Dilema e madhe e elektoratit të Kosovës: mes lëmoshës 100 eurosh dhe mungesës së një opozite me vizion
Shkruan: Eki Rrahmani
Drejtësia sociale nuk ndërtohet me pagesa të njëhershme para zgjedhjeve. Ajo ndërtohet me rritje ekonomike, me arsim më të mirë, me institucione funksionale, me shëndetësi që punon, me vende pune të qëndrueshme dhe me një shtet që di ta planifikojë të ardhmen.
Prandaj pyetja nuk është vetëm nëse 100 eurot e fundit janë ndihmë sociale apo kalkulim elektoral. Pyetja më e madhe është kjo: a ka Kosova një klasë politike, në pushtet dhe në opozitë, që di të mendojë përtej zgjedhjeve të radhës?
Në një kohë kur bota po kalon nëpër krizën më të madhe gjeopolitike që nga Lufta e Dytë Botërore, kur lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme, inflacioni, çmimet, energjia, klima dhe Inteligjenca Artificiale po e riformësojnë rendin global, Kosova vazhdon të sillet sikur problemi kryesor i saj është fushata e radhës.
Ne, siç thoshin pleqtë, jemi “vrima e fundit e kavallit” në këtë rend të madh botëror. Por kjo nuk do të thotë se duhet të rrimë duarkryq. Përkundrazi, pikërisht pse jemi të vegjël, duhet të jemi më të mençur, më të shpejtë dhe më strategjikë. Duhet të përgatitemi me politika fiskale që nxisin ekonominë, me investime në vend, me trajnim profesional, me ngritje serioze të cilësisë së arsimit, me heqje të burokracisë së panevojshme, kërkesave të vulave dhe sidomos vërtetimeve.
Në vend të kësaj, kemi hyrë në një cikël të lodhshëm zgjedhor. Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja, të tretave në pak më shumë se një vit. Në një kohë kur shtetet serioze po përgatiten për ekonomi lufte, për tranzicion energjetik, për teknologji të reja dhe për riorganizim të zinxhirëve globalë të furnizimit, ne po merremi përsëri me inate personale, kalkulime partiake dhe interesa të politikave ditore.
Dikur në Perëndim qeshnin me Maqedoninë e Veriut dhe projektin “Shkupi 2014”. Një projekt që me çdo kusht mundohej për të krijuar një mit modern kombëtar, dhe që përziente pa asnjë logjikë historike mitet e Greqisë Antike me figurat e socializmit dhe Rilindjes – ku statuja e Aleksandrit të Madh qëndronte krahas asaj të Goce Delçevit. Kritikët e quanin me të drejtë një lloj “Mickey Mouse Park” arkitekturor, të paguar me qindra miliona euro në një kohë kur rajoni lëngonte nga kriza greke. Sot, në mënyrën tonë, edhe ne po bëhemi për t’u qeshur. Jo sepse po ndërtojmë statuja, por sepse në në këtë kohë krize, në vend të politikave zhvillimore po shpërndajmë lëmoshë para zgjedhjeve.
Nuk po hy këtu nëse 100 eurot janë blerje votash apo jo. Këtë e di më së miri elektorati. Por politikisht është e pamundur të mos shtrohet pyetja: a është kjo mënyra se si ndërtohet drejtësia sociale? A zgjidhet varfëria me një pagesë të njëhershme? A bëhet shteti më i drejtë kur qytetari merr 100 euro para zgjedhjeve, ndërsa sistemi që e ka sjellë në atë gjendje mbetet i paprekur?
Këto para mund ta ndihmojnë dikë për disa ditë, ndoshta për një javë a dy. Por ato nuk ndërtojnë ekonomi. Nuk krijojnë vende pune. Nuk reformojnë arsimin. Nuk blejnë aparatura moderne për QKUK-në. Nuk pastrojnë ajrin. Nuk ndërtojnë çerdhe. Nuk e ulin numrin e nxënësve në klasa. Nuk e ndalin ikjen e të rinjve. Dhe mbi të gjitha, nuk prodhojnë dinjitet afatgjatë. Si arriti Kosova të ngecë në këtë flluskë politike, ku nuk arrin të shikojë përpara? Arsyeja nuk është vetëm një. Por një ndër arsyet kryesore, sipas meje, është komoditeti politik që ka gjetur Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje – LVV, përballë një opozite pa vizion të qartë, pa strategji të re dhe pa aftësi për ta sfiduar pushtetin seriozisht.
Me fjalë të tjera, “Baba” – siç po e quajnë disa militantë të LVVsë që besojnë në kultin e figurës së kryeministrit — e ka gjetur belesh. Jo sepse është i pathyeshëm. Jo sepse qeveria e tij nuk bën gabime. Përkundrazi, ka bërë shumë gabime. Por sepse përballë tij nuk ka një opozitë që di ta kthejë pakënaqësinë në alternativë politike, e sidomos në vota.
Dhe kur nuk ka opozitë të denjë, bie edhe standardi i vendimmarrjes së pushtetit. Kur qeveria e di se, çfarëdo që të bëjë, nuk ka kush ta ndëshkojë politikisht, atëherë fillon komoditeti. Fillon arroganca. Fillon bindja se mjafton të menaxhohet emocioni i elektoratit, jo të qeveriset vendi me vizion.
Elektorati, sidomos ai 10 apo 15 për qind që votojnë, e që nëse e ndryshojnë votën mund ta ndryshojnë rezultatin, pra nëse lëviz nga njëra anë në tjetrën (Swing voters), shpesh thonë të njëjtën gjë: “Nuk kemi kë tjetër ta votojmë.” Kjo fjali është tragjedia e vërtetë e opozitës në Kosovë. Nuk është kompliment për Kurtin. Është aktakuzë ndaj opozitës.
Bedri Hamza, lideri i Partisë Demokrarike të Kosovës – PDK, dikur shihej si një kandidat serioz, ndoshta edhe si kryeministër në pritje. Kishte imazh më të qetë, më teknik, më institucional. Por ai nuk arriti ta kthejë atë pritje, atë bujë dhe atë “hype” në energji politike reale – me than troç në vota. Edhe më keq, nga dëshpërimi apo mungesa e një strategjie të qartë, po bën zgjedhje të gabuara, një pas tjetrës. Me gjithë respektin për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së, dhe për luftën e tyre të drejtë, që bashkë me ndërhyrjen e NATO-s nga ajri çliruan Kosovën nga regjimi barbar i Millosheviqit, atë argument duhet ta parkojmë anash kur flasim për qeverisjen e së ardhmes. Lufta është themeli i lirisë sonë. Por nuk mund të jetë program ekonomik. Nuk mund të jetë reformë arsimore. Nuk mund të jetë strategji shëndetësore. Nuk mund të jetë plan për Inteligjencën Artificiale, energjinë e pastër apo investimet e huaja.
Këtë duhet ta kuptojë PDK-ja kur rikthehet vazhdimisht te UÇK-ja si bosht elektoral. Po ashtu, këtë duhet ta kuptojë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK-ja, kur e përdor, ose ndonjëherë e keqpërdor, figurën e Ibrahim Rugovës. Rugova është pjesë themelore e historisë politike të Kosovës. UÇK-ja është pjesë themelore e lirisë së Kosovës. Por zgjedhjet nuk fitohen më duke rrahur tupanat e së kaluarës.
Zgjedhjet fitohen me kuadro të reja, me njerëz të zotë, me ide të qarta dhe me një vullnet të pastër për ta ndryshuar vendin për të mirë.
Kritika ndaj instrumentalizimit politik të UÇK-së apo Rugovës nuk është mungesë respekti për historinë. Është kërkesë që historia të mos e zëvendësojë programin qeverisës.
E njëjta dilemë vlen edhe për LDK-në. Si mund t’i fitojë zgjedhjet një parti me të njëjtin kryetar që i ka humbur zgjedhjet tre herë radhazi? Si mund të krijojë ndjesinë e ndryshimit Lumir Abdixhiku vetëm duke e riformatuar skenën, apo duke bërë selfie nëpër tubime pranë Vjosa Osmanit, tani pasi që ajo u kthye në orbitën e LDK-së? Kjo nuk është çështje personale kundër Abdixhikut. Është çështje politike. Vjosa Osmani vetë është shembull i një figure që dikur u pa si simbol i ndryshimit, por që me kalimin e kohës mbeti peng i vendimeve të veta politike dhe i gjykimit të dobët institucional. Kur Presidentja e Kosovës e përdor peshën e zyrës së saj për ta promovuar një film si “Melania”, shtrohet pyetja serioze: a e kupton ajo peshën simbolike të Presidencës?
Nuk është problemi vetëm te një film. Problemi është te gjykimi institucional. Te ndjesia se Presidenca shpesh merret më shumë me spektakël, fotografi, ceremoni dhe medalje sesa me peshën politike që duhet ta ketë në momentet kyçe të shtetit. Edhe medaljet me bollëk të Presidencës, të ndara vetëm pak ditë para skadimit të mandatit, sidomos ato post-mortem, shumë qytetarë i kanë parë më tepër si kalkulim elektoral dhe simbolikë e konsumuar, sesa si akt i matur shtetëror.
Ndoshta ky perceptim është i padrejtë. Por edhe perceptimi në politikë ka peshë. Një presidente duhet ta dijë këtë.
I njëjti problem vlen edhe për Bedri Hamzën kur pozon me imazhe nga Haga apo kur krijon zhurmë politike rreth rreshtimit të Fatmir Limajt krah PDK-së. Pa mohuar asgjë nga roli i z. Limaj në historinë politike e luftarake të vendit, mbetet fakt që ai nuk arriti ta shndërronte partinë e tij në një faktor serioz në skenën politike – dhe ky dështim e bën atë një figurë të konsumuar. Riciklimi i figurave të shpenzuara nuk prodhon të ardhme. Nuk prodhon shpresë. Nuk krijon përshtypjen se po vjen diçka e re.
Po e them këtë me dhembje, sepse ua dua të mirën të gjithë këtyre njerëzve dhe mbi të gjitha popullit të Kosovës. Por Kosovës nuk i duhen më zgjedhje të reja si zgjidhje magjike. Nuk i duhet as riciklim i politikanëve që nuk arritën ta çojnë vendin përpara. I duhet një prishje e rehatisë politike. I duhet një opozitë që nuk kënaqet me reagime ditore, por ndërton strategji.
Problemi me partitë opozitare nuk është vetëm te ndërrimi i liderëve, edhe pse kjo duhet të ndodhë kur humbjet bëhen të përsëritura. Problemi më i madh është mungesa e strategjisë, mungesa e mësimit nga gabimet dhe mungesa e një debati serioz brenda partive për hartimin e politikave të mirëfillta.
Çka do të ofroni në zgjedhjet e ardhshme? Si do ta rrisni ekonominë? Si do ta ndalni ikjen e të rinjve? Si do ta reformoni arsimin? Si do ta pastroni ambientin? Si do ta forconi shëndetësinë? Si do t’i lidhni universitetet me tregun e punës? Si do ta përdorni diasporën si kapital zhvillimor, e jo vetëm si bankomat emocional në kohë zgjedhjesh?
Dhe, po aq e rëndësishme: si do t’i komunikoni këto politika në bazë? Me çfarë organizimi nga poshtë-lart ( grassroots movement)? Me çfarë lëvizjeje qytetare? Nuk bëhet politikë moderne vetëm me konferenca shtypi, studio televizive dhe statuse në Facebook. Duhet punë në terren.
Duhet dëgjim. Duhet organizim. Duhet program.
Duhet durim.
Duhen politika largpamëse. Më shumë se kurrë, partive opozitare u duhen njerëz dhe teknokratë jashtë politikës tradicionale: ekonomistë seriozë, njerëz të teknologjisë, ekspertë të energjisë, urbanistë, mjekë, arsimtarë, ambientalistë, njerëz të diasporës, profesionistë që i kuptojnë nevojat e së ardhmes më mirë se ata që kanë kaluar gjithë jetën brenda kalkulimeve partiake.
Një problem tjetër i opozitës është fragmentimi i votës dhe paaftësia për të bërë opozitë të vërtetë. Si ka mundësi që Përparim Rama, kryetari i Komunës së Prishtinës, për momentin shihet nga shumëkush si i vetmi lider opozitar që ka ngritur zërin dhe ka bërë politikë të denjë e të dukshme kundër Albin Kurtit? Ku janë liderët e partive opozitare? Ku janë deputetët? Ku janë ekipet programore? Ku janë platformat e qarta? Kjo ndodh sepse asnjëra parti opozitare nuk ka një plan të mirëfilltë se si të operojë përballë Kurtit. Dhe, çka është edhe më keq, z. Kurti e di këtë. Ai e di se opozita reagon, por rrallë ndërton. E di se opozita kritikon, por rrallë ofron. E di se opozita zemërohet, por nuk organizohet. Ky komoditet është problem për popullin, sepse pa opozitë të fortë edhe pushteti e humb mprehtësinë e vendimmarrjes.
Askush nuk bëhet më i mirë kur nuk sfidohet. As kryeministri. As qeveria. As partitë. Demokracia nuk matet vetëm me zgjedhje. Matet me cilësinë e alternativës. Pa opozitë serioze, pushteti fillon të besojë se është i pazëvendësueshëm. Dhe kur një pushtet fillon ta besojë këtë, problemi nuk është më vetëm elektoral. Bëhet problem shtetëror.
Kosova nuk ka më luksin të sillet sikur viti 1999 ishte dje. U bënë 26 vjet. Boll më me fushata që ndërtohen rreth luftës, Rugovës, Serbisë dhe kujtesës historike si zëvendësim për program. Ato tema janë të rëndësishme. Janë pjesë e identitetit tonë. Por le t’i dokumentojmë ne gazetarët, shkrimtarët, historianët dhe kineastët.
Politika duhet ta mbrojë kujtesën, por nuk guxon ta përdorë si perde për mungesën e vizionit. Dhe, paraprakisht, mos të biem aq poshtë sa çdo kritikë ta kthejmë në etiketime: “tradhtar”, “nuk e respekton UÇK-në”, “nuk e respekton Rugovën”. Ky është niveli më i ulët i debatit publik. Një shoqëri që nuk di të debatojë pa sharë, nuk di as të ndërtojë shtet të mirë. Ne duhet të mësojmë të debatojmë me argumente, me fakte dhe me respekt, edhe kur nuk pajtohemi.
Duhet ta zhvendosim debatin te ekonomia, zhvillimi, energjia e pastër, drejtësia sociale, arsimi, shëndetësia, mjedisi dhe teknologjia. Si do të merremi me bërllokun dhe mbeturinat? Si do ta ulim ndotjen e ajrit? Si do t’i edukojmë qytetarët që të mos e trajtojnë hapësirën publike si tokë të askujt? Si do t’i bëjmë qytetet tona të jetueshme?
Çfarë do të bëjmë me arsimin? Pse në shumë shkolla fillore në kryeqytet klasat kanë nga 30 e kusur nxënës, e diku-diku afro 40 nxënës me një mësuese apo mësues? Si mund të flasim për cilësi arsimi kur mësuesi nuk ka kohë as ta njohë secilin nxënës si duhet? Si do ta lidhim arsimin me tregun e punës? Si do të sigurohemi që të rinjtë tanë të mos dalin nga universiteti me diploma, por pa aftësi reale?
Çfarë do të bëjmë me shëndetësinë? A mos do të ishte më mirë që një pjesë e atyre dhjetëra miliona eurove, që sot shpërndahen si ndihmë e njëhershme, të investoheshin në aparaturë moderne për QKUK-në, në trajnim të mjekëve, në digjitalizim të shërbimeve dhe në diagnostikë më të shpejtë?
Çfarë do të bëjmë me teknologjinë? A mos do të ishte më mirë të investohej seriozisht në laboratorë, në printerë 3D, në qendra trajnimi për Inteligjencë Artificiale dhe në programe që i përgatisin të rinjtë për tregun global të punës? Në vend se të japim lëmoshë para zgjedhjeve, pse të mos ndërtojmë një brez që mund të fitojë nga Kosova për tregun botëror?
A janë duke bërë liderët tanë, në pozitë dhe opozitë, mjaftueshëm në politikën e jashtme? Ku është statusi ndërkombëtar i Kosovës? Cili është vizioni pesëvjeçar, dhjetëvjeçar apo njëzetvjeçar? Pse nuk ka një strategji kombëtare më të gjerë brenda hapësirës shqiptare — në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi? Si do të koordinohemi me njëri-tjetrin pa rënë në folklor, pa prodhuar frikë te të tjerët, por duke ndërtuar peshë politike, ekonomike dhe kulturore?
Cila është strategjia jonë karshi Evropës dhe Amerikës? Po karshi Britanisë, Kinës, Indisë,
Turqisë dhe vendeve të Gjirit? Në shekullin ku Inteligjenca Artificiale po e fut botën në një transformim të thellë, si po përgatitet Kosova? Si do ta marrë një pjesë më të madhe të kësaj torte globale? Si do t’i bëjmë të rinjtë dhe të rejat tona pjesë të këtij tregu, jo vetëm konsumatorë të teknologjisë, por krijues të saj?
Prandaj, mjaft më me kriza sintetike. Krizat reale janë shumë afër dhe të gjithë po i përjetojmë: inflacioni, kostoja e jetesës, ndotja e ambientit, ikja e të rinjve, dobësia e arsimit, mungesa e sigurisë ekonomike. Nuk kemi nevojë që politika të na prodhojë edhe kriza artificiale për të mbuluar dështimet e veta.
Në këtë kuptim, “Baba” nuk duhet të bëhet si Boris Johnson apo Donald Trump, politikanë që shpesh e kanë kthyer krizën në mjet komunikimi. Sa më shumë kriza prodhohen, aq më pak llogaridhënie kërkohet. Sa më shumë zhurmë ka, aq më pak shihet dështimi. Sa më shumë tension, aq më lehtë është të shitesh si shpëtimtar.
Edhe në Kosovë ekziston ky rrezik. Sa më keq që bëhet situata, sa më shumë vështirësohet jeta, aq më shumë mund të pretendojë pushteti se vetëm ai mund ta mbajë vendin në këmbë. Por shteti nuk mbahet me dramë të përhershme. Shteti mbahet me institucione, me plan, me punë dhe me llogaridhënie.
Nëse na duhet një shembull për ta parë se çfarë mund të bëjë një shtet i vogël kur ka vizion, disiplinë dhe institucione funksionale, le ta shikojmë Singaporin. Jo për ta kopjuar verbërisht, sepse Kosova nuk është Singapor dhe as historia jonë nuk është e njëjtë, por për ta kuptuar një gjë të thjeshtë: pasuritë natyrore nuk mjaftojnë. Ato mund të jenë bekim, por mund të mbeten edhe pasuri e fjetur nën tokë, nëse shteti nuk di t’i kthejë në zhvillim.
Lee Kuan Yew, ‘Baba’ dhe themeluesi politik i Singaporit modern, e mori drejtimin e vendit si kryeministër në vitin 1959 dhe qëndroi në atë detyrë deri në vitin 1990. Singapori u bë shtet i pavarur më 9 gusht 1965, pas ndarjes nga Malajzia. Në atë kohë ishte një qytet-shtet i vogël, pa pasuri natyrore, pa hapësirë të mjaftueshme dhe me pasiguri të madhe për të ardhmen. Sot është ndër ekonomitë më të pasura dhe më të organizuara në botë. Shifrat flasin më shumë se citatet. Në fillim të viteve ’60, Singapori kishte të ardhura për kokë banori në nivelin e disa qindra dollarëve. Sot, GDP-ja për kokë banori e Singaporit është mbi 90 mijë dollarë. Kjo nuk ndodhi me magji. Ndodhi sepse Singapori ndërtoi institucione, luftoi korrupsionin, investoi në arsim, në strehim publik, në tregti, në teknologji, në planifikim urban dhe në një administratë që dinte çfarë donte.
Kosova, në anën tjetër, ka pasuri natyrore, ka tokë, ka minerale, ka rini, ka diasporë, ka njerëz të shkolluar dhe energji të madhe njerëzore. Por këto nuk vlejnë shumë nëse mbesin vetëm si fjalë në fushata. Pasuria nën tokë nuk prodhon vetvetiu ekonomi. Rinia nuk bëhet vetvetiu fuqi punëtore moderne. Diaspora nuk investon seriozisht nëse shteti nuk krijon siguri, rregulla të qarta dhe besim.
Prandaj kontrasti mes Kosovës dhe Singaporit është i rëndësishëm. Një shtet mund të ketë pak burime natyrore dhe prapë të bëhet i pasur. Një shtet tjetër mund të ketë burime të shumta dhe prapë të mbetet i varfër, nëse nuk di t’i menaxhojë. Zhvillimi nuk vjen vetëm nga ajo që ke nën tokë, por nga ajo që ndërton mbi tokë:
shkolla, spitale, rrugë, energji, teknologji, administratë, drejtësi dhe besim publik. Këtu duhet të zhvendoset debati në Kosovë. Jo kush e do më shumë UÇK-në. Jo kush e përmend më shpesh Rugovën. Jo kush bën më shumë selfie nëpër tubime. Këto janë beteja të së kaluarës, të rëndësishme për historinë, por të pamjaftueshme për qeverisjen e së ardhmes. Pyetjet tani jan shumë më të thjeshta dhe me shumë rëndësi: kush ka plan për ta rritur ekonominë, për ta përmirësuar arsimin, për ta pastruar ambientin, për ta modernizuar shëndetësinë dhe për ta futur Kosovën në ekonominë e re të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale?
A do të vazhdojmë me pagesa të njëhershme prej 100 eurosh, apo do të ndërtojmë politika që krijojnë vende pune të qëndrueshme? A do të vazhdojmë të flasim për patriotizëm vetëm në tubime, apo do ta masim patriotizmin me cilësinë e shkollave, me pastërtinë e qyteteve, me funksionimin e spitaleve dhe me mundësinë që një i ri të mos e shohë largimin nga Kosova si planin e vetëm serioz për jetë?
Kjo është dilema e vërtetë e elektoratit të
Kosovës. Jo vetëm a do ta votojnë prapë “Babën”. Jo vetëm a do t’i japin edhe një rast opozitës. Pyetja është nëse qytetarët do të pranojnë edhe më tutje një politikë që jeton prej krize në krizë, prej zgjedhjesh në zgjedhje, prej lëmoshe në lëmoshë.
Kosovës nuk i duhet edhe një fushatë e zhurmshme pa përmbajtje. I duhet një debat serioz për shtetin që duam ta ndërtojmë në dhjetë, njëzet dhe tridhjetë vitet e ardhshme. Nëse opozita nuk e kupton këtë, Kurti do të vazhdojë ta ketë terrenin belesh. Dhe nëse Kurti nuk sfidohet nga një opozitë serioze, edhe ai vetë do ta humbë mprehtësinë e qeverisjes. Sepse demokracia nuk mbahet vetëm me zgjedhje. Mbahet me alternativë. Mbahet me debat. Mbahet me përgjegjësi. Dhe mbi të gjitha, mbahet me qytetarë që nuk kënaqen me 100 euro para zgjedhjeve, por kërkojnë një shtet që ua ndryshon jetën për më mirë.



