Haradinaj tregon planin e LV-së për presidentin
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka treguar pse Albin Kurtit nuk po i ngutet çështja e presidentit.
Para fillimit të seancës, ai ka bërë me dije se LV-ja e ka në plan që fillimisht ta dërgon në presidentes kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Sipas tij, për Kurtin është me rëndësi Haxhiu të bëhet edhe ushtruese e detyrës së presidentes.
“LV-ja e ka një plan në kohë. Për ta është me rëndësi që kryetarja e Kuvendit të jetë edhe ushtruese e detyrës së presidentit, prandaj nuk po nguten. Pastaj mbetet të shihet se si do ta menaxhojnë situatën, por ne varemi nga iniciativa e tyre. Po shihet qartë që kjo është e lidhur me përfundimin e mandatit të presidentes aktuale. Pra, LV-ja po pret. Çdo gjë pritet të fillojë në momentin kur të kemi një ushtrues detyre të ri të presidentit. Njëherë të marrë detyrën Haxhiu, e pastaj të nisin konsultimet e mëtejshme”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka bërë me dije se AAK-ja ende nuk ka vendosur se si do të veprojë për çështjen e presidentit.
“AAK-ja i ka votat. Janë gjashtë, por ende nuk janë të përcaktuara se si do të veprohet. Nuk kemi asnjë zhvillim konkret dhe është e qartë që gjithçka lidhet me kohën, pra të shkojë Osmani, me qenë ushtruese e detyrës Haxhiu, dhe pastaj të shohim se çfarë do bëjnë”, ka thënë Haradinaj.



