Përçarja shqiptare, fitorja e të tjerëve

05 qershor 2026 | 14:22

Hanife Salihu

Shqipëria po kalon një periudhë ku zhurma po dëgjohet më shumë se zëri i arsyes. Dallimet në mendime janë normale dhe të nevojshme në çdo shoqëri, por shqetësuese bëhet kur ato shndërrohen në ndarje që dobësojnë frymën e përbashkët kombëtare. Në vend që të kërkohen pikat që bashkojnë shqiptarët, gjithnjë e më shpesh theksohen ato që i ndajnë. Krijohet përshtypja se energjia po harxhohet në përballje të pafundme, ndërsa çështjet që kërkojnë unitet dhe vizion të përbashkët mbeten në plan të dytë. Shqipëria ka nevojë për më shumë urtësi, më shumë mirëkuptim dhe më shumë vetëdije se asnjë shoqëri nuk forcohet duke thelluar hendekët brenda vetes. Sepse kur mungon bashkimi, humbet forca që e çon një komb përpara.

Në Maqedoninë e Veriut, çështje që janë fituar me mund, sakrificë dhe gjak po vihen sërish në pikëpyetje. Të drejta që dikur konsideroheshin të panegociueshme po përballen me sfida të reja, ndërsa shqetësues mbetet fakti se shpesh mungon reagimi dhe uniteti që kërkojnë rrethanat. Historia ka dëshmuar se asnjë e drejtë nuk është fituar lehtë dhe as nuk ruhet vetvetiu. Pikërisht për këtë arsye, shqiptarët atje kanë nevojë për më shumë bashkim rreth interesave të përbashkëta dhe më pak ndarje që dobësojnë fuqinë e zërit të tyre. Kur sfidat rriten, përçarja nuk është zgjidhje; ajo vetëm e bën më të vështirë mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave që janë arritur me aq shumë sakrificë.

Ndërkohë, Kosova Lindore ka mbetur në “mëshirën” e Serbisë, sepse ata që do të duhej ta mbështesnin më fuqishëm janë të zënë me konfliktet, interesat dhe përplasjet e tyre të brendshme. Shqiptarët e asaj pjese vazhdojnë të përballen me sfida të shumta, ndërsa vëmendja ndaj tyre po zbehet dita-ditës.
E në Kosovë, në vend që të gëzohet dhe të forcohet çdo ditë liria e fituar me aq shumë sakrifica, gjak, masakra dhe plagë të rënda historike, po krijohet një klimë që shpesh e zbeh frymën e unitetit kombëtar. Në vend që energjia të përqendrohet te zhvillimi, mirëqenia dhe e ardhmja e përbashkët, shoqëria po përballet me polarizim të thelluar, me gjuhë përçarëse dhe me një debat publik që gjithnjë e më shpesh largohet nga kultura e respektit.

Vërtetë, çdo gjë është bërë e tepërt. Është bërë e papërballueshme. Në një kohë kur këto shtete duhet të ndërtojnë politika zhvillimore, avancuese dhe progresive, të forcojnë ekonominë, arsimin, kulturën dhe pozitën kombëtare të shqiptarëve, ato shpesh mbeten të ngujuara në grindje të brendshme, në përçarje dhe në beteja të kota politike. Në vend që të ecim përpara, po rrezikojmë të kthehemi prapa.

Në vend të bashkëpunimit po mbillet ndarja; në vend të unitetit po ushqehet përçarja; në vend të dialogut po dominojnë fyerjet, etiketimet dhe përplasjet e pafundme. Krijohet përshtypja sikur po harrojmë se liria nuk ishte dhuratë, por rezultat i një sakrifice të jashtëzakonshme kolektive. Dhe kur harrohet pesha e asaj sakrifice, rrezikojmë të humbim jo lirinë si status, por frymën që e bëri të mundur arritjen e saj.

Nëse Shqipëria po përballet me mungesën e harmonisë së brendshme, e Maqedonia e Veriut me sfida ndaj të drejtave të fituara me shumë mund, e Kosova me gjuhë përçarëse, atëherë tabloja bëhet edhe më shqetësuese kur shohim se shqiptarët jashtë këtyre qendrave mbeten gjithnjë e më shumë në harresë.

Nganjëherë njeriu detyrohet të pyesë veten: an mos vallë, në kohët më të vështira, kur ishim të robëruar, ishim më të bashkuar shpirtërisht sesa sot? Sepse atëherë, pavarësisht kufijve dhe rrethanave, ekzistonte një ndjenjë më e fortë e përkatësisë, e solidaritetit dhe e përgjegjësisë ndaj njëri-tjetrit. Nuk e dëgjonim këtë gjuhë përçmuese, nënvlerësuese dhe armiqësore mes vetes. Nuk e shihnim këtë ethe për ta rrëzuar njëri-tjetrin me çdo kusht.

A e shihni deri ku kemi mbërritur? Në vend që energjitë tona t’i drejtojmë kundër padrejtësive, varfërisë, korrupsionit dhe sfidave që na rrethojnë, shpesh i drejtojmë kundër vetvetes. Dhe kur një komb fillon të lodhet duke luftuar me veten, rrezikon të humbasë kohë të çmuar për zhvillim, përparim dhe forcim.
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për urtësi, për dialog, për respekt të ndërsjellë dhe për një vetëdije më të madhe kombëtare. Sepse liria nuk është vetëm fitore e së kaluarës; ajo është përgjegjësi e përditshme për ta ruajtur, forcuar dhe shndërruar në mirëqenie për brezat që vijnë. Nëse vazhdojmë të përçahemi dhe të harxhojmë energjitë në konflikte të brendshme, rrezikojmë që vetë ta zbehim atë që gjenerata të tëra e fituan me sakrificë.

Dhe shtrohet pyetja: pse erdhëm deri në këtë pikë? Kujt po ia bëjmë argatin? A po veprojmë me vetëdije, apo kemi rënë në grackën e shërbimeve dhe interesave të huaja, të cilat po e arrijnë qëllimin e tyre pikërisht përmes nesh?

Ndryshe nuk shpjegohet. Kjo plasaritje e madhe nuk u shërben shqiptarëve. Ajo dobëson pozitën tonë kombëtare, zbeh zërin tonë dhe na largon nga interesat e përbashkëta. E, për fat të keq, sa më shumë thellohet kjo ndarje, aq më shumë duket se dashakeqët e kombit shqiptar po i arrijnë qëllimet e tyre, qoftë përmes veprimeve tona të vetëdijshme apo të pavetëdijshme.

Historia na ka mësuar se shqiptarët kanë qenë më të fortë kur kanë ditur të qëndrojnë bashkë. Prandaj, para se të kërkojmë fajtorët diku tjetër, duhet të shikojmë veten dhe të pyesim: a po ndërtojmë ura mes nesh, apo po hapim hendekë të rinj? Sepse e ardhmja jonë nuk varet vetëm nga ata që na duan të dobët, por edhe nga aftësia jonë për të mos u bërë pjesë e lojës së tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka nisur ndërtimi i urës së tretë mbi lumin Ibër…