Gruaja tjetër

05 mars 2023 | 08:44

SHERWOOD ANDERSON

“Jam i dashuruar me gruan time” – tha ai – vërejtje e tepërt, përderisa nuk ia kisha vënë në dyshim besnikërinë ndaj gruas me të cilën ishte martuar. Ecëm së bashku dhjetë minuta dhe ai e tha sërish. U ktheva nga për ta parë në sy. Filloi të fliste dhe më tregoi rrëfenjën që do të shkruaj tani.

Ajo që kishte në mendje ndodhi gjatë asaj që duhet të ketë qenë java me më shumë ngjarje e jetës. Do të martohej të premten pasdite. Të premten e një jave më parë kishte marrë një telegram që e lajmëronte për emërimin në një post qeveritar. Ndodhi diçka tjetër që e bëri shumë krenar dhe të lumtur. E kishte zakon të shkruante në fshehtësi vargje dhe para një viti disa prej tyre ishin shtypur në revista me poezi. Një nga shoqëritë që jep çmime për poezitë më të mira të botuara gjatë vitit, sipas gjykimit të tyre, ia kishte vendosur emrin në krye të listës. Historia e këtij ngadhënjimi u botua në gazetat e qytetit ku kishte lindur, dhe njëra prej tyre e shoqëroi edhe me fotografinë e tij.

Siç pritej, ai ishte i emocionuar dhe në një gjendje nervore mjaft të tensionuar gjatë gjithë asaj jave. Pothuajse çdo mbrëmje shkonte për t’i bërë një vizitë të shkurtër të fejuarës, bijës së një gjykatësi. Kur arrinte atje, shtëpia e saj ishte plot me njerëz dhe ata po merrnin shumë letra, telegrame dhe pako. Ai rrinte pak mënjanë dhe burra e gra shkonin vazh­dimisht për t’i folur. E uronin për suksesin në marrjen e postit qeveritar dhe arritjet si poet. Të gjithë dukej se po e lavdë­ronin dhe kur u kthye në shtëpi për të fjetur nuk arriti të flinte. Të mërkurën në mbrëmje vajti në teatër dhe iu duk sikur pa përjashtim secili nga ata që ishin në sallë e njohu. Të gjithë tundnin kokën dhe buzëqeshnin. Pas aktit të parë pesë ose gjashtë burra dhe dy gra lanë vendet e tyre për t’u mbledhur rreth tij. U krijua një grup i vogël. Të huajt e ulur përgjatë të njëjtit rresht në ndenjëse zgjatën qafën për të parë nga ai. Kurrë nuk kishte marrë kaq shumë vëmendje më parë, dhe tani e pushtoi një ethe pritjeje.

Siç shpjegoi kur më tregoi për përvojën e tij, për të ishte një kohë krejtësisht jonormale. Ndihej sikur pluskonte në ajër. Kur u shtri në shtrat, pasi pa kaq shumë njerëz dhe dëgjoi kaq shumë fjalë lavdërimi, mendja po i vinte vërdallë. Kur mbylli sytë një turmë njerëzish pushtuan dhomën. Dukej sikur mendjet e të gjithë njerëzve të qytetit ishin të përqendruara tek ai. E pushtuan fantazitë më absurde. E imagjinonte veten duke hipur në një karrocë që kalonte nëpër rrugët e një qyteti. Dritaret hapeshin dhe njerëzit dilnin me vrap nga dyert e shtëpive. “Ja ku është. Ky është ai”, bërtitnin ata dhe nga këto fjalë ngrihej një britmë e gëzuar. Karroca u fut në një rrugë të bllokuar me njerëz. Njëqind mijë palë sy e shikonin lart. “Ja ku je! Si arrite të bëhesh ky që je!” dukej sikur thoshin ata sy.

Miku im nuk e shpjegonte dot nëse njerëzit ishin të ngazë­llyer ngaqë ai kishte shkruar një poezi të re apo nëse, në postin e ri qeveritar, kishte kryer ndonjë veprim të guxim­shëm. Apartamenti ku jetonte asokohe ishte në një rrugë me banesa përgjatë majës së një vargu shkëmbinjsh, larg në skaj të qytetit, dhe nga dritarja e dhomës së gjumit mund të shihte pemët poshtë dhe çatitë e fabrikave ndanë një lumi. Meqë s’mund të flinte dhe fantazitë ia pushtonin pareshtur mendjen duke e mbushur gjithnjë e më shumë me emocion, ai u ngrit nga shtrati dhe u përpoq të mendonte.

Siç do të ishte e natyrshme në rrethana të tilla, u përpoq t’i kontrollonte mendimet, por kur u ul pranë dritares dhe ishte zgjuar plotësisht, ndodhi diçka shumë e papritur dhe poshtëruese. Nata ishte e kthjellët dhe e mirë. Kishte hënë. Ai donte të ëndërronte për gruan që do të bëhej gruaja e tij, të mendonte vargje për poezi fisnike ose të bënte plane që do të ndikonin në karrierë. Për habinë e tij, mendja s’pranoi ta bënte diçka të tillë.

Në cep të rrugës ku jetonte ishte një dyqan i vogël purosh dhe një stendë gazetash e një burri të shëndoshë dyzet vjeç dhe e të shoqes, një grua e vogël, energjike me sy gri që i ndrisnin. Në mëngjes ndaloi aty për të blerë një gazetë para se të zbriste në qytet. Ndonjëherë shihte vetëm burrin e shën­doshë, por shpesh burri s’dukej kund dhe ishte gruaja ajo që e priste. Ajo ishte, siç më siguroi të paktën njëzet herë kur më tregoi rrëfenjën, njeri shumë i zakonshëm, pa asgjë të veçantë apo që të meritonte vëmendje, por për disa arsye që nuk mund t’i shpjegonte prania e saj e trazonte jashtëzako­nisht shumë. Gjatë asaj jave, në mes të atij shpërqendrimi, ajo ishte i vetmi nga njerëzit që njihte, e cila kuptohej fare lehtë se nuk i shqitej nga mendja. Kur donte aq shumë të kishte mendime fisnike, vetëm për të mund të mendonte. Përpara se të dinte se çfarë po ndodhte, imagjinata e tij ishte pushtuar nga ideja e të pasurit marrëdhënie dashurie me gruan.

“S’mundesha ta kuptoja dot veten”, pohoi duke më treguar historinë. “Natën, kur qyteti ishte i qetë dhe duhej të isha në gjumë, mendoja për të gjatë gjithë kohës. Pas dy ose tre ditësh të tilla, vetëdija për të u bë pjesë e mendimeve të ditës. Mendja m’u bë lëmsh i vërtetë. Kur shkova për të parë gruan që tani është ime shoqe, kuptova se dashuria ime për të nuk ishte prekur aspak nga mendimet e mia të mprashta. Kishte vetëm një grua në botë që doja të jetonte me mua, të isha shoqja ime në sipërmarrjen për të përmirësuar karakterin dhe pozicionin tim shoqëror në botë, por hë për hë, e kuptoni, doja që kjo gruaja tjetër të ishte në krahët e mi. Ajo kishte hyrë në qenien time. Nga të gjitha anët njerëzit thoshin se isha njeri i madh që do të bënte gjëra të mëdha, dhe ja në çfarë gjendje isha. Atë mbrëmje, kur shkova në teatër, vajta në shtëpi sepse e dija që s’do të mund të flija dhe për të kënaqur shtysën e bezdisshme brenda vetes shkova dhe qëndrova në trotuar para shitores së duhanit. Ishte një ndërtesë dykatëshe dhe e dija që gruaja jetonte lart me të shoqin. Për një kohë të gjatë qëndrova në errësirë ​​me trupin e mbështetur në murin e ndërtesës dhe më pas mendova për ata të dy atje lart, pa dyshim në shtrat së bashku. Kjo më tërboi.

“Pastaj u zemërova më shumë me veten. Shkova në shtëpi dhe u futa në shtrat duke shkumëzuar nga inati. Janë disa libra me vargje dhe disa shkrime në prozë që gjithmonë më kanë prekur thellë dhe kështu vendosa disa libra në tavolinën pranë shtratit.

“Zërat në libra ishin si zërat e të vdekurve. S’i dëgjova. Fjalët e shtypura në rreshta s’ më depërtonin në ndërgjegje. U përpoqa të mendoja për gruan që doja, por edhe portreti i saj ishte bërë diçka e largët, diçka me të cilën hë për hë më dukej se s’kisha të bëja. U shemba dhe u rrotullova në shtrat. I ndjeva i mjerë”.

“Të enjten në mëngjes hyra në shitore. Gruaja ishte vetëm. Mendoj që e dinte se si ndihesha. Ndoshta kishte menduar vazhdimisht për mua ashtu siç kisha menduar unë për të. Një buzëqeshje e dyshimtë, ngurruese iu shfaq në cepat e buzëve. Kishte veshur një fustan të bërë prej një cohe të lirë dhe ishte i grisur në shpatull. Duhet të ketë qenë dhjetë vjet më e madhe se unë. Kur u përpoqa të vendosja qindarkat në banakun e xhamit pas të cilit rrinte, dora m’u dridh prandaj qindarkat lëshuan një tringëllimë të mprehtë. Kur fola, zëri që më doli nga fyti s’dukej si diçka që më kishte përkitur ndonjëherë. Mezi shkoi përtej një pëshpëritje të mbytur. “Të dëshiroj”, – i thashë. “Të dëshiroj kaq shumë. A mund të arratisesh nga burri? Eja tek unë në banesën time sonte në orën shtatë.

“Po, gruaja erdhi në orën shtatë. Atë mëngjes s’tha asgjë. Ndoshta për një minutë thjesht qëndruam duke parë njëri-tjetrin. Vetëm ajo ekzistonte për mua, e kisha harruar gjithçka tjetër në botë. Pastaj ajo tundi kokën dhe unë u largova. Tani që e mendoj, s’mbaj mend të ketë shqiptuar qoftë edhe një fjalë. Erdhi në orën shtatë dhe ishte errësirë. Duhet ta kuptoni se kjo ndodhi në muajin tetor. Nuk kisha ndezur asnjë dritë dhe e kisha larguar shërbëtorin tim.

“Gjatë asaj dite nuk isha aspak mirë. Disa burra erdhën për të më parë në zyrë, por unë u ngatërrova si mos më keq kur u përpoqa të këmbeja dy fjalë me ta. Ata thanë se hutimin e kisha prej martesës që po afrohej dhe u larguan duke qeshur.

“Në mëngjes, vetëm një ditë para martesës, mora një letër të gjatë dhe shumë të bukur nga e fejuara. Një natë më parë edhe ajo s’kishte mundur të flinte dhe ishte ngritur nga shtrati për të shkruar letrën. Gjithçka thoshte në të ishte shumë e mprehtë dhe e vërtetë, por ajo vetë, si një qenie njerëzore e gjallë, dukej se ishte bërë e largët. Më dukej se ishte si një zog që fluturonte atje tej në qiejt të largët, dhe unë isha si djali i hutuar, këmbëzbathur që rri në rrugën me pluhur para një shtëpie ferme dhe vështron siluetën e saj të zbehtë. Pyes veten nëse më kuptoni se çfarë dua të them?

“Për sa i përket letrës. Në të ajo, gruaja që po zgjohej te ajo, derdhi gjithçka kishte në zemër. Sigurisht që s’dinte asgjë për jetën, por ishte grua. Ajo ishte plandosur në shtrat, mendoj, nervoze dhe e rraskapitur njësoj si unë. E kishte kuptuar se një ndryshim i madh po i ndodhte në jetë dhe ishte edhe e lumtur, edhe e frikësuar. Rrinte shtrirë duke menduar për të gjitha këto. Pastaj ishte ngritur nga shtrati dhe kishte filluar të fliste me mua duke kuvenduar me anë të asaj letre. Më thoshte se sa e frikësuar dhe e gëzuar ishte. Si shumica e vajzave të reja, kishte dëgjuar gjëra që pëshpëriteshin lart e poshtë. Në letër tregohej shumë e ëmbël dhe mirë. “Kur të ketë kaluar shumë kohë, pasi të jemi martuar, do të harrojmë se jemi burrë dhe grua”, kishte shkruar ajo. “Do të jemi qenie njerëzore. Duhet të mbani parasysh që unë jam e paditur dhe shpesh do të sillem si budallaqe. Ju duhet të më doni dhe të jeni shumë i durueshëm dhe i sjellshëm me mua. Kur të di më shumë, kur pas një kohe të gjatë të më kesh mësuar për jetën, do të përpiqem të ta shpërblej, do të dua me butësi dhe pasion. E ndiej që i kam të dyja këto brenda meje, përndryshe nuk do të kisha dashur kurrsesi të martohesha. Kam frikë por jam edhe lumtur. O, jam shumë e kënaqur që koha e martesës është kaq e afërt”.

“Tani e shihni mjaft qartë se në çfarë telashi të madh isha. Në zyrën, pasi lexova letrën e të fejuarës, u bëra menjëherë shumë i vendosur dhe i fortë. Mbaj mend që u ngrita nga karrigia dhe nisa të ecë vërdallë, krenar që do të isha bashkëshorti i një gruaje kaq fisnike. Menjëherë ndjeva një lidhje me të ashtu siç isha ndjerë për vete para se të kuptoja se sa krijesë e dobët isha. Për të shmangur çdo pasiguri, mor vendimin e madh që s’do të tregohesha i dobët. Në orën nëntë të asaj mbrëmjeje kisha ndërmend të vrapoja për të parë të fejuarën time. “Tani jam shumë mirë”, – thashë me vete. “Bukuria e karakterit të saj më ka shpëtuar nga vetja. Do të shkoj në shtëpi tani dhe do ta largoj gruan tjetër”. Në mëngjes i telefonova shërbëtorit tim dhe i thashë se nuk doja që ai të ishte në banesë atë mbrëmje dhe mora telefonin për t’i thënë shërbëtorit të rrinte në shtëpi. “Pastaj më erdhi një mendim: “S’duhet ta kem nëpër këmbë në asnjë rast”, i thashë vetes. “Çfarë do të mendojë ai kur të shohë një grua që vjen në shtëpinë time në mbrëmjen para ditës që do të martohem?” E ula dorezën e telefonit dhe u përgatita të shkoj në shtëpi. “Nëse dua që shërbëtori të mos jetë aty, kjo ndodh për të vetmen arsye sepse s’dua që të më dëgjojë kur të flas me të. Nuk mund të jem i pasjellshëm me gruan. Do të më duhet të jap një lloj shpjegimi, – thashë me vete.

“Gruaja erdhi në orën shtatë dhe, siç mund ta keni marrë me mend, e lashë të hynte dhe e harrova vendimin që kisha marrë. Ka të ngjarë që s’kam pasur kurrë qëllim të bëja diçka tjetër. Në derë ishte një zile, por ajo nuk i ra, ajo trokiti shumë butë. Mua më duket se gjithçka që ajo bëri atë mbrëmje ishte e butë dhe e qetë por shume e vendosur dhe e shpejtë. A jam i qartë në këtë që po them? Kur erdhi, unë po qëndroja brenda pragut, ku kisha gjysmë ore që rrija në këmbë dhe prisja. Duart më dridheshin ashtu siç më dridheshin në mëngjes kur sytë e saj më panë dhe kur u përpoqa të vendosja qindarkat në banakun e dyqanit. Kur hapa derën ajo u fut shpejt brenda dhe unë e rroka në krahë. Qëndruam bashkë në errësirë. Duart nuk s’më dridheshin më. U ndjeva shumë i lumtur dhe i fortë.

“Megjithëse jam munduar të bëj gjithçka të qartë, s’të kam thënë se si është gruaja me të cilën u martova. E shihni, kam theksuar gruan tjetër. Të bëra pohimin e papritur që e dua gruan time dhe për një burrë mendjemprehtë si ty kjo s’ka kurrfarë kuptimi. Të them të drejtën, do të ndihesha më rehat po të mos kisha filluar të flisja për këtë çështje. Është e pashmangshme që t’ju jap përshtypjen se jam i dashuruar me gruan e duhanshitësit. S’është e vërtetë. Pa dyshim, isha shumë i vetëdijshëm për të gjatë gjithë javës para martesës, por pasi erdhi tek unë në banesë, ajo m’u largua plotësisht nga mendja

“A po them të vërtetën? Po rrekem aq sa mundem të të tregoj çfarë më ka ndodhur. Po them që nga ajo mbrëmje s’kam menduar më për gruan që erdhi në banesën time. Tani, që të jemi besnik ndaj fakteve të çështjes, kjo s’është e vërtetë. Atë mbrëmje vajta te e fejuara në orën nëntë, siç më kishte kërkuar në letër. Në një farë mënyre nuk mund të shpjegoj se pse gruaja tjetër shkoi në shtrat me mua. Ja çfarë dua të them – e kuptoni se kisha menduar që nëse do të ndodhte diçka mes meje dhe gruas së duhanshitësit, unë s’do të mund ta bëja dot martesën. “O njëra, o tjetra”, thosha me vete.

“Në të vërtetë, vajta ta takoj të shtrenjtën time atë mbrëmje i mbushur me një besim të ri te e ardhmja e jetës tonë së bashku. Kam frikë se mos e ngatërroj edhe më shumë këtë çështje duke u përpjekur ta shkoqis. Sapo thashë që gruaja tjetër, bashkëshortja e duhanshitësit shkoi në shtrat me mua. Në fakt, s’dua ta them këtë. Ajo që dua të them është se diçka nga besimi në dëshirat që kishte dhe guximi për të depërtuar në thelbin e gjërave ishte njësoj si të shkonte në shtrat me mua. A e kuptoni? Kur arrita në shtëpinë e të fejuarës ishte një grumbull njerëzish që vinin rrotull. Disa ishin të afërm nga vende të largëta që nuk i kisha dëgjuat më parë. Ajo ngriti sytë menjëherë kur hyra në dhomë. Fytyrën duhet ta kem pasur flakë të kuqe. S’e kisha parë kurrë aq të emocionuar. Kishte menduar se letra e saj më kishte prekur thellë dhe pa dyshim që po. Brofi në këmbë dhe vrapoi për të më takuar. Ngjante me një fëmijë të gëzuar. Pikërisht përpara njerëzve që kthyen kokat me vështrime pyetëse, ajo tha atë që kishte në mendje. “O, jam shumë e lumtur”, – rënkoi. “Ti e ke kuptuar. Ne do të jemi dy qenie njerëzore. Nuk është e detyruar të jemi burrë e grua”.

“Siç mund ta merrni me mend, të gjithë qeshën, por jo unë. Gati u mbusha me lot. Isha aq i lumtur sa doja të bërtisja. Ndoshta e kuptoni se çfarë dua të them. Në zyrë, atë ditë kur lexova letrën që kishte shkruar e fejuara ime, i kisha thënë vetes: “Do të kujdesem unë për ty e shtrenjta vogëlushe”. Kishte një lloj ndjenje vetëkënaqësie, në këtë pohim, besoj e kuptoni. Në shtëpinë e saj, kur ajo qante asisoj, ndërsa të gjithë qeshnin, ajo që i thashë vetes pak a shumë kjo: “Do të kujdesemi për veten, vogëlushe”. Diçka të tillë i pëshpërita te veshi. Të them të drejtën, e harrova fare pozitën time shoqë­rore. Fryma e gruas tjetër ishte arsyeja. Para se të tjetër të mblidheshin rreth nesh si miza, e shtrëngoja të fejuarën time dhe putheshim. Njerëzit mendonin se ishte mrekulli që na ngjallte kaq shumë dashuri prania njëri-tjetrit. Por se çfarë do të kishin menduar po ta dinin të vërtetën për mua, një Zot e di!

“Janë bërë tashmë dy herë që them se pas asaj mbrëmje s’kam menduar më për gruan tjetër. Kjo është vetëm deri diku e vërtetë, por nganjëherë në mbrëmje kur jam duke ecur vetëm në rrugë ose në park siç po ecim tani, dhe kur muzgu vjen butësisht dhe shpejt siç ka ardhur sonte, ndjesia e pranisë së saj ma pushton fort trupin dhe mendjen. Pas atij takimi s’e pashë më kurrë. Të nesërmen isha i martuar dhe nuk u ktheva kurrë më në rrugën e saj. Megjithatë më ndodh shpesh që ndërsa po ec, siç po bëj tani, më zotëron një ndjesi e beftë dhe e mprehtë tokësore. Është sikur të jem një farë në tokë dhe të kenë ardhur shirat e ngrohtë të pranverës. Është sikur të mos jem njeri por pemë.

“Dhe tani, ti e sheh, jam i martuar dhe gjithçka është në rregull. Martesa është për mua një fakt shumë i bukur. Nëse do të thuash që martesa ime s’është e lumtur, mund të të quaj gënjeshtar sepse po them të vërtetën absolute. U mundova të të tregoj për këtë gruan tjetër. Ndiej një lloj lehtësimi kur flas për të. S’e kam bërë kurrë më parë. Pyes veten pse isha kaq budalla sa të kisha frikë se mos të lija përshtypjen se s’jam i dashuruar me gruan time. Po të mos kisha besuar inatin­ktivisht në mirëkuptimin tënd, s’do të kisha folur. Siç janë punët tani, shoh se ndihem pak i trazuar. Sonte do të mendoj për gruan tjetër. Më ndodh herë pas here. Do të ndodhë pasi te kem rënë në shtrat. Ime shoqe fle në dhomën ngjitur dhe dera lihet gjithmonë e hapur. Do të dalë hëna sonte, dhe kur nata është me hënë, fasha të gjata drite bien mbi shtratin e saj. Sonte do të zgjohem në mesnatë. Ajo do të jetë e shtrirë në gjumë me një krah të hedhur mbi krye.

“Për çfarë po flas? Një burrë s’flet për bashkëshorten e shtrirë në shtrat. Dua të them se, për shkak të kësaj bisede, sonte do të mendoj për gruan tjetër. Mendimet e mia s’do të jenë si ato që kisha një javë para se të martohesha. Do të pyes veten se çfarë ka ndodhur me gruan. Për një çast do ta ndjej përsëri duke e shtrënguar pranë vetes. Do të mendoj se si gjatë një ore kam qenë më afër saj se sa kam qenë ndonjëherë me njeri. Atëherë do të mendoj për kohën kur do të jem po kaq afër time shoqeje. Ajo është ende, e shihni, një grua zgjuese. Për një çast do t’i mbyll sytë dhe sytë e mprehtë, të vendosur të gruas tjetër do të shikojnë në të mitë. Koka ime do të notojë dhe sakaq do t’i menjëherë hap sytë dhe do të shoh përsëri bashkëshorten time të dashur me të cilën kam marrë përsipër përgjegjësinë të jetoj jetën time. Pastaj do të fle dhe kur të zgjohem në mëngjes, do të jetë krejt si atë mbrëmje kur dola nga banesa ime e errët pasi kisha përjetuar përvojën më të domethënëse të jetës sime. Ajo që dua të them, besoj e kuptoni, është se për mua, pasi të zgjohem, gruaja tjetër do të jetë zhdukur plotësisht”.

Përktheu nga anglishtja Granit Zela. Marrë nga numri 16 i revistës “Akademia”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lenore Kandel  Poezia nuk komprometohet kurrë. Ajo është manifestim –…