Parandalohet kontrabanda me cigare në aeroportin ‘Adem Jashari’
Policia e Kosovës ka bërë me dije se në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kanë parandaluar tentimet për kontrabandë me cigare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Në njoftimin e policisë është thënë se në dy raste të ndara, janë ndaluar dy shtetas të huaj në tentativë për t’i larguar nga Kosova rreth 375 boksa cigare të llojeve të ndryshme, të padeklaruara dhe pa banderola.
“Pasagjerët kishin fshehur cigaret në valixhe dhe i kishin dorëzuar në check-in për fluturim drejt Londrës. Sasitë e sekuestruara përfshijnë ‘Malboro’ të kaltër, të bardhë, të kuqe, si dhe marka tjera të njohura. Në të dy rastet, mallrat janë zbuluar në bashkëpunim edhe me Njësitin e Informacionit të Pasagjereve (PIU). Të gjitha produktet janë sekuestruar dhe rastet janë proceduar për hetim të mëtejshëm nga Dogana e Kosovës. Policia dhe Dogana e Kosovës mbeten të përkushtuara në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e ligjshmërisë në vend”, ka njoftuar policia.




