
Gruda: Është e papranueshme që asnjë kërkesë e mbrojtjes nuk merret parasysh nga Gjykata Speciale
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka shprehur keqardhje ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, që sot e kanë refuzuar mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ai ka vlerësuar se ky ishte një rast i humbur për të forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare.
Në një konferencë për media, ai ka vlerësuar se është e papranueshme që kjo gjykatë të mos e marrë parasysh asnjë kërkesë të mbrojtjes.
“Partia Demokratike e Kosovës, pa u futur në paragjykime për prapaskenat e këtij vendimi, shpreh keqardhje të thellë, sepse ky ishte një rast i humbur për të forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe në parimet themelore që ajo duhet të mishërojë: objektivitetin, paanshmërinë dhe të vërtetën. Është e papranueshme që asnjë kërkesë e mbrojtjes nuk merret parasysh, ndërkohë që gjykata dhe prokuroria veprojnë si një trup i vetëm”, ka thënë ai.
Ai ka bërë me dije se deri me tani kjo gjykatë nuk e ka trajtuar në mënyrë të barabartë mbrojtjen me prokurorinë.
“Megjithatë, ne besojmë fuqishëm se drejtësia, sado që vonon, në fund gjithmonë mbështetet mbi të vërtetën. Dhe e vërteta në këtë rast është e pakontestueshme: Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Prandaj, e presim me besim të palëkundur vendimin përfundimtar për lirimin e tyre të plotë dhe të përhershëm”, është shprehur Gruda.