
Haradinaj: ShBA-ja nuk duhet ta barazojë Kosovën me Serbinë
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot ka pritur në takim ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, ku kanë diskutuar për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ka shkruar se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të barazojnë Kosovën me Serbinë si palë, sepse orientimet e këtyre dy shteteve në politikë të jashtme kanë kahje të kundërta.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Prita në takim Ambasadorin e SHBA-ve Z. Philip Kosnett ku diskutuam për vizitën time ne SHBA dhe takimet atje.
Ambasadorit Kosnett i thash se është i mirëseardhur dhe i nevojshëm aktivizimi i SHBA-ve në dialog. Shtetet e Bashkuara nuk duhet të barazojnë Kosovën me Serbinë si palë sepse orientimet tona në politikë të jashtme kanë kahje të kundërta. Përderisa Kosova stoikisht qëndron prapa SHBA-ve në të gjitha sfidat globale, Serbia vazhdon që të jetë sateliti dhe arma kryesore e Rusisë në Evropë.
I paraqita Ambasadorit Kosnett nevojën për marrëveshjen finale që rezulton në njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe kjo duhet të përmbyllet sa më shpejtë.