
Haradinaj kujton betejën e Loxhës
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se më 6 korrik 1998, në Loxhë të Pejës, u zhvillua njëra ndër betejat më të ashpra kundër forcave armike.
“Ishte një ndër përballjet më të fuqishme të luftës sonë, ku djemtë e Loxhës dhe të fshatrave përreth, deri në vetëflijim, mbrojtën tokën dhe nderin e këtij vendi. Duke kujtuar sot përpjekjet e paepura të luftëtarëve dhe vullnetin e madh për çlirim, nderojmë kontributin e Loxhës në kohën më të lavdishme të historisë sonë të re, ndërsa përulemi me nderim para dëshmorëve që u përjetësuan në themelet e lirisë: Tahir Shala, Rrustem Bruqi, Enver Alaj, Lumni Surdulli e Xhavit Qufaj”.
“Po ashtu, kujtojmë luftëtarët nga fshati Rudicë, Nimon Bajraktari, Haki Ahmetxhekaj e Bashkim Mehmetaj, që ranë në rrugën e tyre për të sjellë armët e lirisë. Në të njëjtën ditë ra edhe bashkëluftëtari Arsen Mazrekaj. Nderim i përjetshëm për të gjithë luftëtarët e lirisë!”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.