Haradinaj: Kosova e përkushtuar të avancojë partneritetin ekonomik me Britaninë

09 korrik 2018 | 17:26

Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale dhe grupi i miqësisë Parlamentare Kosovë-Mbretëri e Bashkuar është dëshmi e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve mike.

Kështu ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj, në takim me grupin e Miqësisë Parlamentare Kosovë-Mbretëri e Bashkuar, me anëtarët e Parlamentit, Martin Vickers, udhëheqës i Grupit të Miqësisë, John Grogan, bashkëudhëheqëse i Grupit dhe Ian Paisely.

Kryeministri Haradinaj, i ka njoftuar parlamentarët me progresin e Kosovës, përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, tërheqjen e investitorëve të huaj, hapjen e vendeve të reja të punës dhe rrugën euroatlantike të saj, duke theksuar se Kosova është e interesuar të zgjeroj partneritetin ekonomik.

“Grupet e miqësisë së mirë në Parlamentet tona, janë bazë e mirë për kultivimin e raporteve të mira dhe partneritetit me Britaninë e Madhe”, ka thënë Haradinaj, duke theksuar se bashkëpunimi i mirë me Qeverinë e Kosovës e siguron stabilitetin politik mes të dyja vendeve.

Duke folur për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe duke kërkuar mbështetjen për liberalizmin e vizave, kryeministri Haradinaj u ka thënë parlamentarëve nga Mbretëria e Bashkuar se me liberalizimin e vizave vendet perëndimore do të kenë më shumë ekonomi dhe më shumë këmbime.

“Mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar në momentet vendimtare ka qenë shumë e rëndësishme për Kosovën, prandaj populli dhe Republika e Kosovës u janë mirënjohës”, ka thënë Haradinaj, duke kërkuar edhe më tej mbështetjen e shtetit britanik për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe thellimin e bashkëpunimit në rrafshin ekonomik dhe politik.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj ka folur edhe për mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve angleze dhe atyre që udhëhiqen nga diaspora shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar.

Kryeministri Haradinaj, ka thënë po ashtu se në Kosovë janë krijuar parakushte për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, është aprovuar Ligji për Investime Strategjike, janë krijuar zona të lira ekonomike me infrastrukturë të gatshme si dhe janë krijuar lehtësira tatimore për bizneset. Në këtë drejtim, kryeministri Haradinaj inkurajoi investitorët e huaj të sjellin investimet e tyre në Kosovë.

Anëtarët e grupit të miqësisë parlamentare Kosovë-Mbretëri e Bashkuar, ka vlerësuar progresin e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, duke thënë se do të jenë përkrahës të të gjitha proceseve në Kosovë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dua Lipa po vazhdon me sukses të mbajë koncerte anembanë…