Haradinaj nderon dëshmorët dhe martirët në fshatin Sllovi

15 prill 2019 | 13:42

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në akademinë përkujtimore kushtuar dëshmorëve dhe martirëve të fshatit Sllovi.

Fillimisht, kryeministri Haradinaj, bëri homazhe te përmendorja e dëshmorëve dhe martirëve të këtij fshati.

Kryeministri Haradinaj, në fjalimin e tij, para të pranishmëve të shumtë, tha se, pa asnjë kriter civil, të pambrojturit e këtij fshati janë vrarë në shtëpitë e veta, në vendin e vet dhe kjo është e papranueshme, e padrejtë, është krim dhe si i tillë këtë s’mund ta mohojë askush.

“Është gabim i madh mohimi i krimeve edhe prej shtetit fqinj, prej zyrtarëve e udhëheqësve andej, por edhe gjithë të tjerëve”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke shtuar se me kalimin e viteve dhimbja ende është prezent, mungesa e më të dashurve dhe tërë kjo kohë pa ta.

Haradinaj, duke folur për statusin ligjor të familjeve të dëshmorëve e martirëve, por edhe të të pagjeturve, tha se ai duhet rregulluar, sepse ju takon në bazë të meritës, duke siguruar gjithashtu se do të veprohet në këtë drejtim.

“Kemi dalë prej tragjedisë, prej dhimbjes. Një pjesë të vështirësisë ia krijojmë vetes dhe një pjesë ende vazhdojnë të na krijojnë, ende vazhdojnë të na pengojnë në rrugën tonë drejt të drejtës sonë si Kosovë, që ajo të bëhet e barabartë me vendet tjera”, është shprehur kryeministri Haradinaj, duke shtuar se kurrë nuk duhet harruar që për të ardhur deri këtu, janë dhënë jetë njerëzish, por edhe të ecet përpara në atë që i ka mbetur Kosovës dhe këtu nevojitet puna e të gjithëve.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se nuk është lehtë të mbahet dhimbja gjithë këto vite nga këto nëna, zemrat e të cilave e dinë çfarë është.

“Bijtë tuaj nuk janë vetëm tuajt. Ata që kanë rënë për liri janë të këtij populli dhe i gjithë populli i respekton”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka theksuar se kujtimi për dëshmorët dhe martirët, na shërben që të punojmë me këmbëngulësi e pastërti, me ndërgjegje për të ndërtuar të ardhmen tonë.

Një fjalë rasti, para të pranishmëve, mbajti edhe Naim Hyseni, në emër të familjeve të dëshmorëve, i cili kërkoi drejtësi për krimet e kryera dhe vrasjet e më të dashurve të tyre.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot është takuar…