Hamza: Qytetarët kanë nevojë për paga më të larta dhe çmime më të ulëta, jo për propagandë e përçarje
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka vizituar familjen e Afrim Mexhuanit në Obiliq, ku tha se gjendja ekonomike dhe vështirësitë e qytetarëve janë bërë të papërballueshme për shumë familje në Kosovë.
Hamza u shpreh se gjatë vizitës ka dëgjuar nga afër shqetësimet me të cilat përballen qytetarët çdo ditë, duke përmendur rritjen e çmimeve, pagat e ulëta dhe mungesën e perspektivës.
“Jeta në Kosovë është bërë e vështirë për shumë familje. Në Obiliq, te familja e Afrim Mexhuanit, dëgjova nga afër brengat që sot i kanë mijëra qytetarë: çmime të larta, paga të pamjaftueshme dhe mungesë perspektive”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka kritikuar qasjen e qeverisë aktuale, duke thënë se vendi nuk ka nevojë për “propagandë e përçarje”, por për institucione që merren me problemet reale të qytetarëve.
Sipas Hamzës, Kosova ka nevojë për politika që sigurojnë paga më të larta, çmime më të ulëta dhe më shumë dinjitet për familjet kosovare.
Në fund të mesazhit të tij, kandidati i PDK-së ka bërë thirrje për ndryshim në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Më 7 qershor, ta bëjmë bashkë kthesën e madhe”, ka përfunduar ai.



