Krijimi i shoqatës “Komiteti i Fshehtë i Fierit” rreth viteve 1905-së, për hapjen e shkollave shqipe në Myzeqe e Mallakastër dhe mbrojtjen e tyre me çeta të armatosura
Hapja e disa shkollave fetare në gjuhën greke, qysh në kohët më të hershme pranë kishave e manastireve të Myzeqesë si në Apolloni, Ardenicë, Kolkondas, Shën Pjetër e tjerë, ndërtimi i katedrales së bukur të Shën Gjergjit në qytetin e Fierit më 1782, përfundimi qendrës së madhe tregtare me rreth 100 e ca dyqane përball saj më 1864, si dhe zhvillimi disi më i shpejt ekonomiko-shoqëror në këtë krahinë, çoi direkt edhe në rritjen e nivelit arsimor, kulturës dhe edukatës qytetare, ndërgjegjes kombëtare, por edhe të atij ideologjik e politik, te inteligjenca dhe patriotët tanë myzeqar.

Ish Katedralja e vjetër e Shën Gjergjit në qytetin e Fierit, e ndërtuar në vitin 1782 dhe prishur në vitin 1967. Fotografia është marrë në internet.
Ardhja nga Stambolli e vet zëvendëskryetarit të “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” Mehmet Ali Vrion në Fier dhe themelimi i Degës së saj me ndihmën e njerëzve të tij familjar, tregon qartë, për vlerësimin që i kushtoi kjo organizatë Myzeqesë si një krahinë e madhe, mjaft e pasur dhe tepër e rëndësishme, ku ajo duhej të kishte patjetër edhe prezencën e saj.
Ndërsa, me vizitën që bëri edhe kryetari i kësaj organizate politike dhe ushtarake shqiptare Abdyl bej Frashëri më 31 Tetor 1878-të dhe mbledhjen e tij, që ai zhvilloi me “Lidhjen e Fierit” dhe patriotët myzeqar, ky qytet mori një rol të ri lidershipi politik, tepër të veçantë, për të gjithë lëvizjen tonë kombëtare në atë kohë.
Orientimet e rēndësishme që jepte vazhdimisht “Lidhja e Fierit”, që ishte në krye të Popullit Myzeqar, si dhe porositë e veçanta që dha e detyrat që shtroi në fjalimin e tij ky kollos i Shqiptarizmës në këtë kuvend, hapën një tjetêr perspektivë të re edhe më të madhe, për të gjithë veprimtarinë patriotike në këtë krahinë shumë atdhetare, por edhe më gjerë, si në Mallakastër, Berat, Skrapar e tjerë.
Aty pas viteve 1900-të, me ringjalljen e frymës kombëtare, që kishin krijuar këto evenimente të rēndësishme, problemi më i madh dhe më i mprehtë, që i shqetsonte më shumë intelektualët dhe patriotët fierak në veçanti, por edhe ata myzeqar e mallakastriot, ishte përhapja e diturisë dhe e arsimit në gjuhën shqipe, si dhe ai i ngritjes së institucioneve (shkollave) të tyre, aq të domozdoshme për popullin tonë. Ata e dinin shumë mirë se, pas shkatërrimit të universiteteve tona të vjetra dhe me famë të Shkodrës, Durrësit dhe Apollonisë shekuj më parë, prej okupatorëve të shumtë barbar, që herë erdhën nga lindja e herë nga perëndimi, nuk mund të kishte përsëri një xhvillim e përparim të Kombit tonë, pa dituri, arsim dhe shkolla shqipe.
Duke qenë ende të okupuar, nën shtypjen e egër të zgjedhës osmane, e cila ja kishte ndaluar me ligj këtë të drejtë kombëtare Popullit Shqiptar, si dhe mallkimi, që i kishte bërë kisha shoviniste greke Gjuhës tonë hyjnore Shqipe, realizimi i kësaj dëshire mjaft të rëndësishme, ishte akoma tepër i vështirë.
Megjithatë edhe pse kjo e drejtë i ishte mohuar me forcë popullit tonë, intelektualët, patriotët, mësonjësit dhe klerikët përparimtar myzeqar, nuk e ndalën kurrë aktivitetin e tyre atdhetar dhe shfrytëzuan çdo lloj mundësie e hapsire të favorshme, që u krijohej, për arritjen e këtij qëllimi madhor.
Të parët, që e filluan këtë aktivitet e mision të shenjtë në krahinën e Myzeqesë, ishin priftërinjtë tanë patriot dhe dhaskallinjtë (mësonjësit) me taban kombëtar, të përgatitur në shkollat e Apollonisë, Ardenicës, Kolkondasit, gjimnazit francez “Zosimea” të Janinës dhe kolegje të tjera në vende të ndryshme europiane si Bukuresht , Stamboll, Athinë, Vienë, Sofie e tjerë.
Kështu, të brumosur me ndjenja të larta atdhetarie, të etur për ti shërbyer popullit në gjuhēn e vet dhe të betuar në simbolet e Kombit Shqiptar, atyre qoftë individualisht, apo edhe në bashkpunim e grup me njeri-tjetrin, u lindi edhe mendimi, dëshira dhe iniciativa, jo vetëm për ta kryer veprimtarinë e tyre në shqip, por edhe për ta braktisur gjuhën greke dhe nxijerrë atë jashtë kishave, manastireve dhe shkollave tona.
Një ndër pionierët e herëshëm, që e nisi në fshehtësi këtë aktivitet patriotik ishte edhe psalësi e mësonjësi i ri 16-17 vjeçar Thoma Aleks Ristani, nga fshati Nikas i Fierit, i cili kishte përfunduar me sukses të plot shkollën e Ardenicës dhe shërbente pranë Manastirit të Kolkondasit.

Manastiri i Kolkondasit (Fier), i ndërtuar gjatë viteve 1813-1814. Fotografia është marrë në internet.
Ky djalosh myzeqar, që nuk e njihte aspak frikën e xhandarëve turq, me guximin e tij që e karakterizonte, aty pas viteve 1900-të, në kundërshtim me ligjet turke dhe rregullat e kishës greke, filloi ti kryente shërbesat e tij fetare në shqip, duke i mësuar edhe nxënësit e shkollës në gjuhën tonë amtare.
Për këtë aktivitet patriotik, ky klerik përparimtar u denoncua shpejt dhe u largua menjëherë prej kishës, por edhe nga detyrat e tjera shoqërore e shtetërore, duke e nxjerrë atë me forcë edhe para organeve ligjore e gjykatave të regjimit turk.
Pavarësisht se ishte në moshë të re, ndaj tij u dhanë masa të rënda dënimi nga ana e kadinjëve turq dhe dhespotëve helenik, duke e shkishëruar dhe dëbuar(larguar me dhunë ) prej familjes dhe krahinës së Myzeqesë, ku ju ndalua përgjithmonë edhe hyrja brenda dy lumenjve Vjosë dhe Shkumbin.
Ky veprim i klerikut tonë mësonjës Thoma Ristani, në ato kohë mjaft të vështira, i cili kundërshtoi hapur ligjet osmane dhe rregullat antishqiptare të Kishës Ortodokse Greke, ishte një akt tepër i madh patriotik, që revoltoi shumë, si autoritetet e Portës së Lartë në Stamboll, ashtu dhe Sinodin e Shenjtë të Lerarhisë me në krye kryepeshkopin e Athinës.
Megjithëse regjimi osman dhe priftërinjtë vrastar të “Megali Idesë” e ndëshkuan me sanksione të rënda penale veprimtarinë e këtij atdhetari, populli dhe patriotët myzeqar e pritēn atë me një gëzim të paparë, të cilët, jo vetëm që e morën në mbrojtje, por dënuan me forcë edhe dhënien e këtij vendimi gjyqësor të padrejtë dhe tepër arbitrar, si dhe ushtrimin e dhunës fizike ndaj këtij adoleshenti, që e kishin parë të lidhur me litar pas kalit të asqerit, duke shkuar i rraskapitur rrugëve plot me baltë, që nga fshati Nikas, buzë Semanit dhe deri në vaun e Mifolit në Vjosë.
Kjo përkrahje e fuqishme dhe ky respekt kaq i lartë, që i dhanë myzeqarët tanë këtij patrioti, si dhe dashuria e madhe që kishte ai për popullin, gjuhën shqipe dhe atdheun, e forcuan edhe më tej vullnetin, dëshirën, dhe vendosmërinë te Thoma Ristani, për ti shërbyer edhe më shumë e me besnikëri Kombit të tij, duke arritur të qep edhe flamurin tonë Kuq e Zi, që ngriti Ismail Qemali në Vlorë më 28 nëntor 1912 -të, kur shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
Akti heroik i këtij djaloshi mësonjës, u bë shembull dhe burim frymëzimi edhe për dhjetra e qindra patriot të tjerë fierak e myzeqar, të cilët ecën fuqishëm në rrugën e tij, duke i kryer shërbime të mëdha popullit dhe çështjes tonë kombëtare.
Një ngjarje e tillë, çoi shumë shpejt edhe në rritjen, masivizimin dhe intensifikimin e veprimtarisë patriotike në qytetin e Fierit dhe krahinën e Myzeqesë, ku aktet heroike të atdhetarëve tanë dhe çetave e grupeve të tyre të armatosura kundër regjimit osman, po pasonin njëra tjetrën.
Tashmë kishte ardhur koha e krijimit të një shoqërie, qendre, organizate, apo “Komiteti të Fshehtë”, për organizimin, drejtimin dhe mirëmanaxhimin e veprimtarisë patriotike në këtë qytet dhe gjithë krahinën e Myzeqesë, por edhe për hapjen e shkollave shqipe me forcë dhe mbrojtjen e tyre me armë, nga veprimtaria subversive e terroriste e elementëve të ndryshëm sllavo-grekofil e pro turq.

Qyteti i Fierit gjatë viteve 1930.
Fotografia është marr në internet.
Në Myzeqe ka pasur mjaft gojëdhëna, tregime, e informacione, që rrëfenin se disa intelektual, patriot dhe luftëtar të shquar fierak, aty gjatë viteve 1904-1905, kanë zhvilluar një mbledhje tepër sekrete në qytetin e tyre dhe të gjithë së bashku e në unitet të plot me njeri-tjetrin, krijuan një organizatë patriotike, të cilën e kishin quajtur me emrin “Komiteti i Fshehtë i Fierit “.
Në kujtimet e saj Dhoksi Ristanit, për aktivitetin patriotik të babait të vet Thoma Aleks Ristani, që qepi edhe flamurin që ngriti Ismail Qemali në Vlorë më 28 Nëntor 1912-të, rreth bisedave që kishte zhvilluar me të gjatë viteve 1933-1934, para se ai të helmohej nga dora e zezë kriminale, e një vrasësi me pagesë në hanin e Fierit më 1935-së, ai ndër të tjera i kishte treguar se:
“… kur regjimi turk më dëboi nga shtëpia, manastiri i Kolkondasit dhe Myzeqeja, unë pas shumë vuajtjesh e sakrificash, fillova studimet në gjimnazin francez “Zosimea” të Janinës…pas një muaj e gjysmë mësim, drejtuesit grek të kësaj shkolle më përjashtuan për shkak se isha person i shkishëruar, që kisha shkelur rregullat e kishës greke dhe kryer veprimtari gjoja armiqsore kundër regjimit turk… për këtë arsye unë sëbashku me shumë student të tjerë shqiptar, të mbështetur edhe nga populli çam, bëmë disa tubime e mitingje para gjimnazit, dhe dënuam me forcë këshillin e mësonjësve, që përjashtonte e dënonte padrejtësisht studentët nga Shqipëria…të revoltuar shumë nga ky trajtim i keq që na u bë, unë megjithë nja dhjetë shok të tjerë nga Myzeqeja dhe krahina të tjera rreth saj, një natë shkuam buzë liqenit, në shtëpinë e një patrioti çam dhe aty krijuan një organizatë të fshehtë, për hapjen e shkollave shqipe në nahijen tonë dhe mbrojtjen e tyre me armë… pas kësaj ngjarje shokët e mi u kthyen në Fier, ndërsa unë shkova në shtëpinë time që kisha blerë në Skelë të Vlorës, sepse e kisha të ndaluar të vija në Myzeqe… ne takoheshim vazhdimish fshehurazi me shokët këtu në Shqipëri dhe kemi bërë shumë punë të mëdha, duke u ruajtur që mos të na zbulonin xhandarmëria osmane dhe hafijet e saj…këtë shoqatë ne e mbanim me paratë tona, duke paguar shpesh edhe persona të armatosur e kaçak, për kryerjen e detyrave që vendosnim për ti bërë…”.
Lidhur me këtë ngjarje tepër të rëndësishme, formimin e “Komitetit të Fshehtë të Fierit”, ka edhe dokumente të tjera në arkivin e shtetit, ku
në një informacion(të datës 31 tetor1878), që nënkonsulli Austro-Hungarez në Vlorë Calzavara i dërgon Vjenës, ndër të tjera shkruhet se :
“…Abdyli të cilin unë e njihja prej 12 vjetësh, ai nuk më njohu me qëllimin e udhëtimit të tij, duke më thënë se, vetëm do të shkonte në Fier…Abdyl Frashëri kur erdhi nga Vlora në Fier…Gjatë udhëtimit për pak sa nuk humbi jetën duke kaluar Vjosën e cila qe fryrë nga shirat e vjeshtës, që kishte arritur nivelin maksimal…”
Ndërsa në një raport tjetër, të nënkonsullit Austro-Hungarez të vendosur në Durrës, që mbanë datën 3 shtator 19012-të, ai i raporton shtetit të tij se:
“…në Fier është krijuar një shoqëri e fshehtë, që përpiqet të përhap arsimin shqip në Fier dhe Mallakastër…”.
Fatkeqësisht, duke mbajtur një qëndrim nëvleftësues ndaj kësaj ngjarje të rëndësishme, ashtu si dhe për evenimentet e tjera me vlera të mëdha kombëtare, ne sot nuk kemi më shumë informacione të sakta, apo dokumente arkivore historike, për të na treguar plotësisht, se kush ishin personat, që e krijuan këtë organizatë atdhetare, në çfarë date e themeluan atë dhe në cilin vend në qytetin e Fierit, u formua ky “Komitet i Fshehtë “.

At Spiro Saqellari
(1870-1918)
Lindur në Kolkondas Fier.
Patriot, luftëtar, prift, mësonjës, zv. komandant i çetës së Kolkondasit, dëshmor.
Nga rrëfime të ndryshme, apo tregime të shumta, që kanë qarkulluar në popull, rezulton se, krijuesit e kësaj shoqate sekrete kanë qenë patriotët, klerikët, mësonjësit dhe luftëtarët tanë, të shquar si Kostandin Minga, Mihal Bozo, Kovi Saqellari, Babë Dud(Jorgji) Karbunara, Jani Kostandin Minga, Llazar Bozo, at Kozma Dhima, at Spiro Saqellari, Tuni Gjergji, Jovan Kristo Ndreko, Zoji Pando Ndreko, Lam Shtëmbari, Xhemal Boce, Irakli Pylli(papa Isaia), hoxha Ymer Sulejman Driza, Llazi Koli Spiro, Thoma Aleks Ristani, Tonçi Kilica, e të tjerë.
Ky “Komitet i Fshehtë”, megjithëse për këtë dhe aktivitetin e tij është folur shumë pak, për të mos thënë fare, ai ka luajtur një rol shumë të madh, në rritjen dhe drejtimin e lëvizjes tonë patriotike në Myzeqe, por edhe në Vlorë, Mallakastër e tjerë. Nëpërmjet disa atdhetarëve myzeqar, që e flisnin mirë gjuhën rumune, ai ishte i lidhur ngushtë edhe me rilindësit dhe patriotët tanë që vepronin në Bukuresht, të cilët dërgonin vazhdimisht prej andej udhëzime, shkronja të alfabetit, libra shqipe, poezi e vjersha me përmbajtje kombëtare dhe mjete të tjera mësimore, shkrimi dhe financiare, me anë të karvaneve të ndryshme tregtare, që udhëtonin për në Rumani, e cila i përkrahte shumë të drejtat e shqiptarëve në atë periudhë kritike për kombin tonë, që vuante nën sundimin turk.
Në saj të punës së këtij Komiteti, gjatë viteve të para të shekullit të njëzetë, filloi edhe intensifikimi i kësaj veprimtarie, ku midis të tjerash, u krijuan edhe grupe e çeta të vogla të armatosura, që kryenin detyra të ndryshme luftarake, në shërbim të çështjes tonë kombëtare.
Ishin pikërisht puna, veprimtaria dhe aktiviteti i këtij “KOMITETI të FSHEHTË të FIERIT“, ato që çuan në realizimin e ëndrrës shekullore të myzeqarëve, për arsimim e dituri në gjuhën amtare, të cilat kurorëzuan me sukses të plot edhe hapjen e shkollës së parë shqipe në Libofshë më 25 gusht 1908-të, por edhe në qytetin e Vlorës gjatë këtij viti, nga mësonjësi Jani Minga dhe jo “Klubi Bashkimi” i Beratit, që kryesohej nga Babë Dudë(Jorgji) Karbunara, i cili natyrisht, që edhe ai, ka patur influencën dhe ndikimin e vet.
Duhet theksuar edhe fakti, se Berati si qendër administrative e regjimit turk, ku xhandarmëria
osmane kishte të dislokuara të gjitha forcat e saj në këtë qytet, “Klubi Bashkimi” qe vënë në ndjekje të vazhdueshme prej tyre dhe kishte marr goditje të rënda. Disa nga pjesëtarët e Klubit qenë arrestuar dhe vet drejtuesi i tij Jorgji Karbunara, rrinte i strehuar ilegalisht në Myzeqe, kështu që edhe aktiviteti i kësaj shoqate ishte i pamundur dhe qe ndërprerë pothuajse fare në ato vite.
Po kështu, nën frymën edhe të Kongresit të Manastirit për alfabetin e Gjuhës Shqipe, që u mblodhë nga data 14-të deri në 22 nëntor 1908 -të, disa kohë pas kësaj ngjarje me rëndësi të madhe mbarëkombëtare, edhe patriotët tanë cakranjot hapën shkollën e tyre shqipe në këtë fshat me mësonjësin korçar Vaskë Babati, që e sollën nga Bukureshti, i cili më vonë u pasua nga dhaskali Thanas Floqi.
Kështu gjatë këtyre viteve, në shumë fshatra të krahinës së Myzeqesë, si Shën Pjetër, Seman, Pojan, Radostinë (Ujëmirë), Ardenicë, Krutje, Libofshë, Kolkondas, Petoshaj e tjerë, kur ishim ende nën sundimin turk, u krijuan edhe mjaft grupe e çeta të vogla patriotike të armatosura, të cilat drejtoheshin nga patriot, luftëtar, mësonjës, klerik(priftërinj e hoxhallarë) përparimtar dhe konkretisht:
1.
Çeta e Shën-Pjetrës e drejtuar nga luftëtari, këngëtari dhe patrioti Llazi Koli Spiro.
2.
Grupi i armatosur i Semanit i drejtuar nga Irakli Pylli (papa Isaija, ose prifti me kobure (dëshmor).
3.
Grupi i armatosur i Pojanit, i drejtuar nga Tasi Doraci e Miti Dimo.
4.
Grupi i armatosur i Radostinës (Ujmirës), i drejtuar prej mësonjësit dhe hoxhës Ymer Sulejman Driza nga fshati Kutë i Mallakastrês.
5.
Çeta e armatosur e Ardenicë-Bubullimës e drejtuar nga mësonjësi Llazar Bozo.
6.
Çeta e Krutje-Fiersheganit e drejtuar nga patriotët dhe mësonjësit Lam Shtëmbari e Pal Kadillari.
7.
Grupi i armatosur i Libofshës, i drejtuar nga mësonjësit Jovan Ndreko dhe Zoji Ndreko (dëshmor).
8.
Çeta e armatosur e Kolkondasit e drejtuar nga mësonjësit at Kozma Dhima dhe at Spiro Saqellari (dëshmor).
9.
Grupi i armatosur i Petoshajt, i drejtuar nga mësonjësi Tuni Gjergji dhe patriotët Tasi Mitro Tushi (Kristiani) dhe Tasi Tika.
10.
Çeta e Karbunarës e drejtuar nga patrioti Taulla Sinani.
11.
Çeta e Ngurrzës e drejtuar nga patriotët Hajdar Ngurrëza e Jashar Blezencka.

Tasi Mitro Tushi
(1883-30. 11.1960)
Lindur në Pojan Fier.
Luftëtar, patriot, i përndjekur nga regjimi osman, drejtues i grupit të armatosur Petoshaj dhe anëtar i çetës patriotike të Kolkondasit.
Këto çeta dhe grupe të armatosura myzeqare, vendosën shumë shpejt lidhje, kontakte e bashkëveprime luftarake, jo vetëm midis tyre brenda krahinës, por edhe me ato të trojeve të tjera shqiptare, duke e rritur edhe me tej aktivitetin e vet patriotik, në shërbim të çështjes tonë kombëtare. Këtë bashkëpunim e tregon edhe fakti i vizitës së patriotit tonë të madh Mihal Grameno në Ardenicë , më 1913-të, i cili bëri një mbledhje pune me drejtuesit e çetave të nahijes tonë, por edhe me atdhetarët e tjerë nga krahinat përreth.
Në kujtimet e tij, patrioti pojanak Tasi Mitro Tushi, i rritur në Korkutas e Petoshaj, tregonte shpesh se:
“…ne si persona dhe anëtar të grupit tonë të armatosur në Petoshaj, me urdhër të marë nga mësonjësi Tuni Gjergji, at Kozma Dhima e at Spiro Saqellari, bënim shpeshherë roje gjatë natës, për mbrojtjen e shkollës tonë shqipe në Libofshë, nga ndonjë akt i dhunshëm, i elementeve keqbërës grekofil, apo i atyre ekstremist pro-turq…në popull filloi të bëhej një jehonë e madhe për shkollën tonë dhe kudo dëgjoheshin thirrje për braktisjen e shkollês greke në Manastirin e Kolkondasit…na erdhi shumë keq për shkollën shqipe, që hapi mësonjësi ynë myzeqar Jani Minga në qytetin e Vlorës e cila nuk u mbrojtë mirë dhe u la të shkatërrohej nga element të ndryshëm turkoshak, të paguar prej disa hoxhallarëve të dyshimtë, që shërbenin në xhamitë e këtij qyteti, të lidhur me regjimin osman…”.
Për të pasur një informacion akoma më të gjerë, mbi Myzeqenë e asaj kohe, është mirë të sqarojmë se, fetë dhe ndasitë e tyre, nuk ndikuan dot aspak , në veprimtarinë patriotike të myzeqarëve, të cilët nuk e përzien kurrë atë me problemin e relixhioneve, sepse interesat tona të shenjta kombëtare, ishin parësore dhe ato qëndronin mbi gjithçka dhe mbi çdo gjë në krahinën e tyre.

At Irakli Pylli(papa Isaija).
(1872-1944)
Patriot, mësonjës, rilindas, prift, dêshmor, Shën Pjetër Fier.
Fotografia është marë në internet.
Kështu aty rreth vitit 1910-të, dy mësonjës klerik në Myzeqe, at Irakli Pylli (Papa Isaija, ose prifti me kobure), mësonjës në shkollën e gjuhës greke, pranë kishës së Shën Pjetrës dhe hoxha Ymer Sulejman Driza në Mejteb-en (shkollën) turke të Radostinës (Ujëmirës), sfiduan ligjet e regjimit osman dhe filluan tu mësonin nxënësve të tyre alfabetin e gjuhës shqipe dhe historinë e Popullit Shqiptar.
Për këtë veprimtari gjoja të kundërligjshme, ata u arrestuan para nxënësve nga forcat e xhandarmërisë së xhonturqëve dhe pasi i lidhen me litar mbas kuajve, i prunë në qytetin e Fierit, ku ju varën edhe një këmborë e zile begatish në qafë më gjithë shkronjat shqipe në gjoks, duke i shetitur para popullit nëpër rrugë, pasi i kishin rrahur dhe torturuar për vdekje.
Ndërsa hoxhën Ymer Driza, asqerët osman e lanë të lirë që të kthehej në shtëpi, kurse priftin me kobure Irakli, pas torturash të rënda fizike e çuan diku në një pyll, që mos tu vdiste nëpër duar, ku ja shpëtuan jetën nxënësit dhe populli i tij.
Gjatë kryerjes së këtij operacioni famëkeq të regjimit osman kundër mësonjësve tanë myzeqar, fati bëri mbrekullinë, duke e ndihmuar shumë dheskalin e kishës së Shën Triadhës të fshatit Seman Liko Prençe, që u shpëtoi kalorësve xhonturq, i cili çau rrethimin dhe arriti të largohet me shpejtësi nga Myzeqeja, pasi edhe ai do të përballej me të njëjtën tragjedi dhune, si dy shokët e tij.
Arrestimi i patriotit Tasi Llazi Çuko nga fshati i Kolkondasit, dhe dhuna e ushtruar ndaj tij, ishte një akt tjetër i rëndë i fushatave kriminale, që ndërmerrte herë pas here regjimi osman kundër patriotëve e mësonjësve fierak, të cilat e shtuan edhe më shumë urrejtjen e popullit të Karatoprakut ndaj zgjedhës turke, por edhe veprimtarinë e atdhetarëve tanë kundër saj.
Taborët turq plot me xhandar, një ditë e rrethuan edhe dyqanin e tregtarit Kristo Lule në qytetin e Fierit, i cili binte libra shqip nga Bukureshti e Sofia, sëbashku me mësonjësin dhe rilindasin tonë të shquar at Spiro Saqellari.
Asqerët pasi bastisën dhe shkatërruan të gjitha mallrat, nxorën nga dyqani, të përgjakur e me duar të lidhura edhe patriotin Kristo, duke e tërhequr zvarrë pas kuajve, për në drejtim të Beratit dhe hapsanes së tij të frikëshme, ku u torturuan dhe vranë për shekuj me radhë dhjetëra mijëra patriot, klerik dhe luftëtar myzeqar. Edhe ky mësonjës e atdhetar trim, nuk u kthye më kurrë në shtëpinë dhe qytetin e tij të bukur të luleve e trëndafilave, që rrinin të çelura në çdo stinë, pasi ai u ekzekutua pa mëshirë prej bishave gjakatare dhe hordhive aziatike të Stambollit, që nuk njihnin gjë tjetër, vetëm dhunën dhe egërsinë.
Gojëdhënat tregojnë se, fill pas kësaj ngjarje, “Komiteti i Fshehte i Fierit”, ka organizuar një sulm të shpejt, duke aktivizuar e shpërblyer edhe disa kaçak të armatosur, për të marr hakë ndaj zabitit turk të Fierit, që organizoi dhe kryeu gjithë këta skenar krimi ndaj mësonjësve, kkerikëve dhe patriotëve tanë.
Për të vënë në vend nderin e këtyre heronjve martir, thuhet se në një mbrëmje vonë, patriotët myzeqar, me urdhër të kësaj organizate, kanë arritur ta plagosin rëndë zabitin turk afër kthesës së Patosit, duke u kthyer me tabor nga Berati, ngjarje e cila në radhët e strukturave të regjimit osman shkaktoi një panik të madh, kurse në popullin e qytetit të Fierit, ajo u prit me një gêzim të veçantë.

Ymer Sulejman Driza
(1867-1941, Kutë Mallakastër).
Patriot, mësonjës, rilindas, hoxhë në fshatin Radostinë(Ujëmirë) Fier.
Fotografia është marë në internet.
Jo vetëm kaq, por “Komiteti i Fshehtë” ju kundërpërgjigje menjëherë edhe dhunës së regjimit osman dhe mallkimeve të kishës antishqiptare greke, duke rihapur përsëri shkollën shqipe në Kaninë më 25 korrik 1910-të me mësonjësin Jani Minga, atë në Grabian, (Lushnje) më 1911-të, me mësonjësin at Spiro Saqellari si dhe në fshatin Divjakë me vëllezërit dhaskalinj Simon dhe Koli Profi Sako.
Thuhet se ky “Komitet i Fshehtë”, ka pasur, jo vetëm një organizim të përsosur, por edhe një disiplinë mjaft të lartë ushtarake, të cilat u shfaqën dukshëm gjatë tërë veprimtarisë së tij prej gati dy dekadash, deri me krijimin e shtetit shqiptar dhe të strukturave të tij në Shqipëri. Këtë e tregon edhe fakti se, aktivitetin e tij patriotik, nuk arritën dot kurrë ta zbulojnë shërbimet sekrete me përvojë të regjimit osman, ai i kishës greke, apo edhe ato të shfrytëzuesve italian, që vërshuan më vonë në Shqipëri, për kolonizimin dhe pushtimin e saj.
Veprimtaria e këtij Komiteti është shumë e gjerë dhe ajo, nuk mund të trajtohet vetëm me një shkrim të tillë, prandaj ky mision duhet tu mbetet si detyrë historianëve tanë të ardhshëm, të aftë e patriot, për ta zbardhur të gjithë aktivitetin e kësaj organizate patriotike dhe ushtarake, që i bëri shërbime tepër të mëdha, jo vetëm krahinës së Myzeqesë, por edhe Shqipërisë e tërë Kombit Shqiptar.
Le të shpresojmë se edhe shoqata jonë “Komiteti i Fshehtë i Fierit”, me drejtuesit dhe luftëtarët saj, të mbetur në harresë përmbi një shekull, për aktivitetin e tyre patriotik dhe kontributin e çmuar, që i dha çështjes tonë kombëtare, do të zënë një vend të merituar nderi, jo vetëm në historinë e krahinës së Myzeqesë, por edhe në atë të Shqipërisë.
Nga :
Themi J. Tushe
New York May 2026.



