
Guvernatori Ismaili flet për sfidat dhe të arriturat e BQK-së, thotë se sistemi financiar në vend është i qëndrueshëm
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka folur për sfidat dhe të arriturat e institucionit që drejton për vitin 2024.
Ai ka theksuar se projeksionet e BQK-së janë që rritja ekonomike në Kosovë pritet të jetë rreth 4.3 për qind, kurse shkalla e inflacionit rreth 1.6 për qind, shkruan “Epoka e re”.
Në anën tjetër, dërgesat e mërgatës deri në muajin shtator 2024 arritën vlerën e 1 miliard eurove, ndërsa Investimet e Huaja Direkte deri në shtator 2024 arritën vlerën e 657.3 milionë eurove.
Sa i përket sektorit financiar, ai ka thënë se u rikonfirmua se sistemi financiar në vend është i qëndrueshëm, stabil, likuid dhe mirë i kapitalizuar, me cilësi të lartë të aseteve, është avancim në gjithëpërfshirjen dhe qasjen financiare të qytetarëve.
Ai ka thënë se me masat e ndërmarra nga BQK-ja, të njohura pozitivisht edhe nga vlerësimet ndërkombëtare për vendin në proceset integruese, është rritur dukshëm integriteti i sektorit financiar dhe rregulluar furnizimi me para i ekonomisë, është luftuar dukuria e parave të falsifikuara, është avancuar edukimi financiar, si dhe janë ndërmarrë veprime në aspekt të zbatimit të ligjshmërisë në sektorin financiar sipas legjislacionit përkatës.
“Progres i theksuar është shënuar në avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative të BQK-së, ndërsa po vazhdojnë reformat e nisura në avancimin e mbikëqyrjes financiare në banka, sigurime, institucione financiare jobankare, fonde pensionale, si dhe sistemin e pagesave. Vendime të rëndësishme janë ndërmarrë në këto drejtime, derisa partneriteti ndërkombëtar përmes asistencave të nevojshme teknike po mbështet fuqimisht këto reforma. Fillimi i zbatimit të shtesave të kapitalit si instrumente makroprudenciale në njërën anë, krahas rritjes substanciale të kontributit të bankave në Fondin e Sigurimit të Depozitave, e përcjellë me reformën e nisur në legjislacionin përkatës, do të ketë ndikim pozitiv si në rritjen e bazës se depozitarëve, po ashtu edhe të kreditimit dhe shërbimeve të tjera të ndërlidhura”, ka pohuar ai.
Sipas guvernatorit Ismaili, kreditimi është rritur në mënyrë të kënaqshme, duke e mbështetur ekonominë, ndërsa pritet që sektori ta rrisë edhe më tej konkurrueshmësinë dhe të ofrojë sa më shume produkte adekuate për kontekstin lokal të sektorit financiar të vendit.
Ndërkaq thotë se legjislacioni i ri pritet të ndikojë pozitivisht në këtë drejtim, bashkë me fuqizimin e sektorit financiar.
“Treguesi i kredive joperformuese (NPL) vazhdon të mbetet i ulët prej 2 % sipas të dhënave të muajit nëntor 2024, përkatësisht 2.4 për qind për sektorin e ndërmarrjeve dhe 1.5 për qind për ekonomitë familjare. Për sa i përket performacës së sektorit financiar, numri i llogarive ka arritur në 2.5 milionë prej të cilave mbi 1 milion kanë qasje në shërbimet e e-bankingut. Numri i transaksioneve në POS brenda një viti është rritur me 39 %, ndërsa numri i transaksioneve në ATM deri në fund të muajit nëntor 2024 është rritur vetëm 4 %.Vlen të theksohet se si rezultat i zbatimit të plotë të Llogarisë së Pagesës me Shërbime Bazike, deri më tani janë konvertuar rreth 390 mijë llogari si të tilla, duke ndikuar drejtpërdrejt në koston e transaksioneve bankare të qytetareve tanë”, është shprehur guvernatori i BQK-së.
Në prezantim të reformave të brendshme organizative, ai theksoi se është rishikuar struktura organizative, duke u fokusuar në objektivat dhe planin strategjik, i cili potencoi se “është funksionalizuar Bordi Ekzekutiv, është forcuar qeverisja korporatave dhe janë funksionalizuar të gjitha strukturat e nevojshme të BQK-së, siç është konfirmuar edhe nga raportet ndërkombëtare”.
Në kuadër të avokimit dhe ndërkombëtarizimit të BQK-së dhe sektorit financiar, guvernatori Ismaili tregoi se janë zhvilluar dhjetëra vizita me institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe takime me përfaqësitë ndërkombëtare, që veprojnë në Republikën e Kosovës.
Gjithashtu, ai bëri me dije se BQK-ja gjatë këtij viti ka përmbyllur para-aplikimin për Zonën Unike të Pagesave në euro e njohur si SEPA te Komisioni Evropian. “Menjëherë pas miratimit të tri ligjeve të rëndësishme për sektorin financiar, si: Ligji për Bankat, Ligji për Shërbimet e Pagesave dhe plotësim/ndryshimet e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, Bordi i BQK-së miratoi njëzet rregulloret përkatëse të cilat ishin të nevojshme për aplikim dhe të cilat hyjnë në fuqi pas hyrjes në fuqi të ligjeve respektive”, thotë ai.
Duke folur për projektet dhe aktivitetet strategjike që lidhen me gjithë përfshirjen financiare të qytetarëve, guvernatori Ismaili ka treguar se janë bërë përmirësime në pjesën e mbrojtjes së konsumatorit, ku është krijuar departamenti i ri, me qëllim të shqyrtimit të praktikave të tregut.
Më tutje, ai ka potencuar se është avancuar dhe rritur numri i publikimeve në kanalet e komunikimit të BQK-së, duke përfshirë publikime të rregullta të ngjarjeve, zhvillimeve dhe infografikave që janë të interesit për publikun.
Po ashtu, guvernatori Ismaili ka treguar se tashmë është funksionalizuar dhe po lansohet Platforma për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare në kuadër të edukimit financiar, zhvilluar për t’u përdorur nga konsumatorët për informimin dhe krahasimin e tarifave të produkteve dhe shërbimeve që ofrohen nga institucionet financiare. /Epoka e re