Haradinaj: AAK-së po i bashkohen gra të dëshmuara dhe të afta për të marrë përgjegjësi shtetërore

09 mars 2024 | 16:38

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot ka takuar strukturat e Aleancës së Gruas, me ç’rast thotë se në këtë takim kanë diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe për atë se si duhet të fuqizohet ky organ i partisë.

Haradinaj ka thënë se partisë së tij po i bashkohen gra të dëshmuara dhe të afta për të marrë përgjegjësi jo vetëm partiake e komunale, por edhe shtetërore.

“Gruaja në Aleancë ka pasur dhe ka hapësirë të mjaftueshme për veprim. Dyert tona mbeten të hapura për të gjitha ato gra që kanë ide e vullnet për ta dhënë kontributin e tyre për vendin”, ka shkruar Haradinaj.

Postimi i tij i plotë:

Sot, drekë pune me strukturat e Aleancës së Gruas. Diskutuam bashkë për zhvillimet politike në vend, aspektet e organizimit dhe të fuqizimit të AGK-së dhe përgjithësisht Aleancës, duke vënë theksin në sfidat dhe mundësitë që na presin në vijim të këtij viti. Shpreha mirënjohjen për kryetaren Diellza Kukaj për angazhimin e palodhur, si dhe ndaj strukturave tjera të AGK-së, angazhim i cili ka ndikuar në një mobilizim më të mirë duke sjellë një frymë shumë pozitive në Aleancë.

Aleancës po i bashkohen gra të dëshmuara e të afta për të marrë mbi supe përgjegjësi jo vetëm partiake e komunale, por edhe shtetërore. Gruaja në Aleancë ka pasur dhe ka hapësirë të mjaftueshme për veprim. Dyert tona mbeten të hapura për të gjitha ato gra që kanë ide e vullnet për ta dhënë kontributin e tyre për vendin.

Bashkë do t’ia dalim ta bëjmë Kosovën vend të jetueshëm për qytetarët e saj. Kemi dëshmuar se mundemi!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri,  në DPT…