Haradinaj njoftohet me gjendjen e përmbytjeve në Shqipëri

04 dhjetor 2017 | 10:17

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral lejtënant, Rrahman Rama dhe drejtorin e Policisë, Shpend Maxhuni.

Kryeministri Haradinaj u njoftua nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, me gjendjen e krijuar pas përmbytjeve nga moti i lig që ka përfshirë Republikën e Shqipërisë dhe përpjekjet për t’i dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet në zona të ndryshme.

Ministrat Berisha dhe Sefaj, si dhe drejtuesit e FSK-së dhe të Policisë së Kosovës e njoftuan kryeministrin Haradinaj me koordinimin e institucioneve të Kosovës me ato të Shqipërisë për ta ndihmuar në këtë situatë të vështirë.

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova do ta vazhdojë të jetë përkrah Shqipërisë në këtë situatë të rëndë dhe theksoi se Qeveria e vendit ka ofruar ndihmën e gjithanshme pas përmbytjeve në Shqipëri përmes njësive të FSK-së dhe agjencive të emergjencave. Ai tha se është me rëndësi që të bëhet koordinimi i institucioneve të vendit me ato të Republikës së Shqipërisë për veprimet e nevojshme, me qëllim që t’i dilet në ndihmë shtetit shqiptar dhe banorëve të zonave të përmbytura.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të procedojë për…