Haradinaj: Kosova e Mali i Zi janë gati për rishikimin e kufirit në drejtim të Kullës dhe Çakorrit

08 korrik 2019 | 22:11

Vetëm pak kohë pasi zyra e tij për media i ka thënë Kohavisonit se Qeveria ka prioritete të tjera në ekzekutiv, përveç çështjes së kufirit me Malin e Zi, vetë kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, ka thënë se Komisionet ndërshtetërore së shpejti takohen për rishikimin e demarkacionit në drejtim të Kullës dhe Çakorrit.

Në një postim në profilin e vet në “Facebook”, ai ka shkruar se “për çështjen e rishikimit të Marrëveshjes për demarkacimin e kufirit me Malin e Zi, në raste të shumta, në mirëbesim të plotë, kam biseduar me homologun tim malazez, Dusko Markoviq”.

“Kosova dhe Mali i Zi janë gati të formojnë komisionet për rishikimin e demarkimit të kufirit më drejtim të Kullës dhe Çakorrit. Edhe gjatë Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Poznan, me kryeministrin e Malit të Zi rikonfirmuam dakordimin që komisionet të fillojnë punën në afat optimal dhe që së shpejti të hapet një pikë kufitare në Çakorr dhe Kullë”, ka shkruar Haradinaj, përcjell Koha.net. “E falënderoj homologun tim, Dusko Markoviq, për qasjen konstruktive dhe vullnetin për fuqizimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona”, ka thënë ai më tej.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga protesta e opozitës, ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar formimin…