Haradinaj: Do ta shqyrtoja nëse do të propozohesha për president
Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka rikonfirmuar gatishmërinë për ta shqyrtuar kandidimin për president, nëse një kërkesë e tillë vjen nga opozita e bashkuar.
Ai ka përsëritur qëndrimin se nuk do të pranojë asnjë ofertë për bashkëqeverisje me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Opozita mundet pra, me hy e me qenë faktor në marrjen e fatit të vendit në dorë, duke pasur një kontratë mes vete edhe një kandidaturë për president. Nëse dikush nga opozita e merr mbështetjen e opozitës, gjithsesi që do ta mbështesja, e nëse do të isha unë i propozuar do ta shqyrtoja. Pra, nuk jam kandidat, nuk kam kushte, nuk kam kërkesë për askënd. Ne nuk bëhemi pjesë e qeverisjes ose vazhdimit të qeverisjes Kurti, se e kemi shpjeguar disa herë sa e dëmshme edhe sa humbje është për Kosovën”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka vlerësuar se për Kosovën është jetike ulja e përkrahjes për Kurtin, pasi sipas tij, politikat e tij po e dëmtojnë vendin.
“Ne po jetojmë në epokën Kurti, që i vjen ai kur ka 40% ose mbi 40 deputetë, do ta zbatojë agjendën e tij në Kosovë. Ndikimi ynë, ose ne do të mundshim me jetuar jo vetëm në epokën e tij por edhe në epokën e të tjerëve, sikur të kishim një kontratë të përbashkët si opozitë. Pra, AAK dhe LDK, PDK, edhe një plan konkret, një kandidaturë konkrete”, ka thënë ai.
Sipas Haradinajt, vetëm një marrëveshje e përbashkët e opozitës mund të krijojë një alternativë politike ndaj Vetëvendosjes dhe qeverisjes së Kurtit.



