Hapet zyra për programin “Evropa Kreative”

17 janar 2019 | 13:29

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” të enjten është hapur zyra për programin “Evropa Kreative-Kosovë”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporti, Kujtim Gashi, ka thënë se hapja e zyrës për programin “Evropa Kreative” është një aktivitet i rëndësishëm kulturor për faktin që Kosova do të përfitojë tashmë nga programi i Bashkimit Evropian “Evropa Kreative”, sektorët e saj kulturorë dhe krijues do të forcohen, ndërsa audiencat në Kosovë dhe përtej do të përfitojnë nga shtimi i diversitetit kulturor.

“Evropa Kreative do t’u mundësojë mijëra artistëve dhe profesionistëve të kulturës, si dhe mijëra organizatave krijuese dhe botuesve, të punojnë së bashku dhe t’i bëjnë veprat e tyre krijuese të disponueshme për miliona qytetarë, me ç’rast organizatat kosovare do të kenë mundësi të aplikojnë për grante për projekte shumëvjeçare bashkëpunimi, për përkthime librash, për krijimin e platformave kulturore shumëkombëshe”, ka thënë ministri Gashi.

Ai ka shtuar se pjesëmarrja në programin “Evropa Kreative” do të kontribuojë njëkohësisht në forcimin e kapaciteteve në sektorin kulturor dhe krijues duke promovuar lëvizjen e veprave dhe platformave kulturore dhe duke përmirësuar qasjen në veprat kulturore dhe krijuese evropiane si dhe në forcimin e inovacionit dhe krijimtarisë në fushën e kulturës.

Po ashtu ministri Gashi ka thënë se kjo marrëveshje e arritur me Komisionin Evropian synon integrimin e Kosovës në rrjetet evropiane të komunikimit dhe të kulturës, duke e bërë Kosovën pjesë të hartës kulturore evropiane, përmes asaj që quhet diplomaci dhe integrim kulturor.

“Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ratifikimit dhe hyrjes në fuqi, ne si Ministri kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për krijimin e strukturave përkatëse, themelimin dhe funksionalizimin e Zyrës për Programin ‘Evropa Kreative’, në kuadër të kësaj, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbetet në vazhdimësi e përkushtuar që të krijojë dhe të zhvillojë politika, ambient dhe mekanizma të përshtatshëm për promovimin e aktiviteteve kulturore”, ka deklaruar ministri Gashi.

Ndërkaq ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka thënë se ky program do t’ju mundësojë artistëtëve kosovarë t’i promovojnë veprimtaritë e tyre artistike në gjithë botën.

“Ministria që unë drejtoj ka mandat për krijimin e donacioneve në vend dhe përfituesit të donacioneve të jenë të gjithë sektorët në Kosovë”, ka thënë Hoxha.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ishte njoftuar paraprakisht se komisionari evropian për zgjerimin, Johannes Hahn,…