Vrasja e policit, ministri Lamallari: Kam kërkuar nisjen e procedurave për ta shpallur dëshmor
Nga spitali i Traumës ku ka vizituar policin e plagosur ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka bërë me dije se rënia në krye të detyrës së 34-vjeçarit Enea Mekolli e ka çuar në 232 numrin e të rënëve në detyrë, ndërsa ka njoftuar se ka nisur procedurat për shpalljen dëshmor i atdheut.
“Kam kërkuar dhe nisjen e procedurave menjëherë edhe për shpalljen të dëshmorit i atdheut. Kemi plot 232 tashmë sot për fat të keq efektiv policie të cilët janë martirë të policisë. Është një fatkeqësi si për familjen dhe për gjithë shtetin shqiptar. Patjetër kam shprehur dhe më herët në komunikim dhe me drejtorin e përgjithshëm i kam kërkuar të bëhet një vlerësim i plotë katërcipërisht i situatës, respektimit të protokolleve dhe ndërmarrjes së veprimeve të duhura, disiplinore dhe çdo mase tjetër ligjore konform ligjit në fuqi dhe përgjegjësisë që gjithsecili duhet të ketë për menaxhimin e kësaj situate. Nga ana tjetër patjetër jemi pranë edhe familjes së efektivit të plagosur Edison Adri me çdo mbështetje të kërkuar dhe të nevojshme”, tha ai, raporton “A2CNN”.
Polici ka mbetur i vdekur gjatë operacionit për arrestimin e Violand Braçellari, i shpallur në kërkim dhe i dënuar në mungesë për afro 10 vjet.
Në shkëmbimin e zjarrit mbeti i plagosur edhe polici Edison Adri, i cili është jashtë rrezikut për jetën.



