PËRKUJTIM PËR BASHKËVEPRIMTARIN BAHRI FAZLIU (1971-1998)
Shkruan: Skënder Haliti
27 vjet më parë, më 7 maj 1998, në tre-kufirin Kosovë-Mal i Zi -Shqipëri u martirizua Heroi Bahri Fazliu. Ai asokohe ishte heroi i dytë, në familjen Fazliu. Nëntë vite më herët në Bregun e Diellit në Prishtinë, për të njëjtin ideal kishte rënë vëllai i tij , Fahri Fazliu. Nëse Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia i kishin treguar pushtuesit serb se koha e veprimtarisë politike pa armë po merrte fund, në kohën kur ra Bahriu tashmë gjithçka kishte ndryshuar me themel.
Kosova, pas qëndresës të Legjendarit të UÇK-së Adem Jashari dhe Familjes Jashari në Prekaz, në fillim të marsit 1998, kishte hyrë në një rrugë që nuk lejonte më kthim pas. Tashmë ajo tashmë ishte Kryengritje e armatosur, çlirimtare, kundër Serbisë pushtuese. Serbia fashistoide edhe pse ende besonte në mënyrë fanatike te superioritetit të saj ushtarak dhe politika që në raport me shqiptarët gjatë gjithë shekullit XX ishte treguar e zonja të rrëzonte me lehtësi pretendimet e tyre të drejta, tashmë, për herë të parë pas 45 vitesh sundim të përgjakshëm po e shihte veten para një sfide të madhe. Aksionet e UÇK-së që filluan më 1996, pak kohë pas përfundimit të Konferencës së Dayton-it, ku çështja e Kosovës nuk ishte përmend fare, tanimë nuk ishin thjesht aksione guerile, sepse me dhjetëra mijë njerëz me armë në dorë i ishin bashkuar Kryengritje së armatosur. Në një kohë kur vegjëlia çlirimtare ishte hedhur në Kryengritje çlirimtare, ishte rreshtuar në radhët e saj, rrjedhimisht edhe UÇK-ja do të ndryshonte strategjinë e saj të luftës.
Pikërisht në këtë kohë, për të cilën Bahriu me familjen dhe shokët e tij kishin bërë aq shumë, pra që kundërshtimi ndaj Serbisë të përshkallëzohej në një kryengritje të armatosur çlirimtare, në agimin e lirisë ai do të martirizohej në kufirin që i ndante trojet shqiptare që prej një shekulli.
Bahriu që në moshë shumë të re u kyç në luftën politike që bënin grupet ilegale kundër Jugosllavisë dhe politikave të saj kundër-shqiptare. Ai burgoset me 21 dhjetor 1989 si nxënës i shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë. Pas shpërndarjes së trakteve burgoset shoku i tij, Imer Krasniqi dhe disa ditë më vonë edhe Bahriu, i cili u arrestua në kohën që kishte shkuar tek familja e Imerit për të vënë kontakt me të. Në këtë kohë ai veprimtarinë e tij e zhvillonte së bashku me Haki Gashin dhe Avni Gecin. Pas daljes nga burgu në qershor të vitit 1990 së bashku me vëllanë e tij Nebihun dhe Sali Mustafën krijuan një celulë klandesrine. Në këtë kohë ne do të takoheshim në një ambient përballë Radio Prishtinës. Ai më foli për kohën e kaluar në burg dhe për hetimet. Më tha, UDB-ja i kishte nxjerrë një fotografi ku shiheshim Fahriu, Isak Maloku dhe unë dhe kishin kërkuar nga ai që të tregonte se kush ishin këta dy “terroristë” e tjerë, d.m.th. unë dhe Isaku. Bahriu nuk e kishte zbuluar emrin tim, por ishte i bindur se UDB-ja kishte informacion të mjaftueshëm dhe se arrestimi im ishte thjesht çështje kohe. Në këto rrethana ai më këshilloi që të veproj fshehtas apo të largohem nga Kosova.
Ata që e kanë njohur nga afër Bahriun, dhe njëri ndër ata kam qenë edhe unë, e dinë se sa i dashur, i afërt dhe i duruar ishte ai me shokët. Vendosmëria dhe përkushtimi i tij u dëshmuan atëherë kur erdhi dita që atdheu lëshoi kushtrimin e lirisë. Pushka e tij iu bashkua pushkëve të tjera që do t’i kthenin dinjitetin e nëpërkëmbur nga serbët! Në të vërtetë pushka e tij kishte qenë një pushkë prijatare. Nëse do të sillnim disa të dhëna krejt elementare biografike për Bahri Fazliun, atëherë do të shihej se jeta e tij e ishte e shkurtër, por shumë intensive për sa i përket angazhimit të tij politik për çështjen e çlirimit të kombit tonë të robëruar.
Bahriu u lind në fshatin Llaushë të Besianës, më 31 gusht 1971. Atje kreu edhe shkollën fillore, ndërsa gjimnazin e mbaroi në Prishtinë ku edhe do të fillonte studimet në shkencat ekonomike. Bahri Fazliu ishte njëri nga bashkëthemeluesit e LKÇK-së në vitin 1993. Për gjashtë vite me radhë do të jetonte në klandestinitet të plotë. Në këtë kohë krahas punës intensive propaganduese dhe agjitative në terren, ku nuk ishte e lehtë të përballeshe me ideologjinë joshëse të politikës paqësore, që premtonte lirinë pa luftë dhe pa sakrificë, Bahri Fazliu një punë të madhe do të bënte edhe në organin mujor “Çlirimi”. Si anëtar i redaksisë dhe pastaj, nga viti 1997, edhe si kryeredaktor i saj, Bahriu me penën e tij të mprehtë si publicist politik dhe si poet u angazhua për një politikë aktive që do ta përgatiste popullin për ndeshjen e pa shmangshme të armatosur me armikun. Në funksion të mobilizimit të forcave të shëndosha ai do të kishte shumë kontakte me patriotë të viseve të ndryshme shqiptare. Ai pati mbajtur kontakte edhe me Zahir Pajazitin. Në fakt gjithë jeta e tij ka qenë një përkushtim i madh, një përkushtim me pushkë dhe pendë për lirinë e popullit të tij.
I përhershëm kujtimi dhe respekti për Heroin Bahri Fazliu!
Lavdi gjithë dëshmorëve kombëtar!



