Haradinaj për inaugurimin e Parkut të Erës në Mitrovicë: Meritat e kësaj qeverie për këtë projekt janë zero

11 mars 2022 | 16:07

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në inaugurimin e Parkut të Erës në Mitrovicë, është një lajm fantastik, por që meritat e Qeverisë Kurti për këtë projekt janë zero.

“Kryetari i Qeverisë sot paska marrë pjesë në inaugurimin e Parkut të Erës në Mitrovicë, një investim i jashtëzakonshëm i Kosovës me vendet mike, që është një lajm fantastik, sado që meritat e kësaj qeverie për këtë projekt janë zero”.

“Sikur ky kryeministër e kjo qeveri të mos e kishin kundërshtuar projektin e termocentralit të ri me Countur Global, apo projektin e gazsjellësit amerikan Shkup-Prishtinë, sot do të mund t’u gëzoheshim edhe dy sukseseve të jashtëzakonshme në fushën e energjisë, e nuk do t’i vuanim pasojat e mungesës së energjisë e çmimeve stratosferike”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka thënë se Qeveria duhet të marrë shembull nga Parku i Erës në Mitrovicë, se si nisen e kryhen punët e interesit strategjik për vendin, e pse jo t’i thoshte disa fjalë të mira edhe për Qeverinë Haradinaj, që kishte vizion të qartë se si zgjidhej situata elektro-energjetike në vend.

“Sidoqoftë ky është sukses i Kosovës, e cila ka nevojë urgjente që t’i shtyjë edhe projektet tjera në fushën e energjisë, që sot janë ndalur nga kryeministri Kurti”, ka shkruar Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sanksionet që qeveria britanike ka ndërmarrë kundër pronarit të Chelsea,…