Hagë: Gjykimi i Salih Mustafës do të fillojë më 15 shtator

18 qershor 2021 | 22:49

Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka vendosur që procesi gjyqësor ndaj Salih Mustafës, të fillojë më 15 shtator 2021.

Sipas njoftimit të Gjykatës Speciale, Prokurori i Specializuar do të ketë në dispozicion tre orë për deklaratën e tij hyrëse kurse përfaqësuesja e viktimave një orë e gjysmë.
Trupi gjykues vendosi që dy dëshmitarët e parë të thirrur nga Prokurori i Specializuar do të dëgjohen midis të hënës, 20 shtator 2021 dhe të martës, 28 shtator 2021, transmeton Telegrafi.

Kjo është çështja e parë para Dhomave të Specializuara të Kosovës për të cilën do të fillojë procesi gjyqësor.

Zyra e Prokurorisë Speciale (ZPS) në Hagë më 09.06. 2021 kishte kërkuar që më 12 korrik të këtij viti të nisë gjykimi në rastin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, por këtë datë e ka kundërshtuar mbrojtja e të akuzuarit, e cila propozoi që fillimi i gjykimit të nis pas pushimeve verore.

Në konferencën përgatitore për gjykim në rastin e Salih Mustafës, ZPS-ja ka propozuar krahas fillimit të gjykimit, më 15 korrik të nisë edhe marrja e dëshmive të dy dëshmitarëve.

Salih Mustafa, i njohur si komandanti “Cali” ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo datë po vazhdon të mbahet në paraburgim në Hagë.

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor. Më 28 shtator, ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa u paraqit para gjykatësit të procedurës paraprake.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një vrimë u hap papritur në parking dhe gëlltiti veturën…