Haradinaj: Duhet ta përmirësojmë jetën e fëmijëve tanë

18 janar 12:00

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në lansimin e Indeksit Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0, të organizuar nga koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve-KOMF.

Me këtë rast Haradinaj ka falënderuar koalicionin e OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve, duke thënë se ngjarja e sotme dëshmon një vetëdije të ngritur të shoqërisë civile në Kosovë.

Ai ka vlerësuar se ka qenë një situatë e ndjeshme për fëmijët, në këto 18 vjet të pas luftës në Kosovë, situatë kjo që sipas Haradinajt, ndoshta e ka bërë të pamundur vëmendjen e duhur edhe institucionale edhe të mekanizmave, pikërisht për temat e ndjeshme, siç janë të drejtat e fëmijëve.

“Megjithëkëtë, Kosova është e përcaktuar që të bazohet në normat dhe marrëveshjet ndërkombëtare mbi të drejtat e fëmijëve dhe për këtë është e gatshme dhe hynë në obligim, duke përfshirë Konventën për të Drejtat e Fëmijëve të vitit 1989. Është në hartim e sipër Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijës dhe po ashtu është në hartim Strategjia dhe Plani Nacional i Veprimit  për të Drejtat e Fëmijëve”, ka deklaruar Haradinaj, duke shtuar se këto janë norma ligjore, me të cilat nuk përfundon puna e Qeverisë së vendit, por fillon, pra zbatueshmëri e vazhdueshme.

Ai ka theksuar se Qeveria ka bërë përpjekje për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga ekspozimet e gabuara, si rasti i narkotikëve në shkolla, por se, mbetet ende punë për t’u bërë në këtë drejtim. Një tjetër shqetësim është edhe mungesa e çerdheve jo vetëm në zonat rurale, por edhe në ato urbane.

“Jam i vetëdijshëm se pa punën e gjithë neve, të drejtat e fëmijëve, mbrojtja, vetëdijesimi i mëtejmë edhe shoqëror, edhe institucional dhe gjithë mekanizmave tjerë, nuk ka përmirësim të jetës së fëmijëve”, është shprehur kryeministri Haradinaj.

Ndërkohë drejtoresha ekzekutive e koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve-KOMF, Donjetë Kelmendi, ka theksuar se indeksi vlerëson pesë dimensione të veprimit të qeverisë për secilin prej neneve që i referohen mbrojtjes së fëmijës. Ajo ka treguar se këto pesë dimensione janë: politikat dhe ligjet, shërbimet, kapaciteti, koordinimi dhe llogaridhënia.

Pas fjalëve përshëndetëse të shefit të Sektorit të Bashkëpunimit, Zyra e BE-së në Kosovë, Luigi Brusa dhe avokatit të Popullit, Hilmi Jashari, u bë edhe prezantimi i të gjeturave të Indeksit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Afati kalimtar i dimrit nuk do të sjellë asnjë lojtar…