Haradinaj: Vuçiqi, ideator dhe realizues i ‘krizës humanitare’ në veri

02 korrik 2019 | 16:38

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq për të ashtuquajturën krizë humanitare në veri të shtetit tonë.

Haradinaj në një konferencë për medie ka thënë se presidenti serb është ideator i këtij skenari.

“Është një skenar tepër primitiv i shekujve të kaluar. E pabesueshme që akoma në Serbi ka këso logjike”.

“Presidenti Aleksandër Vuçiq është ideator dhe zbatues i këtij skenari. Ai, atë që sipas tyre, nuk e kanë arritur presidenti amerikan, Donald Trump, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron që është suspendimi i taksës dëshiron ta realizojë me një destabilizim të veriut”, ka thënë Haradinaj, duke kërkuar nga Vuçiqi që të heq dorë nga një ide e tillë.

“Sot e kam lutur (Aleksandër Vuçiqin) si fqinj që të mos e zbatojë këtë skenar sepse nuk ka si të fshihet sepse gjithë bota po e sheh dhe po e dinë që ai është shkaktar i destabilizimit potencial”, ka deklaruar Haradinaj.

Në këtë kontekst, kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova do ta zbatojë rendin dhe ligjin dhe këtë duhet ta kuptojnë të gjithë. “Nuk do të ketë kurrë vakum në rend dhe në ligj në asnjë metër të territorit të Kosovës”, është shprehur Haradinaj.

Më tutje, në këtë konferencë, Haradinaj ka folur edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ekipin negociator, e cila ditë më parë e ka shpallur si antikushtetues këtë ekip.

Haradinaj ka thënë se kur është votuar ekipi negociator, Kuvendi ka pasur për qellim gjithëpërfshirjen në dialogun me Serbinë.

Duke mos përmendur emra të përveçëm, Haradinaj ka thënë se ua kanë treguar vendin të gjithë atyre që janë marrë me idenë kufijve.

“Jam i kënaqur që ua kemi treguar vendin të gjithë atyre që kanë dashur të bëjnë tregti me territorin dhe kufijtë, qofshin ata të jashtëm, apo të brendshëm. Kjo është fitore historike e Kosovës”, është shprehur Haradinaj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndryshimi klimatik i shkaktuar nga njeriu, mund të jetë shkaktar…