Gruda i PDK-së: Transparency International vërtetoi se Kosova udhëhiqet nga një qeveri e korruptuar

31 janar 2024 | 11:54

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se raporti i Transparency International, ka vërtetuar se Kosova po udhëhiqet nga një qeveri e korruptuar, e paaftë dhe e dëmshme për shtetin dhe qytetarët.

Gruda në një konferencë për medie, ka thënë se është tejet shqetësuese mungesa e vullnetit politik nga Qeveria Kurti për të luftuar korrupsionin, e cila, përveç kësaj, tashmë ka marrë në mbrojtje zyrtarët e saj të korruptuar duke penguar hetimet e pavarura.

“Edhe një herë me radhë, raportet ndërkombëtare po dëshmojnë se Qeveria e Kosovës, përmes zyrtarëve të saj, po vazhdon të sulmojë organet e drejtësisë, të mbrojë njerëzit e saj të korruptuar dhe të pengoj hetimet e pavarura ndaj tyre. Këtë, dje e dëshmoi edhe Transparency International, e cila në publikimin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2023, ka renditur Kosovën në pozitën e 83-të në ranglistën botërore, me vetëm 41 pikë. Pra gjatë vitit të kaluar, Kosova nuk ka pasur asnjë progres në luftën kundër korrupsionit. Republika e Kosovës në rang botëror mban pozitën e 83-të, njëjtë me vendet si Burkina Faso, Afrika e Jugut dhe Vietnami”, ka thënë Gruda.

Ai ka thënë se PDK-ja ka denoncuar vazhdimisht, gjatë tri viteve të kaluara të kësaj qeverie, tendencat dhe veprimet e saj kundër sistemit të drejtësisë në vend, si shkarkimi i shefit të njësisë së veçantë të hetimeve në Policinë e Kosovës, Shemsi Haziri me qëllim të pengimit të hetimeve për korrupsion ndaj drejtori të KEK-ut Nagip Krasniqi, si dhe pengimi i konstituimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e aferës me vjedhjen e rezervave shtetërore nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i publikuar nga Transparency International, konstaton këtë në mënyrë shumë të qartë. Aty thuhet se ndërhyrja e vazhdueshme e qeverisë në çështjet gjyqësore, e ilustruar me shkarkimin e kreut të njësisë së hetimit të posaçëm të policisë, së bashku me pengimin nga deputetët e mazhorancës të një hetimi parlamentar për një rast të dyshuar për korrupsion të madh, sugjerojnë se vullneti politik për të hequr dorë nga kontrolli dhe forcimi i mbikëqyrjes së pavarur ende nuk ekziston”, ka thënë Gruda.

Më tutje, ai ka ftuar qeverinë të ndalojë menjëherë sulmet ndaj organeve të drejtësisë dhe t’i hapë rrugë hetimeve të pavarura deri në zbardhjen e të vërtetës së plotë të të gjitha aferave korruptive.

“Prandaj, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, i bëjmë thirrje Qeverisë, ashtu siç kemi bërë gjatë tri viteve të kaluara, që të ndalojë menjëherë sulmet ndaj organeve të drejtësisë, mbrojtjen e zyrtarëve të korruptuar dhe të i hapë rrugë menjëherë hetimeve të pavarura deri në zbardhjen e të vërtetës së plotë të të gjitha aferave korruptive, e të cilat janë të shumta, ku zyrtarët e saj tashmë janë të përfshirë”, ka thënë Gruda.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në takimin…