
Gucati: Albin Kurti po e braktis UÇK-në, në Hagë po gjykohet Kosova, jo individët
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka kritikuar qeverinë dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për qëndrimin e tyre ndaj procesit gjyqësor në Hagë kundër liderëve të UÇK-së.
Në një intervistë për “Ekonomia Online”, Gucati ka thënë se reagimet e qeverisë kanë qenë të vonuara dhe pa ndjenjë të vërtetë.
“Është e vërtetë që ne kemi dërguar një letër, nuk janë përgjigjur asnjëherë, reagimet e fundit të tyre kanë qenë sot përmes mediave të Hekuran Muratit, pleqtë kanë thënë më mirë vonë se kurrë. Por, reagimi i tyre është i ftohtë. Lëvizja Vetëvendosje, nuk dua t’i fajësoj të gjithë, por LV-ja e ka në maje të gjuhës UÇK-në, por me zemër nuk e ka me shpirt. Po ta kishte, do të sillej ndryshe me pjesëtarët e UÇK-së. Ne e dimë se çka mendon LV-ja për ne, për Hashimin, Jakupin, Veselin dhe Selimin, kështu që reagimet e tyre janë të vonshme por janë të mirëseardhura, por nuk e kanë me shpirt, nuk e besoj”, ka deklaruar Gucati.
Ai ka shprehur zhgënjim ndaj mosreagimit të institucioneve në kohën kur zyrtari amerikan James Rubin kishte bërë deklarata të forta kundër Gjykatës Speciale.
“Ne duhet të respektojmë njëri-tjetrin, por këta nuk janë duke na nderuar, përkundrazi po na fyejnë shumë, siç juve gazetarëve, neve pak më tepër, neve na thonë se je bashkëpunëtor me Serbinë. Mua sidomos më kanë thënë edhe shokët e mi. Kanë gabuar që nuk kanë dalë më herët me deklarata, pikërisht kur ishte James Rubin, që ka dhënë deklarata bombastike, që ka bombarduar Gjykatën Speciale”, ka thënë ai.
Sipas tij, nuk po gjykohen individë, por UÇK-ja dhe vetë Kosova. “Fatkeqësisht, Albin Kurti është kryeministër i vendit në këtë kohë”, ka thënë Gucati, duke kërkuar mbështetje më të qartë dhe më të sinqertë nga udhëheqësit shtetërorë.
Ai e ka “thumbuar” ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Muratin që ka thënë në konferencë për medie se Gjykata Speciale është e padrejtë e ka uruar që krerët e UÇK-së të dalin të pafajshëm.
“Është dashtë të dalë nesër me falënderuar Amerikën. Tani është koha e zgjedhjeve dhe sot del Hekuran Murati thotë: ‘Dhashtë Zoti të dalin më shpejtë, është gjykatë e padrejtë’. Ne e dimë që ka qenë gabim që është votuar, por dil më herët dhe përshëndete mikun që na ka ndihmuar në ditë të vështira, të paktën falënderim. Ku është i zoti i shtëpisë, ku është kryeministri i vendit tim? Duhet të dalin në emër të qytetarëve, sepse ata që po gjykohen janë qytetarë të Kosovës. Atje nuk po dënohet Hashim Thaçi, as baci Jakup, por dënohet UÇK-ja dhe Kosova. Këtë pafytyrësi ta bën Albin Kurti, fatkeqësisht ka qëlluar kryeministër i vendit”, ka thënë Gucati.