Haradinaj: Duke e kujtuar lavdinë e Ukshin Hotit, ne rrisim besnikërinë ndaj atdheut

16 maj 2019 | 14:54

“Ne nuk do të ndalemi derisa ta fitojmë betejën për drejtësi dhe ta kodifikojmë të drejtën tonë, duke bërë ligje që mbrojnë të vërtetën e Kosovës, që krimet të mos kalojnë pa u dënuar dhe që secili që mohon krimet kundër njerëzimit në Kosovë e gjenocidin, të përgjigjet para drejtësisë”, ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në akademinë politike dhe shkencore me rastin e 20- vjetorit të zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hoti, organizuar nën përkujdesjen e Zyrës së Kryeministrit.

Fillimisht, kryeministri Haradinaj ka zhvilluar një vizitë në rektoratin e këtij Universitetit “Ukshin Hoti”, për të vazhduar më pas me homazhe para bustit të tij.

Kryeministri Haradinaj, gjatë fjalës së tij në akademi, ka thënë se është nder për të që ndodhet për të dhënë një kontribut modest në ndriçimin ose bërjen dritë të jetës, veprës, sakrificës së bashkëkombësit shumë të çmuar, Ukshin Hoti.

Më tutje, Haradinaj pasi ka përshëndetur mundësinë e mirë që po iu jep Universiteti në Prizren, “Ukshin Hoti” për konferencën shkencore dhe politike, ka inkurajuar studiuesit, të rinjtë dhe gjithë të tjerët që të kthehen në traditë, që çdo herë ta lartësojnë veprën e bashkëkombësit, një bashkëkombës të madh, profesorit Ukshin Hoti.

Fjala e plotë e kryeministrit Haradinaj:

Ukshin Hoti, i rrallë në shumësinë e mendimit politik shqiptar, i cili etikën politike e nxori në krye të çdo ligjërimi e veprimi, sepse politika pa etikë, nuk e nxitë ndjenjën e përgjegjësisë shoqërore.

Ndër intelektualët dhe diplomatët e parë të Kosovës, i burgosur për shkak se zbërtheu dhe arsyetoi në teori dhe praktikë kërkesën e popullit shqiptar në Jugosllavi për Republikën e Kosovës dhe atë, që në vitin 1981. I mënjanuar dhe i ndjekur nga regjimi serb gjatë viteve të trazirave 1990-1991, i burgosur sërish në vitin 1994, unik në këndvështrimin kritik ndaj shoqërisë shqiptare, por dhe zëri moral i saj.

Armiqtë e lirisë nuk i besuan as sistemit të burgjeve të hekurta, e nxorën nga burgu, e veçuan dhe e zhdukën intelektualin kryengritës, sepse idetë e mëdha të lirisë nuk mund t’i burgosnin.
Krushjani që arriti deri në Harward, një intelektual që nuk lejonte korruptimin e dijes është pasardhës i Krushës, që nëpër shekuj i dha shumë Atdheut që nga Lidhja e Prizrenit e lëvizja kaçake e Bajram Currit deri në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj jo rastësisht pushtuesi iu hakmor Ukshin Hotit dhe Krushës, duke kryer një nga masakrat më mizore gjatë luftës së Kosovës.

Edhe pse mbi të peshoi një presion i madh, i përmasave të gjëra, sa që egërsia e sistemit, ia cenoi edhe familjen, por Uka nuk u thye duke gërshetuar kështu trimin e vendosur shqiptar me qytetarin e ditur dhe të angazhuar, për të drejtën kombëtare, për të cilën duhej qëndrueshmëri dhe guxim, përfshi edhe kryengritjen e armatosur.

Sot kur po flasim për Ukën, duhet ta shtrojmë pyetjen se cilat janë fuqitë tona kombëtare dhe sa jemi në nivel të detyrës për shtetmbajtje? Ne kemi gjeografinë kompakte etnike dhe burime natyrore, popullsinë e re përballë kombeve fqinje që po plakën dhe ushtrinë, por mbi të gjitha e kemi orientimin politik të palëkundur euro-atlantik. Ai – sipas studiuesve – është i pari që e ka përdorur nocionin “Europeizmi i Kosovës”

Madhështinë e mendimit të tij kanë me e rizbuluar e zbërthye brezat që vijnë, por ajo që sot na duhet është mësimi që na e dha Ukshin Hoti kur insistonte në një demokraci autentike dhe sistem shtetëror që buron nga vet populli i Kosovës.

I tillë ishte Ukshin Hoti, rrezatues mbi injorancën dhe krijues i shkathtë karshi ideve, të imponuara nga jashtë.
Sot, ne duhet të kërkojmë përgjigje në pyetjen «Ku është Ukshin Hoti?», jo vetëm si parullë politike, ngase Uka nuk u përkiste këtyre adresave dhe duke iu përgjigjur kësaj pyetje ne jo vetëm që arrijmë unitet për çështje të interesit kombëtar, por shikojmë përpara, kah e ardhmja prosperuese.

Ne nuk do të ndalemi derisa ta fitojmë betejën për drejtësi dhe ta kodifikojmë të drejtën tonë, duke bërë ligje që mbrojnë të vërtetën e Kosovës, që krimet të mos kalojnë pa u dënuar dhe që secili që mohon krimet kundër njerëzimit në Kosovë e gjenocidin, të përgjigjet para drejtësisë. Ligje që mbrojnë martirizimin dhe kauzën e të pagjeturve, të gjithë atyre që ranë për këtë tokë e këtë liri.

Ne duhet ta mbrojmë me ligj qëllimin sipëror përse ata u flijuan. Duke e kujtuar lavdinë e Ukshin Hotit, ne rrisim besnikërinë ndaj atdheut dhe fuqitë e shtetit tonë, fuqitë e kombit tonë.

Do të vazhdojmë ta ndriçojmë jetën dhe veprën e Ukshin Hotit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka publikuar raportin e autidimit…