Haradinaj-Stubulla: Hyrja e forcave serbe në Kosovë s’ishte e sinkronizuar, por ilegale

09 gusht 2020 | 11:46

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, tha se rasti i hyrjes së xhandarmërisë serbe në Kosovë u bë në mënyrë ilegale dhe pa njoftim te institucionet e Kosovës.

Ajo ka pyetur nëse patrullimi i përbashkët me KFOR-in ka pasë aprovim paraprak me NATO-n, njofton Klan Kosova.

Ndërkaq, praninë ushtarake serbe e ka quajtur terrorizuese për qytetarët që në kujtesë vazhdojnë të kenë gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

“Uniforma ushtarake e policore serbe në territorin e Kosovës hap plagët e krimeve të pandëshkuara, dhe traumat e luftës së vitit 1999. Mekanizmat e sigurisë në asnjë mënyrë nuk do të duhej të lejojnë, e aq më pak të lehtësojnë patrullime të tilla në territorin e Republikës së Kosovës, që shkaktojnë shqetësime dhe pasiguri tek qytetarët e asaj ane, trazojnë paqen, dhe provokojnë dhunë e vetëmbrojtje”.

Haradinaj-Stublla u ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës duke shtuar se një veprim i tillë sjell në rikujtim krimet serbe te populli i Kosovës nuk ndihmon në pajtimin mes dy shteteve.

Deklarata e plotë:

Tani që i pamë e i dëgjuam të gjithë, dua t’i bëj disa sqarime për opinionin publik rreth hyrjes ilegale dhe të paautorizuar të xhandarmërisë serbe në territorin e Republikës së Kosovës:

• Patrullimi i sinkronizuar nënkupton që secila forcë ushtarake vepron brenda territorit të vet dhe nuk e kalon kufirin. Palët dakordohen të lëvizin përgjatë vijës kufitare, dhe në kohë të caktuar e njoftojnë njëra tjetrën për atë se çka kanë hasë në terrenin e tyre gjatë patrullimit të sinkronizuar.

• Ngjarja e 7 gushtit në Karaçevë nuk rezulton të jetë patrullim i sinkronizuar, por patrullim i përbashkët me Serbinë, për të cilin nuk ka askush mandat e as autorizim.

• Popullit të shqetësuar duhet t’i sqarohet se a e ka shkelur Serbia marrëveshjen me NATO-n që ka hyrë 300m brenda territorit të Kosovës, apo këtë e ka bërë me aprovimin paraprak!

• Terrorizimi i popullit shqiptar të fshatit kufitar me Serbinë, përmes defilesë së uniformës serbe dhe rikujtimit të krimeve gjenocidale të Serbisë në Kosovë, nuk e ndihmon normalizimin e marrëdhënieve, pajtimin, e as vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Uniforma ushtarake e policore serbe në territorin e Kosovës hap plagët e krimeve të pandëshkuara, dhe traumat e luftës së vitit 1999.

• Mekanizmat e sigurisë në asnjë mënyrë nuk do të duhej të lejojnë, e aq më pak të lehtësojnë patrullime të tilla në territorin e Republikës së Kosovës, që shkaktojnë shqetësime dhe pasiguri tek qytetarët e asaj ane, trazojnë paqen, dhe provokojnë dhunë e vetëmbrojtje.

• Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, ashtu siç e kanë njohur gati mbi 2/3-tat e shteteve të botës, 22 nga 27 shtete anëtare të BE-së, dhe 26 nga 30 shtete anëtare të NATO-s, e po ashtu të respektojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që konfirmoi ligjshmërinë e plotë të Pavarësisë të Republikës së Kosovës me 17 shkurt 2008 në kufijtë ekzistues.

• Veprimi sipas Kushtetutës dhe Ligjit nuk është deklaratë pompoze, por obligim shtetëror që duhet ta ndjekim të gjithë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Spitalin e Gjakovës 55 pacientë të hospitalizuar janë trajtuar…