat e lashta dhe ndjenja e thellë për lirinë e vendit, që i ka shtyrë të qëndrojnë të forta përballë sulmeve barbare dhe okupatorëve të ndryshëm. Në këtë luftë për liri, këto gra janë udhëhequr nga ndjenja e nderit për familjen dhe shpirtit të lartë të sakrificës, virtyte të cilat çdo njohës i mirë i traditës shqiptare i ka vënë në pah. Për to, rënia në duar të turqve nuk ishte thjesht një fatkeqësi, por një humbje e thellë e lirisë dhe krenarisë. Ndaj kësaj katastrofe, gruaja shqiptare shpesh i sfidonte normat mesjetare që ndalonin pjesëmarrjen e saj në fushën e betejës. Ajo i kapte armët dhe, përkrah burrave, hynte në përleshje, ballë përballë me armikun, për të mbrojtur dhe ruajtur lirinë dhe dinjitetin e kombit të saj.

Një figurë e spikatur në këtë kontekst është trimëreshë e detit, Bubulina, e lindur Dhaskalina Pinoçe më 11 maj 1771, nga prindërit Stavri dhe Skevo Pinoçi në Hidra. Ajo është njohur si një nga arvanitaset më të famshme në historinë shqiptare dhe greke. Në moshën 17 vjeçare u martua me kapitenin arbëresh të marinës së Specës, Dhimitër Janozën, i cili u vra në një betejë. Më vonë, në moshën 30 vjeçare, u martua me kapitenin tjetër arbëresh, Dhimitër Dhimitër Bubuli, i cili gjithashtu u vra në det nga piratët në vitin 1811. Emri i Bubulinës është ngushtë i lidhur me kryengritjet antiosmane të viteve 1821-1829. Ajo u vra më 25 maj 1825 në Speca gjatë kryengritjes greke, duke udhëhequr anijen “Agamemnon”.
Më vonë, në mesin e shekullit XIX, Jasint Hekard, një njohës i thellë i Shqipërisë Veriore, shkruante: “Gruaja shqiptare, qoftë myslimane apo e krishterë, edhe pse nënshtrohet ndaj burrit, ai e konsulton jo vetëm për çështjet e familjes, por edhe për ato të vendit.” Hekardi vazhdon të përshkruajë se gratë shqiptare dinë të mbajnë lotët e dhembjes edhe kur janë përpara atyre që kanë humbur, dhe shpesh i mbajnë në duar kufomat e tyre për t’i sjellë në fushën e betejës, duke i nxitur luftëtarët të hakmerren kundër armikut. “Kam dëgjuar për nëna që nuk i kanë pranuar fëmijët e tyre në shtëpi, të cilët janë larguar nga frika e luftës, dhe i kanë shpënë ato vetë përsëri në fushën e betejës, si dhe për nuse që janë ndarë nga burrat e tyre vetëm për shkak se këta janë larguar nga zjarri i luftës.” Këto shembuj të papërsëritshëm ilustrojnë trimërinë dhe sakrificën e jashtëzakonshme të grave shqiptare në mbrojtje të lirisë së vendit.
Në ngjarjet e mëdha të viteve 1910-1912, kur Shqipëria luftonte për çlirimin kombëtar, gruaja shqiptare doli si një hero i vërtetë. Në këtë periudhë të revolucionit, ajo nuk qëndroi pasivisht në prapavijë, por u përfshi aktivisht në luftë dhe përpjekje. Me guxim të jashtëzakonshëm, qindra gra ndihmuan kryengritësit duke ofruar mjete, strehim, informacione dhe frymëzim. Gratë e Kosovës, për shembull, dolën me armë në dorë në Grykën e Kaçanikut, duke u ballafaquar me armikun pa asnjë hezitim. Po kështu, gratë nga Malësia e Mbi-Shkodrës dhe Dibra ndoqën shembujt e tyre dhe u angazhuan në luftë.
Në një raport nga gazeta “Sabah”, e publikuar në Turqi më 16 prill 1911, përshkruhej se ndër kryengritësit shqiptarë ishin edhe gra të veshura me rroba burrash, që kishin treguar trimëri të jashtëzakonshme dhe kishin kaluar në radhët e para të luftës. Kjo dëshmi nënvizon rolin aktiv të gruas shqiptare në luftë.
Gruaja shqiptare ka dëshmuar heroizëm të thellë gjatë të gjitha periudhave të historisë kombëtare, duke përballuar sfida dhe peripeci të shumta që shpesh i tejkalonin ato të burrave. Në çdo aktivitet dhe përpjekje, burrat e gjetën në gruan shqiptare një partnere të palëkundur, që i mbështeti ata pa asnjë kusht.
Në periudhat e rezistencës, sidomos në Kosovë, gratë shqiptare i dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm, qoftë në aktivitete politike dhe shoqërore, qoftë në luftë krah për krah me burrat. Virtytet e tyre ishin një frymëzim për ata që vizitonin këto vise. Një shembull i tillë është Xhorxh Williams, i cili më shumë se një shekull më parë, vërejti se gruaja shqiptare trajtohej me respekt të jashtëzakonshëm. Ai theksoi se, edhe pse gruaja punonte në shtëpi, ajo kishte një vend të nderuar në shoqëri dhe se jeta e saj fisnikërohej përmes rolit të saj si nënë. E vërteta është se ajo e vlerëson dhe e çmon shumë lartë të qenit nënë dhe bashkëshorte, por gjithashtu ka dëshmuar se është e gatshme të sakrifikojë këto roli për liri, duke u ngritur kështu në piedestalin e barazisë me heronjtë.
Në studimin e Ligor Mile mbi rolin e gruas shqiptare në luftën për liri, është cituar një shkencëtar i huaj që e ka përshkruar atë si një figurë të papërkulshme dhe mbresëlënëse. Ky shkencëtar thekson se gratë që lindin burra të fortë dhe të pamposhtur, janë gjithashtu të dalluara për forcën e organizimit dhe thjeshtësinë e zakoneve të tyre. Ato ndajnë me burrat e tyre punët, udhëtimet dhe rreziqet, duke kontribuar kështu në luftën për liri me një ndihmë të pazëvendësueshme.
Një udhëtar francez i shekullit XIX, i cili kishte pasur mundësinë të njihej me popullsinë e Tomorit, kishte arritur në përfundimin se midis luftëtarëve të Tomorit dhe grave të tyre, kishte më shumë se një model për Apollonin dhe Venusin e mitologjisë. Ky përshkrim e thekson bukurinë dhe guximin që karakterizonte gratë shqiptare të kohës.
Gjatë lëvizjes kryengritëse që shpërtheu në vitet 1844-1845 në verilindje të Shqipërisë, në Kosovë dhe në Dibër, dokumentacioni arkivor na zbulon se në malësitë e lira, gratë dhe fëmijët ishin pjesë aktive e radhëve të luftëtarëve. Gratë ishin të pajisura me armë dhe veshur ushtarakisht, duke kontribuar me guxim në luftë.
Gjatë periudhave të rrezikshme për atdheun, gruaja shqiptare nuk qëndroi kurrë pasive. Shembujt e pjesëmarrjes së saj në luftërat për liri janë të shumtë, veçanërisht gjatë periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe më tej. Patriotizmi i gruas shqiptare, me cilësitë e saj të jashtëzakonshme morale, u shfaq me forcë dhe vendosmëri në ato gra dhe vajza që morën armët dhe luftuan krah për krah me burrat gjatë Luftës për Çlirimin e Kosovës dhe të trojeve shqiptare.
Në vitin 1945, kur Kosova dhe viset e tjera shqiptare përreth u mbetën nën sundimin e sllavëve, gruaja shqiptare nuk pranoi të ishte një vëzhguese indiferente e proceseve shoqërore. Ajo nuk e pranoi të mbetej vetëm një qenie e varur nga burri, apo një objekt i mëshirës së tij dhe të tjerëve. Me aftësitë dhe guximin e saj, ajo u angazhua aktivisht në orientimin e aksioneve dhe proceseve politike e shoqërore në familje dhe në shoqëri. Në organizatat ilegale shqiptare që kishin si synim çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare, gratë vepronin në mënyrë të veçantë dhe ilegale. Disa nga to u zbuluan dhe u ekzekutuan nga organet okupuese, ndërsa disa të tjera vepruan me stoicizëm, duke ndihmuar ilegalistët në betejën e tyre për liri.
Në periudhën e sundimit rankoviqian, nga viti 1945 deri në 1966, shumë intelektualë dhe nxënës shqiptare në Kosovë u përballën me maltretime dhe dënime të ashpra në procese politike represive. Kjo përmbysje e drejtësisë dhe dëmtimi i individëve të pafajshëm tërhoqi vëmendjen e të huajve, të cilët, përballë heroizmit të pashoq të gruas shqiptare, e përshkruan atë me admirim dhe respekt.
Pavarësisht përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, as gratë as burrat e Kosovës nuk pranuan të ndalen përpara sfidave që i paraqiste pushteti i ri. Ata e kërkuan çdo mundësi për të kundërshtuar okupimin dhe për të mbrojtur dinjitetin e tyre. Gratë shqiptare në Kosovë, së bashku me burrat, morën një rol të rëndësishëm në krijimin e grupeve dhe organizatave ilegale. Më vonë, ato u angazhuan në demonstratat popullore të vitit 1968, 1981, dhe 1989, dhe në përpjekjet e fundit për liri që kulmuan me formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke u bërë pjesë e denjë e luftërave për çlirimin e atdheut.
Në gazetën ilegale të atyre viteve, “Kosovarja e Re”, autori theksonte: “Historia shoviniste e serbomëdhenjve, që shpërtheu pas ngjarjeve të pranverës së vitit 1981 në Kosovë, zbuloi natyrën e tyre të errët dhe të patolerueshme, që nuk mund të maskohej më as sipërfaqësisht. Populli shqiptar në ish-Jugosllavi nuk gëzonte asnjë të drejtë, qoftë njerëzore, qoftë kombëtare. Këto padrejtësi e detyruan popullin të formonte organizata ilegale, duke përfshirë kërkesën për Republikë, e cila përfaqësonte çlirimin nga eksploatimi i huaj dhe pavarësinë kombëtare brenda RSFJ-së, me synimin për të eliminuar plaçkitjen dhe shtypjen dhe për të hapur perspektiva të reja për Kosovën.”
Në një situatë të tillë të robërimit dhe dhunës, lufta dhe angazhimi i shqiptarëve për një luftë të përbashkët u shfaqën si alternativa e vetme për çlirimin e Kosovës. Kur kërkesa për të drejtat e tyre u shtrua në një mënyrë të arsyeshme dhe njerëzore, ajo mori mbështetje nga opinioni i gjerë, përfshirë disa republika si Kroacia dhe Sllovenia. Megjithatë, kundër kësaj kërkese dolën klikat shoviniste të Beogradit dhe grupet udhëheqëse maqedonase dhe malazeze, të cilët, për të mbajtur në këmbë sundimin e tyre shtypës dhe plaçkitës mbi Kosovën, përdorën të gjitha mjetet e dhunshme dhe agresivitetin primitiv. Ky agresion ishte në kundërshtim me rendin juridik vendas dhe ndërkombëtar dhe përpiqej të shuhej çdo përpjekje për liri dhe drejtësi.
Në vitin 1981, historia e Kosovës përsëritej, si një eho që shpërthente nga periudha të tjera të errëta të së kaluarës. Pas Kongresit të Berlinit të vitit 1878, kur Serbia e parë mori hapësira të reja, dhe siç ndodhi pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, kur Serbia e dytë u forcua, dhe pas Mbledhjes së Versajës që solli krijimin e Jugosllavisë së krajlëve serb, në vitin 1981, Serbia hyri për herë të tretë në Kosovë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe masakrave që i pasuan. Ky cikël i përsëritur shpreh një histori të dhimbshme dhe të pandërprerë.
Në këtë panoramë të dhimbshme dhe të trishtuar, gruaja shqiptare ndriçon me një dritë të veçantë si humaniste. Kjo vlerë e saj është admiruar dhe himnizuar nga burra shtetesh dhe nga të huaj, të cilët e kanë nderuar këtë heroizëm të paepur. Nënë Tereza, shqiptarja e madhe, e cila me veprat e saj të përkushtuara për humanizëm bëri jehonë në çdo cep të globit, është një shembull i jashtëzakonshëm. Ish-Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, pas përfundimit të luftës së NATO-s, duke u lutur mbi varrin e Nënës Tereza në Kalkutë, shprehu krenarinë dhe çlirimin që ndjente: “Nënë, ndjehem krenar dhe i çliruar në shpirt, që Zoti na ndihmoi dhe ta çova në vend amanetin! Tashmë populli yt në Kosovë është i lirë dhe po ndërton demokracinë.”
Burrat dhe gratë shqiptare u përballën me një stoicizëm promethian ndaj tufanit të egërsuar të shovinizmit pan-sllav. Pavarësisht plagëve dhe dëmeve të mëdha që i shkaktuan truallit tonë, ato vazhduan të ngadhënjejnë mbi egërsinë e armiqve pushtues. Ato rrëzuan planet shkombëtarizuese dhe sllavizuese të Karagjorgjeviqëve, Pashiqëve, Andriqëve dhe Rankoviqëve, dhe mbi të gjitha, e mundën Vasa Çubrilloviqin, arkitektin e Elaboratit shkombëtarizues dhe shfarosës ndaj shqiptarëve. Në fund, kjo nënë shqiptare e detyroi atë të pranojë publikisht, përpara vdekjes, se “luftën në Kosovë e fitoi nëna shqiptare.”
Edhe pse populli shqiptar ka pësuar plagë e riplagë, Kosova vazhdon të eci përpara në rrugën e saj të mundimshme, por të ndritshme të lirisë kombëtare. Kjo rrugë e ndritshme është një ligjësi objektive, e cila, pavarësisht sfidave, do të vazhdojë të hapë shtigje të lirisë dhe të ardhmërisë për Kosovën, ngadalë por me siguri.
Çlirimi përfundimtar i Kosovës nuk ishte një dhuratë e rastësishme e historisë, por fryt i një përpjekjeje të gjatë dhe të përgjakshme, e udhëhequr nga gra dhe burra të jashtëzakonshëm, të cilët me guxim, përkushtim dhe sakrificë sublime u vunë në shërbim të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Nëpër etapa të vështira historike, ata i dhanë formë dhe drejtim aspiratës së kahershme për çlirim kombëtar, duke u bërë shtylla morale dhe fizike e një populli që nuk pranoi asnjëherë të nënshtrohej. Sot, liria që e gëzojmë është trashëgimi e përpjekjes së tyre të palodhur dhe testament i gjallë i rezistencës sonë kolektive. Ajo përfaqëson më shumë se një arritje politike – është një dëshmi e vlerave të larta të atyre që luftuan për të drejtën për të jetuar të lirë në tokën e tyre.
Literatura:
1. Sabile Keçmezi-Basha, Heroizmi i gruas shqiptare parë nga të huajt, Epoka e Re, 3 gusht 2015
2. Sabile Keçmezi-Basha, Gruaja, shtyllë e rëndësishme në rrjedhat politike, Epoka e Re, 11 janar 2016
3. Krah për krah me burrin në luftën për liri, Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1. Gusht 1980. f, 14.
4. Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985, f. 761
5. Mediha Shuteriqi, Gruaja shqiptare në luftë për çlirim kombëtar, (Simpoziumi për Skënderbeun, 9-12 maj 1968), Prishtinë 1969, f, 405-406;
6. Fatmira Musaj, Gruaja në Shqipëri në vitet 1912-1939, Tiranë, 2002
7. Sabile Keçmezi-Basha, Gratë shqiptare për çështjen kombëtare, Kosova, nr. 35/36, 2012.
8. Shkelzen Raça, Marrëdhëniet shqiptaro-greke 1829-1881, Prishtinë
9. Zenepe Dibra, Fjalor enciklopedik i gruas shqiptare, Shkodër, 2009, 86.
10. Gjyltekin Shehu, Disa të dhëna frënge mbi shqiptarët (shek. XIII-XVI)- Francuski pitopisi po albanskim krajevima od XIII-XVI veka- Qelquis français dans les pays albanophones aux XIII-XVI sieclis- nr. 10-11, (1974-1975), Vjetari, 1979, f. 287-295.
11. Gazeta “Sabah” 16 prill 1911, Turqi.
12. Sevëme Fetiqi, Gratë janë shtylla të një kombi e jo dekor për standard, gazetaora.com/grate-jane-shtylla-te-nje-kombi-e-jo-dekor-per-standard, 19 Mars, 2014 – 5:01 pm
13. Ligor Mile, Krah për krah me burrin në luftën për liri , Kosovarja e Re, nr. 1. 1982, f, 2.
14. Sabile Keçmezi-Basha, Kosova (Retrospektiva historiko-politike), 1945-1999, (monografi në dorëshkrim)
15. Sabile Keçmezi-Basha, Gruaja shqiptare në shërbim të çështjes kombëtare (fejton 5 vazhdime), ”Bujku” 24-28 janar 1996
16. Partia zbërthen planet rankoviqiste, Kosovarja e Re, nr. 1, 1982, f, 3.
17. Mehmet Gëzhilli, Nëna Terese në sytë e botës, Tiranë 2010,
18. www.gazetakritika.net/literatur/nene/tereza.html; Engjëll Koliqi, www.forumishqiptar.com/threads/39475-Gonxhe-Bojaxhiu-(-Nene-Tereza)