Haki Morina: Hashim Thaçi, lideri që bashkoi Kosovën përtej ndarjeve dhe siguroi ndërtimin e institucioneve
Veprimtari i çështjes kombëtare, Haki Morina, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, ka reaguar lidhur me zhvillimet politike në Kosovë, duke ofruar një analizë të rolit historik të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe rrethanave që kanë ndikuar në konfigurimet elektorale ndër vite.
Sipas Morinës, fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje nuk është e rastësishme, pasi Albin Kurti ka arritur të mobilizojë shtresa të gjera shoqërore që nuk e kanë përkrahur luftën çlirimtare të UÇK-së dhe as ndërhyrjen e NATO-s. Ai thekson se këto shtresa, të cilat përbëjnë një pjesë të madhe të shoqërisë kosovare, janë bashkuar politikisht nën një mekanizëm të vetëm.
Morina kujton se, ndonëse lufta çlirimtare u zhvillua nga një pakicë e vendosur, ajo ishte vendimtare për të krijuar rrethanat që çuan në ndërhyrjen e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës. Në këtë kontekst, ai veçon figurën e Hashim Thaçit si liderin e vetëm që, sipas tij, arriti të “dekompozojë” këto shtresa jo-çlirimtare dhe të sigurojë mbështetje të mjaftueshme për krijimin e institucioneve shtetërore, duke dalë fitues në momente kyçe për vendin.
“Të tjerët nuk patën as aftësinë dhe as zotësinë për ta bërë këtë,” shprehet Morina, duke shtuar se edhe sot, këto shtresa të grumbulluara rreth Albin Kurtit vazhdojnë ta sulmojnë figurën e Hashim Thaçit, pavarësisht faktit që ai ndodhet në paraburgim dhe nuk ka mundësi të mbrohet.
Në fund të reagimit të tij, Morina ka ndarë edhe një fotografi personale, ku shfaqet babai i tij së bashku me Hashim Thaçin në vitin 2005, si dëshmi e respektit dhe vlerësimit të tij për ish-presidentin dhe rolin e tij në historinë e Kosovës.



