
Guardiola ‘qan’ largimin e De Bruyne: Është i dyti pas Messit
Kevin De Bruyne do t’i thotë lamtumirë tifozëve të Manchester City këtë të martë në “Etihad Stadium”, pas një dekade të mbushur me suksese në radhët e kampionëve të Anglisë. Mesfushori belg, që nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube me Cityn, do të luajë ndeshjen e fundit në shtëpi ndaj Bournemouth-it, ndërsa fundjava do të mbyllë përfundimisht kapitullin e tij “blu”, me sfidën kundër Fulhamit.
Në konferencën për shtypin përpara sfidës me Bournemouthin, trajneri Pep Guardiola nuk i kurseu lavdërimet për njeriun që ka qenë zemra e skuadrës së tij për më shumë se një dekadë.
“Do të jetë shumë e vështirë të gjejmë një tjetër si ai”, ka thënë Guardiola. “Ai është ndër tre më të mirët që kam parë ndonjëherë. Njëri është Messi, më i miri që kam parë, sepse ai e bën gjithçka shumë afër zonës. Hmm… le ta mendoj… po, do ta vendos Kevinin të dytin. Ka statistikat, golat, asistimet, gjithçka që i jep skuadrës në një të tretën e fundit të fushës. Është një talent i rrallë. Prandaj ka qenë një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e këtij klubi”.
Që nga transferimi i tij nga Wolfsburgu në vitin 2015, De Bruyne ka fituar 16 trofe me Manchester City, përfshirë gjashtë tituj të Premier Ligës dhe një Ligë të Kampionëve historik në vitin 2023.
Të martën, tifozët e “Etihad”-it do të përshëndesin për herë të fundit idhullin e tyre. Dhe ndërsa një epokë mbyllet për De Bruyne, trashëgimia që ai lë pas është e pamatshme një nga më të mirët që ka veshur ndonjëherë fanellën e Cityt dhe, sipas Guardiolës, një prej të paktëve që mund të qëndrojë në krah të Lionel Messit.